E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimi i ILDKP-së, gjyqtarët 3 muaj pushime në kryeqytete e Europës

SHKRUAN: Habjon Hasani 07-04-2011 16:58

Tiranë- Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, paralajmëroi dje nëpërmjet një deklarate për shtyp se ky institucion, së shpejti do të njihet me një raport mbi shpenzimet jashtë vendit të më shumë se 150 gjyqtarëve. Ky paralajmërim i Spahiut duket se merr shkas nga një hetim i gjatë i Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive, i cili prej disa muajsh ka survejuar udhëtimet dhe kohëqëndrimin jashtë vendit të dhjetëra gjyqtarëve, duke krahasuar këto udhëtime me të ardhurat, të cilat i kanë deklaruar zyrtarisht për ILDKP-në. Kjo e fundit është ende duke punuar mbi raportin dhe duke marrë të dhëna të detajuara dhe çdo element shtesë, që jep informacion në lidhje me shpenzimet e gjyqtarëve për jashtë vendit. Nisma e hetimit të ILDKP-së duket se ka dhënë frytet e veta, pasi mësohet se gjyqtarë që kanë një rrogë thjesht prej 80 mijë lekësh në muaj, rezulton të kenë udhëtuar për jashtë shtetit në mënyrë shumë të shpeshtë. Madje disa syresh rezultojnë se brenda një viti kanë qëndruar jashtë shtetit deri dhe tre muaj. Afati i llogaritur si udhëtime jashtë shtetit nga ILDKP-ja, nuk përfshin udhëtimet e punës por ato private, pra që kryhen tërësisht nga buxheti personal i gjyqtarëve. Mësohet se udhëtimet më të shpeshta kanë qenë ato të fundjavave, të cilat përfshijnë thuajse hartën e të gjithë shteteve të Europës. Nga ana e saj, ILDKP-ja ka përllogaritur një “shifër të mesme” si kosto të këtyre udhëtimeve. Përveç çmimit të biletave, ILDKP-ja do të kryejë një përllogaritje “dysheme” të kostove të ndejtjes në këto shtete (për shembull 1 muaj qëndrim, kosto minimale 2 mijë euro). Rezultatet që do të dalin nga kjo përllogaritje e kostove të udhëtimeve do të krahasohen me deklaratat e pasurisë të këtyre gjyqtarëve. Rastet ku mospërputhjet dhe pasaktësitë në deklarim do të jenë evidente, sipas ILDKP-së, do t’i referohen Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të marrë masa. Ndërsa ILDKP-ja është ende në fazën e mbledhjes dhe përpunimit të informacionit mbi gjyqtarët që po verifikohen, ky institucion nga ana e tij ka vënë në dijeni zyrtarisht dhe ILDKP-në mbi këtë aktivitet verifikues dhe pritet që shumë shpejt, ILDKP-ja të hartojë dhe raportin e detajuar me rezultatet dhe konstatimet e dala nga ky verifikim. Dje kreu i KLD-së, Kreshnik Spahiu, premtoi se nga rezultatet e raportit do t’i propozohen KLD-së dhe masa ndëshkimore për ata gjyqtarë që rezultojnë me probleme. “Ky raport do të trajtohet në dy plane; së pari nëpërmjet bashkëpunimit me ILDPK, për të verifikuar shpenzimet që ata kryejnë dhe së dyti, nëpërmjet përfshirjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë, për të trajtuar mundësinë për të iniciuar një procedim disiplinor për ato raste, të cilat cenojnë etikën dhe disiplinën në detyrë”, - ka deklaruar Spahiu. Marrëveshja e bashkëpunimit mes ILDKP-së dhe KLD-së ka marr shkas nga informacionet e shumta që vijnë në të dyja institucionet, lidhur me dyshimet që qytetarët e ndryshëm kanë mbi pasuritë e gjyqtarëve, këto të fshehura në mënyra të ndryshme. Kjo solli nevojën që dy institucionet të koordinojnë punën, të shkëmbejnë informacion, me qëllim verifikimin e vërtetësisë së këtyre të dhënave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›