Krimet e Rënda, konfiskim milionave të Prudentinos
Tiranë- Aksionet e tre kompanive, ku është bashkaksioner djali i Albino Prudentinos, i akuzuar për lidhje me organizatën mafioze “Sacra Corona Unita”, duhet të konfiskohen, pasi prejardhja e tyre është e dyshimtë. Kërkesa është bërë nga Prokuroria për Krime të Rënda, e cila ka arritur në këtë përfundim pas një hetimi 6-mujor rreth pasurive të Angelo Prudentinos dhe ortakëve të tij shqiptarë e italianë. Bashkangjitur kërkesës, organi i akuzës ka depozituar dje në Gjykatën për Krime të Rënda edhe provat respektive, që sipas prokurorisë vërtetojnë se asetet e tri kompanive që operonin në Shqipëri, dyshohet se janë vënë në mënyrë të paligjshme. Për këtë arsye, Krimet e Rënda kërkojnë nga gjykata konfiskimin e pasurisë për tre shtetas shqiptarë dhe tre italianë, që rezultojnë bashkëortakë në kompanitë e Angelo Prudentinos. Sipas prokurorisë, gjykata duhet të konfiskojë asetet dhe aktivitetin e kompanive “Bet Plus”, “Casiono Italia” dhe “Beting System Albania”. Po ashtu, organi i akuzës thotë se duhet vendosur konfiskimi, jo vetëm i aktivitetit të këtyre kompanive, por edhe kapitaleve dhe të të gjithë të drejtave, si dhe të gjitha pasurive të luajtshme e të paluajtshme që ekzistojnë nën emrin e tyre në Shqipëri. Duke renditur pasurinë dhe asetet, që secili prej aksionerëve zotëron në tri kompanitë, prokuroria thotë se personat, të cilëve duhet t’u konfiskohet pasuria, janë Angelo Prudentino, Elvis Gjeçaj, Francesko Fornelli, Giuseppe Palma, Ventigjar Kaçi dhe Gani Baku. Për secilin nga këta persona, prokuroria gjatë hetimit ka bërë të mundur të përcaktojë numrin e aksioneve dhe kontributin në para që secili prej këtyre personave ka në kompanitë respektive. Prokuroria argumenton se në kompaninë “Bet Plus”, personi nën hetim, Angelo Prudentino zotëron 90 mijë aksione me përqindje në kapital 4500 dhe kontribut në para 90 milionë. Shoqëria “Bet Plus”, thotë prokuroria, është regjistruar në dhjetor 2008 me adresë pranë Ambasadës Amerikane, me kapital fillestar 20 milionë lekë dhe ka objekt organizimin e lojërave të fatit dhe basteve sportive. Në këtë shoqëri kanë kapital dhe aksione dy shtetasit italianë Francesko Fornelli, Giuseppe Palma dhe shtetasi shqiptar Ventigjar Kaçi. Të gjitha aksionet, por edhe kapitalet që kjo shoqëri zotëron në emër të saj, sipas prokurorisë, duhet të konfiskohen, edhe pse nga verifikimet e kryera në terren rezulton se “Bet Plus” e ka mbyllur prej kohësh aktivitetin e saj, duke lënë edhe nga ambientet që kishte marrë me qira, për të ushtruar aktivitetin e saj. Në kërkesën e saj, Prokuroria thotë se një tjetër kompani që duhet të konfiskohet është edhe “Casino Italia”, e themeluar në fillim të viti 2010, me adresë në Vlorë. Kapitali fillestar i saj është 10 milionë lekë, në një kohë që Angelo Prudentino zotëron në të 60 për qind kontribute dhe 50 për qind pjesëmarrje. Kompania në fjalë, përveç qytetit të Vlorës, kishte si vend të ushtrimit të aktivitetit të saj edhe kompleksin “Muza Park”, në periferi të kryeqytetit, ambient ky i marrë me qira nga Elvis Gjeçaj. Gjatë aksionit për sekuestrimin e mjeteve, nëpërmjet të cilave kryente aktivitetin kjo kompani, prokuroria sekuestroi vetëm pesë televizorë plasma, duke konfirmuar kështu se në këto ambiente, kompania “Casino Italia” nuk kishte asnjë aktivitet real. Paralelisht me kërkesat e mësipërme, prokuroria kërkoi nga gjykata edhe konfiskimin e kompanisë “Betting System Albania”, ku është bashkaksioner edhe biznesmeni Ervis Gjeçaj, i cili ka 10 milionë lekë kontribute në para, ndërsa nga hetimet del se italiani Giuseppe Palma, si person i lidhur me Angelo Prudentinon dhe Ervis Gjecajn, zotëron 3 mijë numrin e aksioneve dhe kontribut në para 6 milionë lekë. Në këtë shoqëri del edhe emri i një shtetasi tjetër shqiptar, Gani Baku, si person i lidhur me Angelo Prudnetinon dhe Ervis Gjecajn, i cili ka kontribut në para në shumën e 4 milionë lekëve.