Stakohen linjat, black-aut për disa minuta
Një avari në linjën e interkonjeksionit me Kosovën, është bërë shkak që i gjithë vendi të mos ketë energji elektrike për disa minuta me radhë. Konkretisht, dje në orën 09:15 minuta u stakua linja e interkonjeksionit Fierzë-Prizren, si pasojë e mbingarkesës në rrjet. Menjeherë pas kësaj u stakua edhe autotransformatori 400 kv i Elbasanit, si rrjedhojë, sistemi shqiptar shkëputet nga sistemi grek. Për pasojë i gjithë vendi ishte pa energji elektrike. Ndërkohë, përveç këtij problemi, në linjën e interkonjeksionit me Kosovën, dy ditë më parë si pasojë e një avarie ishte jashtë pune linja 220 kv Burrel-Elbasan dhe një autotransformator në nënstacionin 400 kv të Elbasanit, për të cilët po punohet. Drejtues të OST-së u shprehën se si rezultat i prishjes së balancës së fuqisë, stakohen agregatët në Hidrocentralin e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës. Për pasojë, ndodhi rrëzimi i plotë i sistemit tonë energjetik. Ose e thënë ndryshe, i gjithë vendi ishte në black-aut energjetik. Pas kësaj, specialistët e OST-së bënë të mundur që energjia elektrike të rikthehej brenda 30 minutave në disa zona të Tiranës dhe vetëm pas 15 minutave të tjera, i gjithë qyteti i Tiranës dhe një pjesë e vendit u furnizua me energji elektrike. Ndërkohë që rikthimi i energjisë elektrike në të gjithë vendin u bë i mundur pas 90 minutash.