Krimet e Rënda lënë në qeli “Mesfushorin 1”
Tiranë - Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dje izolimin në paraburgim deri në përfundim të hetimit për dy nga katër personat e arrestuar pak ditë më parë në Elbasan me 4 kg drogë të llojit heroinë. Me kërkesë të Prokurorisë, kjo Gjykatë caktoi masën e sigurisë “arrest me burg" ndaj shtetasve Gjergji Gjika 29 vjeç dhe Bexhet Hidri, 40 vjeç, nga Elbasani. Dje, Gjykata do të vlerësojë masat për shtetasit Thanas Bebi 40 vjeç dhe Mikel Dima, 38 vjeç, edhe këta banues në Elbasan. Personat e lartpërmendur janë arrestuar tri ditë më parë në Elbasan në operacionin policor të koduar "Mesfushori 1", pasi po transportonin me dy makina rreth 4 kg heroinë, e cila kishte ardhur nga Maqedonia me destinacion tregun shqiptar. Çështja ndaj tyre po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Nga hetimet paraprake të kryera me metoda speciale ka rezultuar se shtetasit Mikel Dima dhe Bexhet Hidri janë ndaluar në aksin rrugor Librazhd Elbasan duke transportuar me dy automjete rreth 4 kg lëndë narkotike e dyshuar si heroinë. Dyshohet se lënda narkotike vinte nga Maqedonia me destinacion tregun shqiptar. Të dy bashkëpunëtorët e tjerë të këtij grupi, shtetasit Gjergji Gjika dhe Thanas Bebi, janë arrestuar në flagrancë në një magazinë në Elbasan. Magazina ishte kthyer në një laborator ku lënda narkotike përzihej për t’u shpërndarë në tregun vendas. Në këtë magazinë janë sekuestruar 1 kg lëndë narkotike e dyshuar kokainë, si dhe pajisje të tjera të përzierjes së lëndës narkotike.
Fqinji i anglezit rrëfen në gjykatë abuzimet me të miturit
Tiranë - Serxho Petrela ka dëshmuar dje në gjykatë se David Braun i kishte rrëfyer për abuzimet me të miturit që bëheshin në qendrën e tij. Gjatë seancës që u zhvillua dje me dyer të mbyllura, dëshmitari rezultonte të ishte fqinji i anglezit. Petrela ka rrëfyer se nëpërmjet David Braun kishte mësuar se përveç abuzimeve ndaj të miturve, në qendër kishte pasur edhe raste të abuzimeve të fëmijëve me të ritur ndaj më të vegjëlve. “Davidi më tha se në qendrën e tij kishin ndodhur gjëra të pakëndshme dhe ia kishin hedhur atij të gjithë fajin. Më tha se dy anglezë të tjerë që punonin në qendër kishin abuzuar me fëmijët në mënyrë të tepruar dhe më pas ishin larguar në drejtim të Anglisë”, - ka dëshmuar Petrela. Administratori i qendrës “Fëmijët e tij” u prangos rreth dy vite më parë, pas kontrolleve të bëra në qendër, ku u zbulua se David Braun abuzonte seksualisht me fëmijët. Dy miqtë e Braunit, Dino Kristodolu dhe Robin Arnold, të dyshuar për të njëjtat vepra penale, u arrestuan pak muaj më vonë në Londër dhe aktualisht janë ekstraduar në Shqipëri duke qenë pjesë e një procesi gjyqësor me të njëjtat akuza, por të veçuar. Mësohet se prokuroria ka një provë shumë të fortë për Robin Arnold e Dino Kristodulu. Bëhet fjalë për ekspertizat mjeko-ligjore në trupin e të miturve. David Braun u arrestua në maj të vitit 2006 dhe prej asaj dite u përball i vetëm me gjykatën për akuzat e pedofilisë dhe të marrëdhënieve seksuale me dhunë. Ndërsa procesi tjetër për të njëjtin skandal pritet të nisë pak ditë më pas.
Gjykata jep “arrest në shtëpi” për biznesmenin që vrau grabitësin
TIRANË - Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë vendosi dje masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për biznesmenin Feim Llanaj, i cili tri ditë më parë vrau një grabitës në shtëpinë e tij. Ai është konfrontuar fizikisht me dy grabitësit, të cilët ishin futur në banesën e tij për të vjedhur duke qëlluar me armë zjarri njërin prej tyre. Vjedhësi ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa shoku i tij mundi të largohej. Gjatë seancës për vlerësimin e masës së sigurisë, Feim Llanaj tregoi para trupës gjyqësore ngjarjen e rëndë të ndodhur pak ditë më parë në banesën e tij, pranë Unazës së Re, në Tiranë, ku dy persona të maskuar dhe të armatosur tentuan të vidhnin. Sipas deponimeve të tij, ai kishte dalluar grabitësit dhe në konfrontim me ta u kishte marrë armën e zjarrit, tip pistoletë, me të cilën më pas kishte qëlluar ndaj tyre. Si pasojë, mbeti i vrarë njëri nga grabitësit, ndërkohë që tjetri ka mundur të largohet nga vendi i ngjarjes. Feim Llanaj akuzohet për “vrasje në kushtet e tronditjes së rëndë psikike”, ndërkohë që grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Ina Rama – Antonio Martineli, plan ekstradimi për të kërkuarit
Tiranë - Prokurorja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, Ina Rama, priti dje në një takim pune në Tiranë drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së shtetit italian, Antonio Manganeli. Në këtë takim morën pjesë edhe prokurorë dhe pjesëtarë të tjerë të stafit të Prokurorisë së Përgjithshme. Gjatë takimit u diskutua rreth luftës së përbashkët ndaj krimit të organizuar, luftës kundër trafikut të makinave, si dhe procedimeve penale respektive të të dy vendeve. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe lokalizimit e ekstradimit të personave kriminalë të kërkuar nga shteti italian. Gjatë takimit u nënvizua fakti i klimës së mirë të bashkëpunimit që ekziston mes strukturave të përbashkëta për zgjidhjen e mjaft çështjeve. Synimi i përbashkët është bashkëpunimi dhe rezultatet sa më pozitive në të ardhmen në drejtim të luftës së përbashkët ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve.
14 Janar 2009