Beja vendos: Diplomat nuk ndryshojnë
zirina llambro
“Asnjë ndryshim në formatin e diplomave të reja, sipas sistemit të Bolonjës”. Këtë deklaratë bëri dje gjatë një konference për shtyp, Ministri i Arsimit dhe i Shkencës Fatos Beja. Pas protestave të njëpasnjëshme të studentëve, kësaj here reagimi ka qenë i drejtpërdrejtë. “Edhe diplomat e vendeve të tjera nuk kanë tituj, ato përmbajnë vetëm fushën e studimit. Simbolet janë brenda këtyre standardeve. Ndërsa sa i përket vendeve të punës, për studentët që sapo kanë mbaruar nuk do të ketë më planifikim nga qeveria. Shqipëria është e vendosur të ecë në rrugën e procesit të Bolonjës, ne e kemi reformuar sistemin arsimor në përputhje me këtë proces”, tha Beja. Por, sipas tij, diplomës do t’i shtohet një suplement, i cili do të qartësojë më tej njohuritë që ka marrë studenti gjatë tre viteve të shkollimit. “Suplementi do t’u shpërndahet Universiteteve, duke filluar nga e hëna, e do të ndihmojë studentët në tregun e punës”, u shpreh ministri. Ai sqaroi se i është ndryshuar edhe një pikë udhëzimit mbi formulimin e diplomës, duke ja lënë këtë kompetencë senatit akademik, ashtu siç e ka parashikuar dhe ligji. Kjo ka qenë një nga kundërshtitë e studentëve gjatë protestave të tyre.
Matura
Këtë vit nga sa u shpreh Beja, për maturantët do të ketë më shumë transparencë dhe mundësi zgjedhjeje për në universitetet publike. Ai nënvizoi se risi pozitive do të jetë e drejta e rivlerësimit të testeve të provimeve, rezultati i të cilave kundërshtohet prej maturantëve. Ndërkaq, një lajm i mirë vjen për kandidatët që do të aplikojnë për t’u pranuar në Akademinë e Arteve dhe Edukimit Fizik. Për herë të parë për ta hiqen provimet me zgjedhje. “Të gjithë studentët që synojnë të regjistrohen në Akademinë e Arteve apo në Akademinë e Edukimit Fizik, në qoftë se nuk aspirojnë të futen në degë të tjera, do të pranohen vetëm nëpërmjet provimeve të detyruara, duke mos i kryer provimet me zgjedhje. Ata do të fitojnë me konkurs pranimin në këtë shkollë të lartë”, theksoi Beja. Duke u ndalur në reformën e Altertekstit, ministri theksoi se do të ngrihet një grup i posaçëm, për të korrigjuar të gjitha gabimet që ekzistojnë në tekstet shkollore. Pos kësaj, për herë të parë në duart e nxënësve do të ketë dhe tekste nga shtete evropiane, që do të përshtaten në shqip. Kryesisht në këtë proces do të futen tekstet që i përkasin profilit natyror. Ministri Beja nuk i kurseu edhe akuzat ndaj opozitës. Sipas tij, ajo po përdor politikisht një pjesë të stafit akademik, apo studentët. Ai nënvizoi gjithashtu se politika e qeverisë për arsimin, është të rrisë numrin e të diplomuarve, në mënyrë që të arrijmë si vendet evropiane. Konferenca e djeshme e Ministrit të Arsimit vjen në një periudhë konflikti masiv me studentët, të cilët kanë protestuar për një muaj me radhë. Ata kanë kundërshtuar fort formatin e ri të diplomës, duke e cilësuar të cunguar. Këtij pretendimi i është bashkangjitur edhe një pjesë e stafit akademik. Ndërkaq gjatë gjithë kësaj periudhe, akuzat nga opozita për probleme madhore në arsim kanë qenë të përditshme.
Diplomat sipas Bolonjës
Diploma e Nivelit të Parë (DNP) jepet në përfundim të ciklit 3 vjeçar të studimeve, sipas sistemit të Bolonjës. Për t’u pajisur me të, studenti duhet të grumbullojë 180 kredite. Diploma e Nivelit të Dytë lëshohet pas përfundimit të studimeve 2-vjeçare në përmbushje të ciklit 3+2 me Bolonjën. Studenti mund të zgjedhë një degë të përafërt me 2/3 e lëndëve. Për t’u pajisur me këtë diplomë duhet të grumbullohen 120 kredite. Kriteri kryesor në nisjen e ciklit të dytë të studimeve është zotërimi i një diplome të nivelit të parë. Gjithashtu kritere të tjera të rekomanduara janë nota e lartë mesatare e kandidatëve, njohja e mirë e gjuhës angleze ose e një gjuhe tjetër ndërkombëtare, njohuri themelore në përdorim
kompjuteri, motivet profesionale, akademike dhe sociale të kandidatëve për ndjekjen e studimeve të ciklit të dytë.