E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po, ne vërtet që pak e kemi



LUFTIM AHMETAJ*

Duke shkuar në protestën e radhës të minatorëve, organizuar nga “Janar 91” (sindikata e vetme në Shqipëri që lufton realisht për të drejtat e minatorëve), rrugës për atje takoj një individ, një ish-kryetar të Shoqatës së Enverit të vitit 1991 diku andej nga Jugu i Shqipërisë, i cili, mjaft mirë i veshur dhe i kollarisur, më thotë: - “Luftim, ku po shkon?” E shikoj të shëndetshëm, kuq nga fytyra dhe krenar për qenien e vet, dhe pa iu përgjigjur pyetjes i them: - Ti, ku punon? - Në administratën shtetërore demokratike, - më thotë jo pa pak ironi, - në një post mjaft të mirë, madje dhe të paguar po shumë mirë. Po ti, ku po shkon me kaq vrull? - vazhdon këmbëngulës ish-shoqatisti enverist. I them se po shkoja në një protestë të organizuar nga sindikata e minatorëve “Janar 91” para selisë së Kryeministrisë, ku kemi vendosur të lidhemi edhe me zinxhirë, mbasi akoma nuk kemi fituar statusin e minatorit, i cili të paktën na siguronte një pension të barabartë me minimumin jetik dhe për t’i treguar z. Berisha dhe të tjerëve se neve tani nuk na ka ngelur gjë tjetër por vetëm këputja e vargonjve. Më fal, - thotë, - mbasi unë nuk jam fare i angazhuar me problemet tuaja, por më habit fakti se pse akoma ju nuk keni marrë statusin tuaj të famshëm dhe që e kërkonit që në vitin 1991?! - Nuk e kemi marrë, - i thashë shkurt, - por mendoj se do ta marrim se s’bën. Duke u larguar, si pa dashje, kthen kokën dhe më thotë: -Luftim të qoftë protestë e mbarë. Mos të të vijë keq, por unë mendoj se ju pak e keni...
Vërtet vallë pak e kemi?!
Mos vallë e kemi pak për hir të faktit se me përpjekjet tona të vitit 1991 ne mundësuam shpejtimin e përmbysjes së komunizmit dhe ardhjes në pushtet të Sali Berishës dhe PD-së?
Mbase për hir të faktit se nuk ishim në gjendje të mbronim Bashkimin e Sindikatave të Pavarura nga individë të vegjël pa identitet, pa ideale dhe tradhtarë të interesave të punonjësve dhe lëvizjes sindikaliste në tërësi, siç tregoi historia e mëvonshme e degjenerimit të kësaj lëvizjeje nga sindikatë në shërbëtorë patericë pushtetesh?
Mos vallë për hir të faktit se tradhtia më e madhe iu bë minatorëve dhe shtresave të tjera më të vuajtura në Shqipëri si pjesa më revolucionare e shoqërisë dhe që ishte gjithmonë në krye të aksionit dhe në gjendje të ndryshonte situata politike?
Ndoshta se me këto shtresa u tallën dhe u shfrytëzuan nga të gjitha qeveritë e ardhura në pushtet këta 18 vjet?
Mos vallë se një grusht kontrabandistësh vërtetimesh false minatorësh sot vegjetojnë të ushqyer mirë në BSPSH, Institutin e Sigurimeve Shoqërore, dhe disa janë nga këshilluesit më në zë të mjaft ministrave aktualë?
Mos vallë na e ka fajin politika? Po sigurisht politika ka faj, na hodhi ca kocka (në fakt ishin goxha llokma) të pasurive të ish-Bashkimeve Profesionale, dhe pastaj, duke parë se udhëheqësit sindikalistë ziheshin si qentë kush të vidhte dhe të hante më shumë, ia futën në mënyrë sistematike popullit duke e lënë në një gjendje të tillë, sa që edhe me një rritje “dy shifrore” ekonomike jemi që jemi në vend të fundit dhe përsëri më të varfrit në Europë.
Po tani që e pamë se nga krerët sindikalistë u tradhtuam, nga politika nuk u mbështetëm, madje u mashtruam, pse rrimë të friguar skutave duke shpresuar se ndoshta mallëngjehet ndonjë kryeministër, të cilin e kemi votuar dhe risjellë në pushtet të na ndihmojë? Në qoftë se realisht mendojmë kështu, në qoftë se akoma nuk e kuptojmë që të drejtat tona do t’i fitojmë vetë, atëherë a nuk është e vërtetë që pak e kemi?
A mos vallë se ne jemi bërë mosbesues karshi gjithkujt që drejton (këta 18 vjet jemi gënjyer sistematikisht) dhe tani me këtë mosbesim po ia fusim vetes?
Apo mos vallë ne kështu qenkemi mbrujtur dhe vërtet pak e kemi?
Miq të mirë minatorë, por dhe ju punonjës të tjerë në institucione shtetërore dhe private, në Shqipëri sindikatës nuk i ka kaluar koha akoma, ajo na duhet ndoshta dhe shumë vjet të tjera, edhe mbasi të jemi integruar në NATO dhe BE. Ajo na duhet jo vetëm për të kërkuar të drejtat tona, ajo na duhet jo vetëm për t’i fituar këto të drejta, por ajo na duhet edhe për t’i mbrojtur këto nga çdo qeveri me mendësi punisto-komuniste siç kemi pasur fatin e keq të kemi deri sot. Sindikatat që tradhtuan interesat tuaja u prishën nga mosnjohja e mirë e vetes, nga joshja e vjedhjes së pronave dhe nga të qenit servilë karshi çdo qeverie. Këto sindikata duhet të vdesin dhe pothuajse kanë vdekur, ato janë përulur dhe gjunjëzuar se janë ushqyer me “supën e helmuar” të qeverisjes, ato janë zhytur deri në grykë në një korrupsion galopant jo vetëm me pronat e ish-Bashkimeve Profesionale, por edhe me mashtrimet apo falsifikimet e bëra në shumë fusha të jetës. Ato tashmë nuk mbrojnë dot interesat tuaja mbasi duhet të humbasin përfitimet e tyre dhe të përgjigjen për mëkatet e mëdha të kryera. Ne vetë duhet t’i hedhim poshtë në koshin e plehrave të historisë së turpshme të sindikalizmit të mbas vitit 1992, t’i kthehemi edhe një herë ideve dhe luftës sindikaliste të vitit 1991, të shtojmë radhët tona me të gjithë të interesuarit, të ripërtërijmë atë hov dhe dëshirë për fitore që kishim atëherë dhe t’i marrim vetë ato të drejta që na takojnë.
Miq minatorë! Në qoftë se nuk bëhemi grusht të gjithë, në qoftë se disa do të bëjnë tifozin duke luajtur domino, tavllë apo duke pirë raki plepi në mejhane dhe ca të tjerë të përleshen në rrugë për statusin e minatorit, jo vetëm nuk do të fitojmë ndonjë gjë, por do të vërtetojmë fjalët e shoqatistit enverist, se me të vërtet pak e kemi, madje edhe mirë të na bëhet.
--------------
* President i sindikatës “Janar 91”

13 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›