E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ref.Zgjedhore, Rama: Berisha kundër masave antimanipulim

TIRANE - Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama iu përgjigj deklaratës së kryeministrit Berisha në Kuvend, në lidhje me reformën zgjedhore. Duke nënvizuar shqetësimin e opozitës për zvarritjen e reformës zgjedhore përtej afatit të përcaktuar, kryesocialisti theksoi se mazhoranca nuk ka pranuar asnjë nga pikat e domosdoshme kyçe për një reformë të plotë e të drejtë zgjedhore.

“Dy vjet rresht kryeministri ka përsëritur me dhjetëra herë për opinionin publik vendas dhe atë ndërkombëtar se është gati të pranojë çdo propozim të opozitës për Refomën Zgjedhore. Sot, kur për pak ditë skadon afati i kryerjes së kësaj reforme, Sali Berisha nuk ka pranuar ende asnjë nga rekomandimet kyçe të ODHIR-it e jo më propozimin e opozitës për përmirësimin e vetë sistemit zgjedhor. Për të cilin media shqiptare mund të gjejë plot raste kur ai ka thënë shprehimisht: Do pranoj çdo ndryshim në Kodin Zgjedhor dhe çdo sistem zgjedhor që propozon opozita.”- theksoi Rama.

Sipas shefit të opozitës, “Berisha kërkon të zvarrisë reformën zgjedhore për të bërë të pamundur implementimin e masave të reja antimanipulim për shkak të mungesës së kohës nëse miratimi i këtyre masave shtyhet pafundësisht.”

“Ajo që kërkojmë sot është respektimi pikë për pikë i vendimit të parlamentit për Reformën Zgjedhore dhe futja në kod pikë për pikë e çdo rekomandimi të OSBE/ODHIR-it, ashtu sikundër hapja e një debati transparent në Komisionin e Reformës Zgjedhore edhe për përmirësimin e sistemit zgjedhor. Pala tjetër nuk është e detyruar të bëjë atë që mendojmë e propozojmë ne për përmirësimin e sistemit zgjedhor, pavarësisht se propozimi ynë lidhet me interesin e gjerë publik jo me interesin e ngushtë të Partisë Socialiste. Por padyshim është e detyruar të votojë bashkë me ne pa humbur kohë reformën, mbi të gjitha pikat detyruese të listës së gjatë të rekomandimeve të OSBE/ODHIR-it.”- u shpreh kryesocialisti.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›