Të jesh grua është më shumë se…
Nga Violeta Sinoimeri
Në këto vite të tranzicionit, në gjithë spektrin e politikës, është vënë re një far shkarjeje, devijim nga ajo që thuhej e premtohej në programet dhe platformat politike para zgjedhore, për gjithëpërfshirjen e gruas në jetën e vendit. Gruaja si subjekt politik – shoqëror, konstatohej me keqardhje që mbetej larg asaj që preknim, arrinim e realizonim në praktikën konkrete të zbatimit të politikëbërjes dhe drejtimin e pushtetit ekzekutiv e administrativ. E ndjejmë dhe e shohim vetë, na i vënë në dukje të tjerët, (institucione ndërkombëtare, shumë organizma të huaja dhe subjekte joqeveritare) këtë realitet të hidhur dhe pa sens. Kjo dukuri kontradiktore, midis asaj që ne pretendojmë dhe realitetit të pjesëmarrjes së gruas në jetën politike dhe atë shoqërore të vendit, është paradox.
Parë nga ky pikëvështrim, është fakt që shoqëria shqiptare nuk ka traditë në këtë aspekt të jetës.
Shoqëria jonë njihet si një formacion politiko - shoqëror me të kaluar pothuaj patriarkale, me problematikën e saj në proceset e vështira të shtetformimit. Në këtë kuadër edhe roli i gruas ka kaluar nëpërmjet shumë amplitudave impresionuese, herë është dukur e ka dominuar dhe herë është sfumuar e zhdukur thuajse fare.
U desh pothuaj një shekull histori, shumë mund e përpjekje, për të ardhur në vitet ’90-të, vite që tashmë vulosën nisjen e një epoke të re në shoqërinë shqiptare, atë të përmbysjes së diktaturës më të egër në Europë.
Ishin pikërisht këto vite, që shënuan nisjen e një rruge të shumëpritur dhe dëshiruar.
Ne gratë dhe vajzat e kemi ëndërruar nëpër vite, dekada e shekuj këtë realitet, që gati na dukej utopik. Ne, më shumë se kushdo, e kishim bërë Europën, pjesë të ëndrrave tona, që përfshiheshin në subkoshiencën tonë, me shpresën se jeta jonë në demokraci do të merrte dimensione të tjera, kuptimin dhe lirinë e vërtetë. Vajzat, gratë dhe nënat kontribuuan dhe e përjetuan me gjithë forcën e shpirtit ardhjen e Demokracisë. Dhe natyrisht që kishim një arsye më shumë, ishim pjesa që e vuante më dukshëm mungesën e lirisë në një shoqëri komuniste, patriarkale, me nivel të ulët të emancipimit shoqëror e në mënyrë të veçantë të diskriminimit, si një qenie e dorës së fundit, duke e reduktuar misionin e saj vetëm në atë të riprodhimit të jetës. Nuk dua të mohoj gjithçka, luftën dhe përpjekjet titanike që gruaja ka bërë dhe vazhdon të bëjë, për të fituar një pozicion të merituar në shoqëri.
Por tani ajo që ne kërkonim nëpër kohëra e shekuj, ka filluar të përvijohet. Janë bërë hapa të mëdhenj përpara, po materializohen modele dhe praktika të përfshirjes së gruas në jetën e vendit.
Në këto 18 vite të proceseve demokratike Shqipëria dhe mbarë shoqëria jonë, ka bërë dhe bën përpjekje për tu radhitur me simotrat e saj europiane.
Në këtë kontekst gratë e shohin më drejt progresin. Natyrshëm dhe biologjikisht femrat kanë aftësinë për ta pranuar dhe suportuar atë, pa komplekse, pa xhelozi dhe mëri ndaj vetes, forcave politike, a formacionit shoqëror kushdo qoftë ai, mjafton që rezultantja e gjithë kontributeve të tyre në këto vite të shtetbërjes, të jetë në kahun e drejtë të zhvillimit europian.
Gratë, në mënyrë të veçantë ato që kontribuojnë aktivisht në politikëbërje, ose edhe në jetën e vendit, sipas përparësive dhe interesave të tyre, janë një element gjenerues i mirëkuptimit dhe bashkëpunimit të një politikëbërjeje më të drejtë dhe efektive. Toleranca e tyre, egzigjenca në përmbushjen e detyrës, ndjeshmëria dhe niveli më i lartë i luftës së tyre ndaj fenomeneve negative, janë tipare që na bëjnë të gjithëve të jemi më të vëmendshëm në përkrahjen dhe mbështetjen e tyre, me qëllim që ato të marrin të gjithë peshën realisht, së bashku me përgjegjësinë që historia dhe vendi ua kërkon.
Nga shumë deklarata, definicione, portretizime dhe vlerësime për gruan, më mbetet në mendje një thënie e një gjeniu të letërsisë botërore; ai thoshte, shkruante dhe e përjetonte kështu raportin e shoqërisë me gruan: ” një shoqëri është e zhvillua , nëse shkalla e emancipimit të gruas dhe pjesëmarrja e saj në jetën e vendit, peshon po aq sa edhe ajo e burrave”…
Në cilësinë e përkatësisë sime gjinore, në këtë kontekst, rihedh retorikisht pyetjen që unë dhe shumëkush nga ju e bën me veten e vet: a është sot gruaja, pas kaq viteve demokraci, në atë nivel që ne pretendojmë për instalimin e standardeve?
Edhe pse në programet e partive në gjithë spektrin politik, ka pika e vëmendje për një përfshirje më të gjerë të gruas, në shumë aspekte realiteti i barazisë gjinore, është ende shumë larg. Ende përqindja e pjesëmarrjes së vajzave dhe grave në jetën e vendit është larg asaj që kërkohet dhe “projektuar” në programe e deklamime të ndryshme. Ende shoqëria shqiptare, vuan nga sindroma të së kaluarës, të një shoqërie maskiliste. Për këtë arsye kërkohet që vajzat dhe gratë të risin më fort luftën, pjesëmarrjen aktive.
Në këtë rrafsh të problemit, është evidente përpjekja e Partisë Socialiste në të gjithë piramidën e saj dhe të vet Kryetarit Rama, për një filozofi tjetër përfshirëse, me qëllim dhënien e një imazhi tjetër punës së strukturave të partisë, në funksion të gjithë angazhimit të vajzave dhe grave. Gjatë gjithë këtij viti e në mënyrë të veçantë në bashkëbisedimet e realizuara në pikëkontaktet “Dialog me Shqipërinë”, kryetari i PS-së, shpalosi ambiciet dhe synimet që socialistet shqiptare duhet të arrijnë për tu bërë forcë udhëheqëse, pjesë e progresit.
Përvoja e fituar, kontakte na dhanë një filozofi dhe model krejt tjetër, për t’u përgatitur për betejat e ardhshme politike. Ato evidentuan nevojën e forcimit të gruas si pjesë e gjallë dhe e fuqishme në realizimin e fitores politike. Këto definicione hapin ide, shpalosin angazhime ndaj të gjitha atyre grave të Shqipërisë që kërkojnë dhe duan të mbështesin progresin, e në mënyrë të veçantë që kanë kapacitetin real për t’u bërë promotore të sfidave të socialistëve të shekullit të ri.
Është koha që në strukturat e gruas të ndërtohen forma pune, ku gruaja të gjejë veten, të angazhohet fort në proceset evolutive integruese të jetës, për t’u bërë dhe ndjerë e barabartë mes saj dhe shoqërisë.
Ndoshta ne kemi shumë nevojë, për suporte dhe mbështetje financiare, ekonomike, për përkrahje në sigurimin e një infrastrukture që do të na jepte mundësi më të mëdha, për një ” klub të gruas” që të mund të mblidhemi dhe t’i shndërrojmë këto qendra në tryezat tona të natyrshme të debateve, ideve, konsultave, etj.
Potencialet e mëdha që gruaja mbart si pjesë e shoqërisë, duhen mirëmenaxhuar në radhë të parë nga vetë strukturat e zgjedhura nga vetë ne. Brenda forcës tonë, sot e në mënyrë të veçantë tani pas riorganizimeve që kanë shoqëruar jo vetëm Partine Socialiste, por edhe gruan, ndjehet një frymë tjetër, më e qartë dhe konkrete në objektivat tona.
Falë përkushtimit dhe seriozitetit të shumë grave të zgjedhura rishtas, larg preferencave dhe interesave të ngushta të grupeve të vogla, është bërë e mundur, sjellja e prurjeve të reja e cilësore në drejtimin e forumeve të grave. Është kjo një risi pozitive, të cilën në vetë e ndërtuam, duke shfrytëzuar në mënyrë racionale eksperiencën e deritashme, duke e gërshetuar me frymën e re konstruktive që dominon sot në radhët tona.
Sot shtrohet detyra dhe nevoja e një formati të ri. Nuk duhet të presim që partitë të dhurojnë përqindje në përfshirjet e grupimeve politikbërëse, apo qeveribërëse, në nivele qendrore a lokale qofshin ato. Tendencat që spontanisht shfaqen hera - herës nga grupimet politike të gjithë spektrit gjatë fushatave, apo programeve politike, duke limituar në kaq për qind apo aq për qind pjesëmarrjen në jetën e vendit, mendoj se janë ende rudimente të një mentaliteti që buron nga riti i “dhuratave”.
Në radhët tona ka sot me qindra dhe mijëra vajza dhe gra të shkolluara dhe të arsimuara, ka potenciale te mëdha njerëzore e me koficent të larte intelektual, qe me te drejte konstatohet se janë jashtë vëmendjes së politikes dhe ne shume raste për fat te keq edhe tregjeve te punës dhe shkencës. Është kjo një detyre parësore e jona qe ti evidentojmë dhe promovojmë këto vlera, që nuk janë vetëm të gruas, por të shoqërisë. Kësaj dukurie duhet dhëne fund, edhe me kontributin tone me qëllimin qe, Partia Socialiste te jete forca e pare qe do ta “arkivonte” këtë praktike qe i përket modeleve dhe politikave tashme te vjetra e “burrërore”, të tejkaluara prej saj sot. Ne besojmë se janë të gjitha mundësitë, që gruaja si pjesë aktive e shoqërisë në përgjithësi, nen ndikimin e gruas socialiste ne veçanti si formacioni me progresist ne vend, do te dije ta lexoje drejt këtë mesazh solidariteti, në të mirë të vendit dhe afirmimit të vlerave të saj. Është konsumuar po thuaj i gjithë mandati zgjedhor i kësaj maxhorance te brejtur prej qeverisjes se korruptuar, qeverisje qe u shoqërua ciklikisht nga skandale dhe super skandale. Qeveria e “shërbesave” realisht me atë që na ofroi e na dha në këtë qeverisje, e meritoi më së miri emrin që u vetpagëzua. Mandati “shërbesëdhënës” që na shoqëroi gjatë këtyre viteve, tashme ka skaduar. Nuk kam ne mendje të bëj thirrje se fushata politike ka filluar dhe as se partitë po përgatitin programet e reja elektorale, sikurse edhe individë me ambicie të reja po përgatisin platformat e betejave të ardhshme elektorale, por dua të ndez tek ju vajza, gra dhe nena një frymë të re, për t’u përgatitur edhe ne më seriozisht në këtë beteje, që kalendari politik e ka shënjuar në 2009. Është në detyrimin tonë që të rrisim fuqinë e motorëve tanë, me qëllim ridimensionimin e lëvizjes tonë, për t’u bërë kështu realisht faktorë dhe aktorë në gjithë këtë proces zgjedhor që po afron.
Gruaja sot e inkuadruar në formacionin e ri politik të PS-së, ka një motiv më shumë për të qenë determinantë në skenën politike dhe shoqërore, motiv i cili është i munguar përgjatë gjithë këtij tranzicioni. Duke u ndërgjegjësuar për këtë motiv, ne në të vërtetë fitojmë arsyen dhe guxim real për të qenë grua aktive, pjesë e qeverisjes së shoqërisë dhe vendit, për të mos u mjaftuar vetëm me komplimenti.
3 Tetor 2008