E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Mos e pezulloni Ligjin

 

BLEDAR HOTI

Kuvendi i Shqipërisë me anë të një deklarate i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese që në shqyrtimin e ankimimit për ligjin “Për Dosjet” të mos jenë gjyqtarët që kanë konflikt interesi. Gjithashtu, Kuvendi i kërkon Kushtetueses që të mos e pezullojë paraprakisht ligjin “Për Dosjet”, gjersa të merret një vendim përfundimtar. Letra prej katër faqesh e përpiluar nga Shërbimi Juridik i Kuvendit jep arsyet, se pse Kushtetuesja duhet të rishikojë konfliktin e interesave që ka ndërmjet 9 anëtarëve. “Ju sigurojmë se Parlamenti nuk është kundër gjykimit nga ana Juaj si institucion, por situata në të cilën duket ndodhet Gjykata Kushtetuese, kërkon të gjejë mënyrën që të gjykojë jashtë konfliktit të interesit, të gjejë instrumentet për sa kohë të dhënat e bëra publike lënë të kuptojnë se ka anëtarë të gjykatës në konflikt të hapur interesi”, thuhet në letrën e Kuvendit. Juristët e këtij institucioni theksojnë se “një nga parimet themelore dhe universale të gjykimit kushtetues në shqyrtimin e çështjeve është paanësia e trupës gjyqësore (Gjykatës). “Një gjë e tillë parashikohet si në Kushtetutën tonë ashtu edhe në ligjin “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”. Paanësia do të thotë para së gjithash, që çdo anëtar i trupës gjyqësore në asnjë rast apo rrethanë të mos ndikohet nga asnjë faktor tjetër përveçse ligjit. Në të kundërt do të kishin një konflikt interesi. Një parim i tillë është fondamental dhe universal për çdo gjykatë gjatë dhënies së drejtësisë. Ai i krijon besimin palëve të interesuara dhe më gjerë, se vendimi do të jetë i drejtë”, thuhet në letër. Juristët shprehen se “Neni 36 pika 1, germa a, e ligjit “Për Gjykatën Kushtetuese” parashikon që: “Gjyqtari i Gjykatës është i detyruar të heqë dorë nga shqyrtimi i një çështjeje konkrete kur për shkak të lidhjeve fisnore apo lidhjeve të tjera me pjesëmarrësit në gjykim vihet në dyshim objektiviteti i tij. Në një arsyetim të thjeshtë mund të kuptohet lehtësisht që ai nuk mund të gjykojë një çështje, që lidhen drejtpërdrejt me vetë personin e tij”. Ndërsa kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në deklaratën e djeshme në lidhje me deklaratat e ndërkombëtarëve për ligjin e Lustracionit për median deklaroi se “fakti që shqetësimi është për këtë ligj tregon se në fakt, realisht Shqipëria ka ndryshuar dhe ka pasur një progres të jashtëzakonshëm. Pra, të gjitha problemet e tjera që ne i kemi pasur në vite, i kemi lënë”. “Fakti që vëmendja është te ky ligj i veçantë, që lidhet me një kufizim për një periudhe të shkurtër të së drejtës “për punësim”, për disa persona që kanë vrarë në kundërshtim me ligjet e të drejtave të njeriut, është një gjë që mua më bën të mendoj absolutisht anën pozitive të ecjes së Shqipërisë. Ai gjykatës që është në konflikt interesi nuk mund të marrë pjesë në gjykim. Ne jemi një shtet ligjor, ne respektojmë parimet e shtetit ligjor. Axhenda parlamentare është axhendë parlamentare”, deklaroi Topalli.

pjese nga letra

Neni 36 pika 1, germa a, e ligjit “Për Gjykatën Kushtetuese” parashikon që: “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese është i detyruar të heqë dorë nga shqyrtimi i një çështjeje konkrete kur për shkak të lidhjeve fisnore apo lidhjeve të tjera me pjesëmarrësit në gjykim vihet në dyshim objektiviteti i tij”.

Rezoluta e Gjykatës Evropiane thekson se “Gjyqtarët duhet të ushtrojnë funksionin e tyre në mënyrë të paanshme dhe të sigurojnë që kjo paanësi të jetë e dukshme. Ata duhet të kujdesen për të evituar konfliktin e interesit, ashtu si edhe situatat nga të cilat, mund të lindin në mënyrë të arsyeshme konflikt interesi”.

Personat që kanë mbajtur detyra shtetërore të përcaktuara në nenin 4 të ligjit, nuk mund të shqyrtojnë këtë ligj apo të zbatojnë atë. Ky parim, ndonëse është i inkorporuar në një nen të ligjit, është kushtetues dhe si i tillë, jo vetëm nuk mund të shpallet si antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese, por duhet të zbatohet edhe nga vetë ajo.

Bosch: OSBE dhe Kushtetuesja do vendosin për ligjin para zbatimit

OSBE kërkon që qeveria shqiptare të mos ndërmarrë asnjë hap përpara se të mbërrijnë grupi i ekspertëve ndërkombëtarë për të vendosur për kushtetutshmërinë e ligjit të “Dosjeve”. Në një prononcim për “News 24”, kreu i Prezencës së OSBE-së, Robert Bosch theksoi se “ne rekomandojmë, që ligji të plotësojë të gjitha kriteret e Kushtetutës dhe ato ndërkombëtare. Në këtë kontekst, OSBE dhe Gjykata Kushtetuese të vendosin mbi kushtetutshmërinë e ligjit para se të zbatohet”. Ky qëndrim vjen menjëherë pasi Kuvendi i kërkoi Kushtetueses të mos pezullojë ligjin e “Dosjeve”. Qëndrimi i Bosch vjen pikërisht dy ditë përpara se Kuvendi të votojë për Autoritetin e Kontrollit të Figurave. “Prezenca e OSBE në Shqipëri nënvizon gjithashtu edhe nevojën e dialogut gjithëpërfshirës. Kryetarja e radhës së OSBE-së, gjatë vizitës së fundit në Shqipëri, i tha Kryeministrit Berisha se një grup ekspertësh mes të cilëve një prej Këshillit të Evropës, OSBE-së dhe Presidencës çeke do të mbërrijnë në Shqipëri. Ato do të vijnë që të diskutojnë mbi problemet që ka ky ligj. Bakojanis i tha Berishës se çdo ligj duhet të diskutohet me të gjitha grupet e interesit dhe të mos çohet me nxitim në Parlament”, deklaroi Bosch. Gjithashtu, ai shprehu shqetësim edhe në lidhje me ligjin për fondet e shoqërisë civile, aty do të përfshihen edhe komentet e ODIHR. Dy ditë më parë reporterët e Këshillit të Evropës përpara largimit nga Shqipëria deklaruan, se do të kërkojnë marrjen e mendimit nga Komisioni i Venecias për ligjin e miratuar vetëm me votat e maxhorancës në Kuvendin shqiptar.

Ligji i Dosjeve, BE kundër Qeverisë

Aristir Lumezi

Bashkimi evropian reagoi dje ndaj ligjit të Lustracionit dhe i kërkoi qeverisë të mbrojë pavarësinë e gjyqësorit. Presidenca çeke e Bashkimit Evropian pas raporterëve të Këshillit të Evropës u shpreh dje jashtë “petkut” diplomatik, duke u pozicionuar qartë kundër ligjit të Lustracionit. “BE i kërkon qeverisë shqiptare të mbrojë, sigurisht edhe në procesin e Lustracionit, pavarësinë e institucioneve kushtetuese, veçanërisht Gjykatën Kushtetuese, Gjykatat dhe Prokurorinë. BE rekomandon që ligji duhet të pajtohet me kërkesat kushtetuese dhe standardet ndërkombëtare. Në këtë kontekst, BE konsideron se Gjykata Kushtetuese duhet të jetë e aftë të vendosë mbi kushtetutshmërinë e ligjit, përpara se ai të zbatohet. BE thekson gjithashtu rëndësinë e sigurimit të një dialogu gjithëpërfshirës politik”, shprehet Brukseli në deklaratën e tij. Bashkimi Evropian reagon sërish për ligjin e Lustracionit, duke deklaruar qartë se Gjykata Kushtetuese duhet të marrë një vendim para se ligji të zbatohet. Deklarata është bërë pas një mbledhje të komitetit për Ballkanin Perëndimor në Bruksel, ku BE-ja rekomandon se ligji duhet të jetë në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe standardet ndërkombëtare. “Bashkimi Evropian kujton, ashtu siç është theksuar edhe gjatë bisedimeve të fundit me qeverinë shqiptare, se Ligji i ri i Lustracionit ngre shqetësime në lidhje me aspekte të caktuara si në procedurë, edhe në substancë. Përpara se të miratohej ligji do të ishte e përshtatshme që të bëheshin konsultime më të gjera dhe të arrihej konsensus. Për këtë arsye, BE inkurajon qeverinë e Shqipërisë që të rimarrë në konsideratë shtrirjen legale dhe politike të ligjit të Lustracionit”, thuhet në deklaratën e Brukselit. Në këtë kontekst, Bashkimi Evropian konsideron se Gjykata Kushtetuese duhet të jetë në gjendje të marrë vendim lidhur me kushtetutshmërinë e ligjit para se ai të zbatohet. Gjithashtu BE në deklaratën e saj shprehet se ekspertët e Këshillit të Evropës, OSBE e BE janë të gatshëm që të japin këshillim dhe ndihmë për autoritetet shqiptare, me qëllim që të gjenden rrugët ose mënyrat që të realizohet një objektiv legjitim, siç është ai i trajtimit të së kaluarës në përputhje të plotë me standardet përkatëse. Sipas Bashkimit Evropian, ligji aktual për lustracionin ngre shqetësim lidhur me disa aspekte, qoftë të procedurës apo dhe të përmbajtjes. BE thekson se konsultime më të gjëra dhe konsensusi do të kishin qenë më të përshtatshme përpara se ligji të kalonte, për këtë arsye BE inkurajon qeverinë e Shqipërisë që të rikonsiderojë efektet ligjore dhe politike të ligjit të lustracionit. Duke theksuar se do të ndjekë nga afër zhvillimet në Shqipëri, BE-ja thekson rëndësinë e shtetit ligjor dhe pavarësisë së gjyqësorit si pjesë e kritereve politike për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Vetëm dy ditë më parë, ambasadori britanik gjatë një leksioni me studentë dhe pedagogë në Universitetin e Shkodrës, e cilësoi zbatimin e këtij ligji, sipas të cilit bie ndesh me kushtetutën, se do të krijojë probleme me anëtarësimin e vendit në BE. “Pasojat e kësaj çështje për integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë në BE janë shqetësuese, kur qeveria ka shpallur synimin e saj për të aplikuar për statusin e vendit kandidat. Mbetet për t’u parë nëse zbatimi i ligjit do pezullohet deri sa Gjykata Kushtetuese të shprehet për ligjin”, tha ambasadori britanik në Tiranë Fraser Willson.

Kontestimet e BE-së

Qeveria të mbrojë pavarësinë e institucioneve kushtetuese, Gjykatën Kushtetues, Gjyqësorin dhe Prokurorinë

BE rekomandon se ligji duhet të pajtohet me kërkesat kushtetuese dhe standardet ndërkombëtare

BE konsideron se Gjykata Kushtetuese duhet të jetë e aftë të vendosë mbi kushtetutshmërinë e ligjit përpara se ai të zbatohet

BE përsërit se Këshilli i Evropës, OSBE-ja dhe ekspertët e BE-së janë të gatshëm për këshilla dhe asistencë për autoritetet shqiptare

BE do të vazhdojë të ndjekë zhvillimet nga afër.

Dade: Konceptet e Topallit, si të regjimeve autoritariste

E menjëhershme ka qenë reagimi i Partisë Socialiste, pas deklaratës së Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe letrës që Kuvendi i dërgoi Gjykatës Kushtetuese. Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë, Arta Dade e cilësoi Kryetaren e Kuvendit si arkaike dhe autoritariste në deklaratat e saj. “Është për të ardhur keq, që Kryetarja e Parlamentit, si Nënkryetare e PD, shprehu koncepte izolacioniste dhe arkaike, që do t’i shkonin për shtat vetëm regjimeve autoritariste. Është për të ardhur keq që këto shurdhëri, në mënyrë të përsëritur mbajnë peng procesin integrues të Shqipërisë në bashkësinë evropiane. Ne sigurisht nuk mund të lejojmë që interesat madhore të integrimit të vendit të dominohen nga interesa të ngushta vetjake të Sali Berishës dhe oborrit të tij. Ne nuk mund të lejojmë që interesat madhore të vendit të mbahen peng nga Sali Berisha dhe instrumentet e verbër të tij”, tha Dade. Partia Socialiste i kërkoi dje Kryetares së Parlamentit dhe qeverisë të dëgjojnë sugjerimet dhe vërejtjet e vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar. “Është për të ardhur keq, që ndaj këtyre sugjerimeve të partnerëve tanë euroatlantikë, që në vazhdimësi na kanë asistuar, që Shqipëria të konsolidojë demokracinë dhe të bëhet pjesë e këtyre organizmave, shurdhëria e kësaj maxhorance është manifestuar në mënyrë të përsëritur edhe sot nga znj. Topalli. Ky qëndrim bie ndesh me vullnetin e të gjithë popullit shqiptar për t’u integruar në këtë organizma”, tha Dade. Sipas saj, “në mënyrë të përsëritur mesazhet e fuqishme që kanë ardhur edhe përtej organizmave evropianë, si SHBA, përmes ambasadorit të tyre, përsëri këtë javë, kanë përsëritur qëndrimin”. “Ne i bëjmë thirrje kësaj maxhorance të tërhiqet pas në verbërinë e saj politike, duke shkelur të gjitha normat e një shoqërie demokratike. Kjo maxhorancë po rrezikon, jo vetëm integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë, por edhe izolimin nga organizmat euroatlantik”, tha Dade.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›