E Shtunë, 31 Tetor 2026

Postzgjedhjet, kthehen në Greqi emigrantët



KORÇË - Pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, emigrantët shqiptarë kanë marrë rrugën e kthimit për në Greqi. Burime zyrtare pranë doganës së Kapshticës në Korçë, pohojnë se që nga pasditja e së dielës dhe deri mëngjesin e djeshëm, janë kthyer në vendin fqinj 9.700 emigrantë. Kjo, një shifër relativisht e ulët krahasuar me atë të hyrjes para zgjedhjeve. E mërkura ka shënuar rritje të fluksit të emigrantëve që udhëtonin për në Greqi. Sipas burimeve policore, deri në orën 14:00 kaluan kufirin 2.800 emigrantë, ndërsa fluksi u rrit ndjeshëm gjatë orëve të natës. Gjatë dy javëve të fundit para 28 qershorit, në vendin tonë mbërritën 42.500 emigrantë. Shumica e tyre deklaruan se vinin për të marrë pjesë në votime. Fill pas votimit mësohet se ka filluar edhe kthimi i tyre në vendet ku jetojnë dhe punojnë. Vetëm pasditen e së dielës janë kthyer për në tokën helene rreth 20 autobusë të mbushur me emigrantë, të cilët ishin dërguar nga Greqia enkas për të votuar. Falë masave të marra dhe funksionimit në dalje të disa sporteleve, nuk janë shënuar radhë në pikën kufitare të Kapshticës.

3 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›