E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Viktor Gumi: 28 Qershori e ka një fitues të dukshëm, PD-në

Kandidati i Partisë Demokratike për Tiranën: Lista jonë ka një kombinim të shkëlqyer të përgjegjësive, eksperiencës politike, karrierës në politikë, ekspertizës teknike dhe prurjeve të reja në klasën e politikës


Viktor Gumi kandidon në listën e Partisë Demokratike si i ardhur nga shoqëria civile, por megjithatë ka provuar se nën qeverisjen 4-vjeçare të zotit Berisha ku ka mbajtur disa poste administrative deri në nivel zv/ministri në Ministrinë e Drejtësisë si dhe aktualisht ministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta ka mundur të bind në ekspertizën e tij. Partia Demokratike i ka besuar dhe politikisht duke e kandiduar për deputet në qarkun e Tiranës. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “55” zoti Gumi rrëfen karrierën e tij në ekzekutiv, sfidat që e presin në institucionin që drejton si dhe kandidimin për deputet në kryeqytet. Ja si shprehet me tej ai.


Zoti Gumi, prej pak kohësh drejtoni MPÇSSHB duke ardhur nga Ministria e Drejtësisë, ku mbanit postin e zv/ministrit. A mund të na rrëfeni ditën e parë të punës dhe marrëdhëniet që keni me bashkëpunëtorët tuaj në postin e ri që mbani?


Natyrisht, dita e parë e punës i kushtohet mbarëvajtjes administrative të punëve në institucion. Dita e parë filloi me dorëzimin e detyrës nga ish-Ministri i Punës dhe më pas me njohjen e çdo sektori dhe drejtorie në funksion të misionit që mbulon Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.


Cilat mendoni se janë sfidat që i keni vënë vetes në krye të këtij institucioni?


Vlerësoj se dy janë sfidat më kryesore: së pari, në finishin e mandatit të parë të katërvjeçarit të mbahet tempi i reformave të ndërmarra pasi, ashtu si në një garë atletike, edhe tre hapat e fundit para finishit janë të rëndësishëm madje më të rëndësishmit; dhe, së dyti, të bëj të qartë që niveli dhe posti i kujtdo në këtë institucion është rezultante e performancës së tij në punë.


Përkundër vlerësimit që iu është dhënë nga ana e Kryeministrit Berisha në kabinetin qeveritar në detyrat që keni mbajtur, duket se lidershipi i PD-së ka besuar tek ju dhe politikisht, duke ju kandiduar për deputet në listën e Partisë Demokratike në Tiranë për zgjedhjet e 28 Qershorit. Cili është komenti juaj?


Natyrisht që për këdo një moment i tillë është shenjë vlerësimi dhe për mua personalisht vlerësohet nëpërmjet një mirënjohje të thellë. Në një plan më të gjerë, më tepër se privilegj kandidimi është detyrë dhe përgjegjësi e madhe.


Duke qenë se vini nga shërbimi civil, pse vendosët të jeni në listën e PD-së dhe cila kanë qenë arsyet që iu shtynë për t’u marrë me politikë?


Besoj se lista e PD është lista që jep garancitë e nevojshme për të përfunduar një tjetër projekt madhor të Shqipërisë, siç është integrimi i saj në Bashkimin Evropian. Natyrisht, të jesh pjesë e një ekipi që përpiqet në çdo kohë të bëjë më të mirën dhe që indikatorin e matjes e ka punë të përditshme dhe rezultate konkrete, është shërbimi më i mirë që mund t’i bëhet një vendi. Besoj tek ky projekt ndaj edhe vendosa t’i bashkohem atij.


Profesioni juaj primar është jurist. E parë me këtë sy, cili është komenti juaj sa i përket reformës legjislative të kryer nga Qeveria Berisha dhe e miratuar nga Parlamenti?


Reformat janë mekanizmat që e çojnë përpara shoqërinë. Një meritë e madhe në këtë katërvjeçar është, natyrisht, vënia në vëmendje të posaçme e reformës në drejtësi. Më lejoni që të kujtoj që para disa vitesh as nuk diskutohej një gjë e tillë. Natyrisht, sfidat janë të mëdha dhe të panumërta. Edhe vendet më të përparuara dhe me një traditë demokratike të konsoliduar reformën në drejtësi e kanë çështje të ditës. Imagjinojeni se sa punë na duhet ne në këtë drejtim. Por, natyrisht, fillimet janë të mbara dhe besoj se në këto katër vite, në aspektin e reformës në drejtësi, janë hedhur themele të shëndosha të ndërtimit të një shteti të së drejtës. E rëndësishme është që të ecet paralelisht në disa drejtime. Reforma legjislative nuk është gjithçka, ajo është fillimi i një procesi të gjatë pune. Ne duhet të kërkojmë fort edhe një reformë mentalitetesh në drejtësi, ku pavarësia dhe përgjegjshmëria të ecin paralelisht.


Nëse do ju duhet të zgjidhni disa nga ligjet të cilat janë miratuar në Parlament dhe dekretuar nga Presidenti, cilët do të vlerësonit se kanë qenë më imediate për mbështetjen e reformave qeveritare?


Besoj se reforma në sistemin gjyqësor, ajo në sistemin e prokurorisë, reforma në ligjet procedurale dhe në ligjet materiale, si në fushën civile ashtu edhe atë penale, ia vlejnë të përmenden në këtë drejtim.


Pa e parë me syrin politik, por prej profesionisti, a mendoni se ligjet e kthyera apo të bllokuara nga Gjykata Kushtetuese kanë pasur argumente të drejta ligjore?


Ka një parim të së drejtës sipas të cilit vendimet gjyqësore përfundimtare janë të detyrueshme për zbatim. Unë nuk bie dakord me mendimin se, përderisa ka folur gjykata nuk kemi se ç’të themi më. Të mos ngatërrojmë zbatimin e një vendimi me diskutimin e tij dhe çështjet themelore që ai ngre. Sot ka një përvojë të mrekullueshëm në Perëndim. Ka një strukturë profesionistësh dhe akademikësh, të cilët analizojnë në detaje edhe vendime deri të Gjykatës së Strasburgut, duke nxjerrë edhe pikat e dobëta të arsyetimit gjyqësor. Kjo gjë duhet të fillojë edhe tek, pse jo, të bëhet praktikë pune, sepse vetëm kështu mund të realizojmë atë që kërkojmë me forcë: një mentalitet të ri në drejtësi dhe ligjbërje.


Si një nga kandidatët e PD-së që garon për Parlamentin e ardhshëm, si ju duket lista për Tiranën dhe për gjithë Shqipërinë? Mendoni se është superiore krahasuar më atë të PS-së?


Natyrisht që lista e PD-së ka një kombinim të shkëlqyer të përgjegjësive, eksperiencës politike, karrierës në politikë, ekspertizës teknike dhe prurjeve të reja në klasën e politikës. Besoj se është kombinimi më i duhur dhe më i nevojshëm për vendin dhe që garanton një qeverisje stabël në katër vitet në vijim. Nuk kemi kohë për të bërë eksperimentime qeverisëse dhe, përpara projekteve të mëdha dhe sfidave që na presin, të merremi me eksperimente konfliktesh partiake, fenomen që publiku e ka njohur mirë në vitet 2000-2005.


Si ecën fushata në zonën ku ju garoni. Çfarë mesazhi keni marrë nga zgjedhësit në këto takime elektorale?


Natyrisht, në Tiranë ditët janë shumë të ngarkuara. Ajo që më bën përshtypje nga këto kontakte është optimizmi dhe besimi tek fitorja, sepse, në radhë të parë, është një fitore e merituar. Optimizmi dhe besimi vjen nga puna e bërë në këto katër vite dhe plani konkret për katër vitet në vijim.


Përse mendoni se Partia Demokratike do t’i fitojë zgjedhjet?


Për të gjitha ato që i përmenda më lart, për premtimet e mbajtura në katërvjeçarin e parë si dhe për programin e detajuar dhe ambicioz të katërvjeçarit të ardhshëm, besoj se 28 Qershori e ka një fitues të dukshëm – Partinë Demokratike.



Kush është kreu i Ministrisë së Punës dhe kandidati i PD në Tiranë?


Viktor Gumi është emëruar në detyrën e Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta më datën 19 maj 2009. Viktor Gumi u lind më 1 janar 1973. Diplomohet në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, më 1996. Certifikohet i dalluar në kursin afatgjatë për Draftimin Ligjor, organizuar nga RIPA International – Londër, në vitin 2000. Ndjek studimet master në vitet 2001-2002 në Universitetin e Essex, Mbretëria e Bashkuar, dhe diplomohet me rezultate shumë të mira në 2002 në Legjislacion Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut (Intermational Human Rights Laë). Në vitin 1999-2001 ka ushtruar detyrën e këshilltarit juridik në Kuvendin e Shqipërisë, Sekretar i Delegacionit të Përhershëm të Kuvendit të Shqipërisë në OSBE (OSCE PA) dhe Anëtar i Komisionit Drejtues të Qendrës së Publikimeve Zyrtare. Në vitet 2002-2006 ushtron detyrën e Drejtorit të Departamentit Juridik në Kuvendin e Shqipërisë. Në vitet 2006-2007 është anëtar i CEPEJ (Këshilli i Europës). Në vitet 2006-2008 ushtron detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë dhe në 2008-2009 atë të zv/Ministrit të kësaj Ministrie. Viktor Gumi ka një karrierë të pasur akademike. Në vitet 1999-2005 është lektor i lëndës “Teknika Legjislative”, në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Nga viti 2005 e në vazhdim është lektor në Shkollën e Magjistraturës dhe nga 2006 e në vazhdim anëtar i Bordit të Shkollës së Magjistraturës.  Gjatë viteve 1997-2006 ka marrë pjesë në shumë konferenca, seminare, kolekiume, takime dhe vizita studimore organizuar nga Këshilli i Europës, NATO, OSBE, British Council, etj. Viktor Gumi është autor i një sërë publikimesh dhe leksionesh në fushën e të drejtës. Punimet më të rëndësishme: “Komisionet hetimore në Kuvendin e Shqipërisë, 1990-2000” – publikuar në revistën “Drejtësia”; “Pyetjet dhe interpelancat – një mjet i rëndësishëm i kontrollit parlamentar” – publikuar në revistën juridike “E drejta parlamentare dhe politikat ligjore”; “Të drejtat e njeriut në shtetin shqiptar 1912” – publikuar në revistën “Të drejtat e Njeriut”; “Guidë për Parlamentin Shqiptar” – publikuar në bashkëpunim me Institutin Ndërkombëtar Republikan IRI; “Neni 11 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut” – publikuar në revistën juridike “Tribuna Juridike”; “Parlamenti dhe sektori i sigurimit” – publikuar në DCAF më 2003.


Në fushën akademike, Viktor Gumi është autor dhe lektor i një cikli leksionesh të “Teknikës Legjislative” për studentët e vitit të tretë të Fakultetit të Drejtësisë; leksionit “Procesi ligjvënës në Republikën e Shqipërisë”, mbajtur në kolekiumin e organizuar më 2001 në Athinë nga Cacos Foundation; leksionit “Insitutet Kombëtare të të Drejtave të Njeriut”, në seminarin mbi të drejtat e njeriut, organizuar në Tiranë në maj 2004. Eshtë bashkautor i Komentarit “Për gjykatësit në procesin zgjedhor, 2005” dhe i botimit “Trajnimi i gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor”, maj 2005. Është autor i librit “Shkrimi Legjislativ”, botuar në shtator 2006.  

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›