E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet/ Del formulari A2, shkollat bëjnë sot shpërndarjen e tij



Jonida Tashi

Formulari A2, për pranimet në universitete do të mbërrijë sot në duart e 47 mijë maturantëve, që kanë aplikuar për të vijuar studimet e larta. Megjithëse ky lajm nuk është publikuar dje nga Ministria e Arsimit, pasi ende punonjësit e këtij dikasteri janë nën ethet e rezultateve të zgjedhjeve, ai konfirmohet zyrtarisht për gazetën “Albania” nga drejtoresha e Drejtorisë Arsimore Rajonale Tiranë (DART), Arjana Bekteshi. Shefja e DART-së, bën të ditur se ditën e djeshme është shpërndarë nëpër të gjitha gjimnazet e kryeqytetit formulari A2. Për rrjedhojë, duke nisur që nga dita e sotme, maturantët mund të tërheqin pranë shkollave ku kanë kryer arsimin e mesëm formularin A2 dhe udhëzuesin për plotësimin e saktë të tij.
Afatet
Maturantët do të kenë afat deri në pesë ditë pas provimeve me zgjedhje, për të plotësuar formularin A2. Ndryshimi si dhe kalimi i afateve për publikimin, plotësimin dhe dorëzimin e formularëve për pranimet në universitete ose dokumenteve të tjera për studimet e larta është një taktikë e përdorur nga MASH-i. Pothuajse asnjëherë nuk ka ndodhur që afatet e përcaktuara në rregullore nga vetë kjo Ministri, të respektohen. Edhe këtë herë, Ministria e Arsimit, u ka treguar 47 mijë maturantëve, që prej ditësh kanë pritur me padurim daljen e formularit A2, se ky dikaster e ka dërguar këtë të fundit në drejtoritë arsimore, pikërisht në ditën, kur sipas rregullores, ai duhet të dorëzohej i plotësuar. Konkretisht, sipas afateve të përcaktuara në rregulloren e Maturës për formularin A2, data 2 korrik ishte afati i fundit kur formularët e plotësuar nga maturantët duhet të ishin depozituar në drejtoritë arsimore.
Shpërndarja
Ditën e djeshme, MASH-i ka shpërndarë në drejtoritë arsimore formularët A2 dhe udhëzuesin për plotësim. Edhe këtë vit, maturantët do të zgjedhin 10 programet e studimit, të renditura sipas preferencave. Specialistët e arsimit këshillojnë të gjithë maturantët që këtë formular ta plotësojnë pasi t’i jenë nënshtruar edhe dy provimeve me zgjedhje për të bërë një përzgjedhje më të saktë të degëve. Ashtu si edhe një vit më parë, Agjencia Kombëtare e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL) do të realizojë përcaktimin e fituesve sipas parimit Meritë–Preferencë, sipas të cilit: Parimi i meritës përcaktohet sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme dhe të provimeve të Maturës Shtetërore; Parimi i preferencës i cili përcaktohet nga vullneti i kandidatëve, i shprehur nëpërmjet preferencës më të lartë të zgjedhur prej tyre.

Si plotësohet A2, pesë hapat
Me anën e formularit A2 merren të dhënat për notën mesatare të shkollës së mesme të maturantit dhe 10 preferencat e tij për programet e studimit në Institucionet e Arsimit të Lartë. Për të marrë formularin A2, nxënësi duhet të ketë kryer pagesën prej 1500 lekësh në një bankë ose në Postën Shqiptare dhe të paraqesë faturën e pagesës së kryer.
Hapi 1
Maturantët mund të fotokopjojnë këtë formular për tu praktikuar, por duhet të dorëzojnë formularin origjinal të plotësuar. Ata duhet të lexojnë me kujdes udhëzimin për plotësimin e A2.
Hapi 2
Në fillim mësuesi kujdestar bashkë me maturantin plotësojnë mesataren e shkollës së mesme me numra dhe me fjalë.
Hapi 3
Pasi është vendosur për programet e studimit të preferuara dhe renditjen e tyre, plotësohet kodi i programit të studimit për secilën preferencë, nga preferenca 1 deri në preferencën e 10.
Hapi 4
Pas kësaj në kuadratin pranë programit të studimit, do të vendosni numrin e preferencës. Kodi i programit të studimit, i shënuar te tabela e preferencave, duhet të jetë i njëjtë me atë ku është shënuar numri i preferencës përkatëse. Për shembull, nëse në preferencën 1 është shënuar programi i studimit 015, atëherë në kuadratin pranë programit të studimit 015 duhet të shënohet numri 1.
Hapi 5
Maturanti, mësuesi kujdestar dhe drejtori i shkollës duhet të plotësojnë emrin, mbiemrin dhe të firmosin formularin A2.

3 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›