Krimet e Rënda “lirojnë” pronat e anëtarit të Bandës së Lushnjës
Tiranë- Gjykata për Krime të Rënda rrëzoi dje kërkesën e prokurorisë për konfiskimin e pronave të Afrim Hoxhës, i dënuar nga kjo gjykatë për një sërë krimesh të kryera në kuadër të bandës së Lushnjës. Në bazë të ligjit antimafie, organi i akuzës kërkoi të konfiskohen dhe të kalojnë në administrimin e shtetit një sërë pronash që disponon i dënuari, duke argumentuar se ato janë përfituar në mënyrë të paligjshme. Por kjo kërkesë është konsideruar si e pabazuar nga gjykata, e cila vendosi t’i kthejë Afrim Hoxhës një shtëpi banimi në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet, një sipërfaqe toke në qytetin e Lushnjës, si dhe disa automjete në pronësi të tij. Gjykatësi Klodian Kurushi, që mori në shqyrtim kërkesën e prokurorisë, vendosi masën e sekuestros për një sipërfaqe toke në qytetin e Lushnjës dhe një llogari bankare në emër të të pandehurit. Zyrtarisht, Krimet e Rënda thanë se kërkesa e akuzës është pranuar pjesërisht, duke caktuar masën e sekuestros për sipërfaqen prej 110m2 truall dhe llogarinë bankare prej 1 148 euro në emër të të pandehurit. “Gjykata vendosi të konfiskojë pasurisë me sipërfaqe totale 110m2 truall, me vendndodhje në lagjen “Skënder Libohova” – Lushnjë, e cila është regjistruar në emër të shtetasit Genci Hoxha dhe e ka blerë nga seksioni i financës së Këshillit të rrethit Lushnjë, sipas kontratës përkatëse”- thanë zyrtarisht Krimet e Rënda. Po sipas tyre, masa e konfiskimit u vendos edhe për llogarinë bankare me nr 40 70 59…, e çelur në emër të shtetasit Afrim Hoxha, në shumën e 1148.81 euro. Por për pjesën më të madhe të pronave, Gjykata për Krime të Rënda rrëzoi kërkesën e prokurorisë, duke i kthyer të pandehurit dhe familjarëve të tij gjithë pasurinë që ishte në sekuestro të përkohshme. Sipas gjykatës, bëhet me dije se është rrëzuar kërkesa për konfiskim për truallin dhe ndërtesën, me sipërfaqe totale 200m2, në lagjen “Loni Dhamo” Lushnjë, objekt ky që është në bashkëpronësi të Afrim Hoxhës dhe vëllait të tij. Po kështu, gjykata vendosi t’i kthejë të dënuarit apartamentin e banimit me sipërfaqe 132. 95m2, kati i shtatë, që ndodhet në kryqëzimin e rrugëve “Vaso Pasha” dhe “Nikolla Tupe” në Tiranë, e cila fillimisht ka qenë në pronësi të Afrim Shehut, ndërsa më pas ka ndryshuar dy herë pronësi. Gjykata ka vendosur të heqë masën e sekuestros edhe për një garazh në pronësi të të dënuarit, që ndodhet në të njëjtën adresë, si dhe për dy automjete, një kamion dhe një motoçikletë, që janë në pronësi të tij. Për zbatimin e këtij vendimi, gjykata ka caktuar dy administratorë të Agjencisë së Administrimit të Provave të Sekuestruara, të cilët do të kalojnë në favor të shtetit truallin dhe llogarinë e konfiskuar, si dhe do të lirojnë pronat e tjera, për të cilat gjykata hoqi masën e sekuestros. Afrim Hoxha është cilësuar nga Prokuroria për Krime të Rënda si një nga eksponentët kryesorë të “Bandës së Lushnjës”, që drejtohej nga Aldo Bare, por këto akuza janë rrëzuar nga Gjykata në vendimin e saj përfundimtar. Në nëntor të vitit të shkuar, Hoxha është dënuar me 18 vjet heqje lirie, për akuzën e vrasjes së Xhevat Demirit dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake.