Krimet e Rënda dënojnë grupin e akuzuar për trafik klandestinësh
Tiranë - Gjykata e Krimeve të Rënda i cilësoi fajtorë të pandehurit që akuzoheshin për trafik klandestinësh. Kolegji penal gjykoi dje që mbi të pandehurit të mos jepeshin vetëm dënim me burg, por edhe me gjobë. Sipas akuzës, të pandehurit kanë kryer trafik klandestinësh nga Shqipëria drejt Italisë në rrugë tokësore, duke bashkëpunuar me persona që vepronin në disa vende ballkanike në veri të Shqipërisë. Episodi më i rëndë i trafikimit për të cilin akuzohet grupi prej 11 personash është ai i 10 janarit 2008, kur drejtuesit e gomoneve që po niseshin për në Itali kuptuan se ishin zbuluar nga policia dhe për të shpëtuar, hodhën në det të hapur 44 klandestinë, nga të cilët 35 u shpëtuan falë ndërhyrjes së mjeteve të Policisë shqiptare. Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjykatë dosjen me 11 persona të akuzuar, se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë trafikuar klandestinë nga Shqipëria në Itali, në rrugë detare dhe tokësore. Sipas hetimeve, grupi drejtohej nga të dyshuarit Ardian Corri dhe Gëzim Tafaj, të cilët fillimisht trafikonin klandestinë drejt Italisë në rrugë tokësore nga Mali i Zi dhe Sllovenia, për në qytetin italian të Udines. Por, pas zbulimit dhe goditjes së kësaj linje nga Policia italiane, grupi kriminal akuzohet nga prokuroria se ka ndryshuar linjën e trafikut, duke u përqendruar në rrugët detare. Krerët e grupit kanë bashkëpunuar me 9 persona, të cilët gjetën 44 klandestinë, i grumbulluan ata te "Zogu i Zi" në Tiranë e më pas, me makinat e tyre i transportuan drejt plazhit të Patokut, ku ishte organizuar të bëhej nisja e skafeve, mbrëmjen e vonë të 10 janarit 2008. Hetimet zbuluan se çdo person që donte të shkonte në Itali me gomonet e siguruara nga grupi kriminal ka paguar 390 euro. Të pandehurit e këtij procesi janë: Ardian Corri, Gëzim Tafaj, Rexhep Cuku, Aleksandër Malaj, Dilaver Hajdini, Altin Gjeloshaj, Ardian Marku, Lek Frroku, Ndrek Preçi dhe Pjetër Tusha.
Vendimet që janë dhënë për të pandehurit
Ardian Corri, 4.8 vjet burg e 4 milionë lekë gjobë
Gëzim Tafaj, 4.8 vjet burg e 4 milionë lekë gjobë
Rexhep Cuku, 2 vjet burg
Aleksandër Malaj, 3.4 vjet burg e 4 milionë lekë gjobë
Dilaver Hajdini, 4 vjet burg e 4 milionë lekë gjobë
Altin Gjeloshaj, 3.4 vjet burg e 4 milionë lekë gjobë
Ardian Marku, 3.8 vjet burg e 4 milionë lekë gjobë
Lek Frroku, 3.4 vjet burg e 4 milionë lekë gjobë
Ndrek Preçi, 2 vjet burg
28 Janar 2009