E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi i Këshillit të Ministrave/ Legalizimet do të do bëhen me letra me vlerë

Këshilli i Ministrave vendosi që  qytetarët shqiptarë që do të legalizojnë objektet do të kenë të drejtë që 80 % të vlerës së tyre ta paguajnë me letra me vlerë, përveç taksës së infrastrukturës, e cila është kompetencë e qeverisjes vendore.


Kryeministri u shpreh se letrat me vlerë të emetuara nga qeveria në vitet 95-96, të cilave iu është zgjatur afati i përdorimit para tre vitesh, janë një detyrim madhor dhe i padiskutueshëm i qeverisë ndaj qytetarëve shqiptarë: “Sot unë do të trajtoj një problem të veçantë që ka të bëjë me letrat me vlere. Letrat me vlerë të emetuara nga qeveri ime në vitet 95-96 dhe të zgjatura afatet e përdorimit të tyre sërish nga qeveria ime, para tre vitesh janë një detyrim madhor dhe i padiskutueshëm i imi ndaj qytetarëve shqiptarë sepse unë kam qenë president i vendit në fuqi ekzekutive, kur kam miratuar dhe urdhëruar emetimin e tyre. Kemi vendosur që i tërë procesi i legalizimit përveç taksës së infrastrukturës, e cila është takse  e qeverisë vendore dhe unë nuk kam ndërmend që të ngushtoj dhe as të ndërhyj në kompetencën e tyre, por as edhe tu ngushtoj atyre burimet e të ardhurave. Ajo është një taksë e vendosur me pëlqim të përbashkët me bashkitë dhe komunat e vendit, dhe mbetet e paprekur. Pra përveç kësaj takse i qytetarët që do të legalizojnë objektet do të kenë të drejtë që 80 % të vlerës ta paguajnë me letra me vlerë.”


Për sa i përket qytetarëve, të cilët e kanë paguar vlerën njëqind për qind, kryeministri sqarojë se qeveria do tu rimbursojë 80 % të vlerës, të cilën ata do ta paguajnë me letra me vlerë.


Kryeministri theksoi se në këtë mënyrë hapet për letrat me vlerë një nga tregjet më të fuqishëm të vendit, i cili bazohet në legalizimin e 500 mijë objekteve “Në këtë mënyrë ne hapim një treg ekzakt së 4 deri në 6 herë më të madhe sesa vlera e letrave me vlerë.”


Me këtë proces, u shpreh Kryeministri, ne shkojmë drejt shlyerjes së detyrimit që kemi ndaj më shumë se 1 milion shqiptarëve dhe kam shumë kënaqësi që çelim këtë treg dhe shlyejmë këtë detyrim.


Kryeministri kërkoi nga Ministria e Financave dhe  Ministria e Punëve Publike përgatitjen e gjithë kuadrit të nevojshëm ligjor që ky vendim të hyjë në fuqi sa më parë.


Vendimi: Ish pronarët do të kompesohen për pronën e tyre vetëm me vlerën e tragut


Kryeministri Berisha u shpreh në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se megjithë vështirësitë që mbart procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave, qeveria shqiptare nuk do të përdorë vlerë tjetër, përvec asaj të tregut, për kompensimin monetar apo fizik të tyre.“Edhe njëherë dua tu rikthehem pronës dhe pronarëve. Duke njohur vështirësitë shumë serioze të këtij procesi një gjë duhet ti garantoj pronarëve të këtij vendi se unë personalisht dhe qeveria ime, aktualja dhe ajo që do të vijë me votën e lirë të shqiptarëve nuk do të përdorë ndonjëherë vlerë tjetër përveç vlerës së tregut për kompensimin monetar apo fizik të tyre. Kryeministri garantoi se në këtë mënyrë do tu jepet fund të gjitha abuzimeve që janë bërë në emër të pushtetit, në këtë drejtim: “Në këtë kontekst çdo lloj shpifje apo trillimi që përhapin ata që ja u kanë marrë edhe centimetrin e fundit të tokës vëllezërve të vet duke shfrytëzuar pushtetin janë të tëra të pavërteta. Unë do të qëndroj deri në fund për vlerën e tregut. Çdo gjë do të shpërblehet me vlerën e tregut.


Një euro për përdorimin e kullotave


Një tjetër vendim i rëndësishëm i marrë sot nga Këshilli i Ministrave ka të bëjë me tarifën shtetërore për përdorimin e kullotave. Vendimi ka si qëllim miratimin e tarifës nën 1 euro për dhënien në përdorim të kullotave dhe livadheve shtetërore, për kullotjen e bagëtive dhe kositje bari, duke synuar lehtësimin e blegtorëve shqiptarë. Nga aplikimi i kësaj tarife, do të përfitojnë drejtpërsëdrejti komunat, bashkitë, si dhe sektori shtetëror i administrimit të kullotave, si dhe subjekte private që kontraktojnë çdo vit marrjen me qira të kullotave shtetërore e që janë të interesuar për rritjen e treguesve cilësorë të administrimit të tyre.


Rritet pagesa për nivelin bazë të papunësisë


Kryeministri Berisha u shpreh se brenda katër viteve nuk do të ketë më asnjë qytetar shqiptar nën nivelin e 2 dollarëve në ditë. Qeveria miratoi në mbledhjen e sotme vendimin “Për caktimin e nivelit bazë të së ardhurës nga papunësia”. Vendimi i miratuar  në zbatim të ligjit “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, rrit ndjeshëm nivelin bazë të së ardhurës nga papunësia. Rritja që barazon të ardhurën nga papunësia me 50 % të pagës minimale në shkallë vendi, bëhet në kuadër të përshtatjes së legjislacionit shqiptar me atë ndërkombëtar. Kryeministri Berisha u shpreh se brenda katër viteve nuk do të ketë më asnjë qytetar shqiptar nën nivelin e 2 dollarëve në ditë.


Vlora shpallet zonë e lirë ekonomike


Këshilli i Ministrave miratoi sot  vendimin për shpalljen “Zonë ekonomike” me statusin “Zonë e lirë” një territor me sipërfaqe 478.14 ha në Vlorë. Ky vendim ka si qëllim krijimin e klimës sa më  tërheqëse për thithjen e investimeve të huaja dhe vendase, duke ndikuar në nxitjen e zhvillimit ekonomik të kësaj zone. Zona do të jepet me koncesion të formës “BOT”.


Të verbërit, miratohet rritja e trajtimit personal për këtë status


Qeveria miratoi sot vendimin për rritjen e pagesës mujore të personave me statusin e të verbrit. Ky vendim rrit pagesën për personat që kanë statusin e të verbrit dhe të kujdestarëve të tyre nga 8700 lekë në muaj që është aktualisht në 9800 lekë në muaj. Gjithashtu  vendimi parashikon indeksimin  e kësaj pagese çdo vit me rritjen e pagës minimale në shkallë vendi.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›