Krimet e Rënda: Gjyqi i Dajtit, në rrezik dështimi

Dritan Dajti në gjyq
Procesi për vrasjen e 4 policëve në Durrës ka mbetur në vendnumëro.
Mungesat e avokatëve fusin në “ngërç” procesin në ngarkim të Dritan Dajtit në Gjykatën për Krimet e Rënda. Ky institucion dha alarmin dje për rrezikun që i kanoset procesit gjyqësor në fjalë. Prej disa seancash gjykimi për të akuzuarin për vrasjen e katër policëve në vitin 2009 në Durrës dhe dy të bashkëpandehurve të tij, Ergest Xhoxhi dhe Mariglen Muça, ka ngelur në vendnumëro. Sipas gjykatës, avokatët jo vetëm nuk janë paraqitur, por as e kanë vënë në dijeni trupën gjykuese për arsyet e mungesës së tyre, çka po e zvarrit këtë proces gjyqësor. Me një reagim për mediat, Gjykata për Krimet e Rënda bëri të ditur dje se këtë shqetësim ia kishte përcjellë zyrtarisht Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, ku ka kërkuar edhe marrjen e masave disiplinore për avokatët përgjegjës. “Seanca e fundit gjyqësore, datë 20 shkurt 2012, nuk u zhvillua për shkak të mosparaqitjes së mbrojtëses së caktuar kryesisht avokates Nevila Pushi për të pandehurin Ergest Xhoxhi dhe për të pandehurin Dritan Dajti, si dhe për shkak të mosparaqitjes së mbrojtësit të zgjedhur, avokat Agron Lamaj, që mbron të pandehurin Mariglen Muçaj”, thuhej në reagimim e gjykatës, ku sqarohej se Xhoxhi dhe Muçi nuk ishin prezentë vetë në atë seancë. Sipas togave të zeza të Krimeve, këta mbrojtës janë bërë shkak për shtyrjen e gjykimit edhe në seancat e mëparshme. Në vijim, gjykata bënte të ditur se ia ka referuar sjelljen e këtyre mbrojtësve Dhomës së Avokatisë Tiranë, Dhomës Kombëtare të Avokatisë Tiranë (Komisionit të Verifikimit të Ankimit) dhe Ministrisë së Drejtësisë Tiranë (Dhomës së Profesioneve të Lira), si dhe për dijeni ministrit të Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë për të marrë masat e nevojshme disiplinore ndaj avokatëve dhe për t’i kthyer përgjigje Gjykatës për shqetësimin e vazhdueshëm që ka pasur e ka me avokatët e kësaj çështjeje. “Ju bëjmë me dije se seancat gjyqësore janë shtyrë në mënyrë të përsëritur për shkak të mosparaqitjes së mbrojtësve të këtij gjykimi, fakt për të cilin Gjykata u është drejtuar në mënyrë periodike, sipas rastit, për çdo seancë gjyqësore, institucioneve të lartpërmendura, për marrjen e masave disiplinore për avokatët përgjegjës. Pavarësisht se Gjykata ka si qëllim në çdo rast shpejtësinë e gjykimit të çështjeve, çështja penale në ngarkim të të pandehurve Dritan Dajti, Ergest Xhoxhi dhe Mariglen Muçaj nuk po zhvillohet për shkakun e mungesës së mbrojtësve”, përmbyllej reagimi i gjykatës.
ARMAND BAJRAMI