Fondi i Ekselencës, ndryshojnë kriteret e përfitimit të bursave
Ndryshojnë kriteret për përfitimin e bursave nga programi Fondi i Ekselencës. Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, qeveria ka vendosur që paragrafi i parë, i shkronjës “a”, të pikës 2, të vendimit nr.255, datë 27.4.2007, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon: Të drejtën, për tu mbështetur financiarisht, nga Fondi i Ekselencës, e kanë: studentët, që ndjekin studimet e doktoratës, jashtë shtetit, pasi kanë përfunduar ciklin e parë e të dytë të studimeve universitare brenda vendit, me notë mesatare mbi 9, për shkencat natyrore, inxhinierike e të jetës, dhe mbi 9.5, për shkencat ekonomike e shoqërore, ose, përkatësisht, mbi 8, për shkencat natyrore, inxhinierike e të jetës, dhe mbi 8.5, për shkencat ekonomike e shoqërore, për studimet e kryera jashtë shtetit në secilin cikël studimi, si dhe shkencëtarët e rinj, pasi kanë përfunduar studimet e doktoratës, me vlerësim maksimal. Para se të ndryshohej kjo pikë, konkretisht ishte: Të drejtën, për tu mbështetur financiarisht, nga Fondi i Ekselencës, e kanë: studentët që ndjekin, jashtë shtetit, studimet e doktoratës, pasi kanë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve universitare, me notë mesatare mbi 9.5, për studime të kryera brenda shtetit, ose, përkatësisht, mbi 8.5 për studime të kryera jashtë shtetit, në secilin cikël studimi, si dhe shkencëtarët e rinj, pasi kanë përfunduar studimet e doktoratës me vlerësim maksimal.
Përzgjedhja
Përzgjedhja e kandidatëve që përfitojnë ndihmë financiare nga Fondi i Ekselencës do të kryhet para fillimit të vitit akademik, nga komisione përzgjedhëse, të ngritura me urdhër të ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Këto komisione kanë në përbërje profesorë të universiteteve, në varësi të fushës, si dhe një përfaqësues nga Ministria e Arsimit. Kur fondi i veçantë plotësohet edhe nga donacione, në komision merr pjesë edhe një përfaqësues i donatorëve. Përzgjedhja e kandidatëve bëhet sipas procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit të Arsimit. Udhëzimi botohet edhe në Fletoren Zyrtare. Lista përfundimtare e kandidatëve të përzgjedhur dhe masa e bursës për secilin prej tyre miratohet sërish nga kreu i Arsimit, pasi kandidati të ketë nënshkruar deklaratën, e miratuar nga ministri, për punësim në Shqipëri. Studentët, të cilët ndërpresin studimet për më shumë se një vit (akademik), përveç rasteve kur paraqesin raport mjekësor, humbin të drejtën e përfitimit të mëtejshëm të bursës së studimit. Studentët, të cilët nuk i japin të gjitha provimet apo e përfundojnë vitin me notë mesatare më të ulët se nota 9 (të ekuivalentuar, sipas vlerësimit të shtetit përkatës, ku studiojnë) apo marrin ndonjë notë më të ulët se nota 8, nuk përfitojnë bursë në vitin pasardhës. Studentët dhe shkencëtarët e rinj, që kanë përfituar bursë sipas këtij vendimi, kur, pas përfundimit të studimeve refuzojnë të punojnë në Shqipëri, sipas kushteve të përcaktuara në kontratën e lidhur, detyrohen të kthejnë shumën e marrë në formë burse.
Ndryshimet në ligj
Paragrafi i parë, i shkronjës “a”, të pikës 2, të vendimit nr.255, datë 27.4.2007, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar ishte:
Të drejtën, për tu mbështetur financiarisht, sipas pikës 1 të këtij vendimi, e kanë:
a) studentët që ndjekin, jashtë shtetit, studimet e doktoratës, pasi kanë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve universitare, me notë mesatare mbi 9.5, për studime të kryera brenda shtetit, ose, përkatësisht, mbi 8.5 për studime të kryera jashtë shtetit, në secilin cikël studimi, si dhe shkencëtarët e rinj, pasi kanë përfunduar studimet e doktoratës me vlerësim maksimal.
Bëhet:
“a) studentët, që ndjekin studimet e doktoratës, jashtë shtetit, pasi kanë përfunduar ciklin e parë e të dytë të studimeve universitare brenda vendit, me notë mesatare mbi 9, për shkencat natyrore, inxhinierike e të jetës, dhe mbi 9.5, për shkencat ekonomike e shoqërore, ose, përkatësisht, mbi 8, për shkencat natyrore, inxhinierike e të jetës, dhe mbi 8.5, për shkencat ekonomike e shoqërore, për studimet e kryera jashtë shtetit në secilin cikël studimi, si dhe shkencëtarët e rinj, pasi kanë përfunduar studimet e doktoratës, me vlerësim maksimal.
3 Korrik 2009