Pengmarrja 1.8 mln euro, sekuestrohen 30 mijë euro në Tiranë
Tiranë- Pasuria e një shqiptari nën hetim për pengmarrje është konfiskuar dje nga gjykata, e cila ka vendosur që llogaria bankare e Oltjon Sadikajt të kalojë në favor të shtetit. Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Liljana Baku, në zbatim të ligjit antimafie, ka vendosur të pranojë kërkesën e Prokurorisë për konfiskimin e shumës prej 30 mijë euro të sekuestruar më parë në llogarinë bankare të shtetasit Oltjon Sadikaj, i cili akuzohet për pengmarrje në Greqi. Madje, kanë qenë autoritetet greke ato që sinjalizuan homologët shqiptarë se Sadikaj, së bashku me pesë shqiptarë të tjerë, kanë rrëmbyer dhe mbajtur peng në këmbim të parave një të moshuar greke. Ngjarja për të cilën akuzohet në vendin fqinj Oltion Sadikaj ka ndodhur më 9 qershor 2009, kur i akuzuari së bashku me shokun e tij kanë rrëmbyer në hyrje të banesës së saj 74-vjeçaren Evanthia Farnkogjeorgji. Në rrëmbim kanë marrë pjesë edhe katër shqiptarë të tjerë, të cilët kanë detyruar bashkëshortin e gruas së moshuar të paguajë shumën prej 1.8 milionë eurosh në këmbim të lirimit të 74-vjeçares. Sipas hetimeve të kryera nga prokuroria greke, rezulton se ka qenë bashkëshorti i të rrëmbyerës, 76-vjeçari Anastasi Theodhoridhi, i cili u ka paguar rrëmbyesve shumën prej 1.8 milionë euro më datën 26 qershor të vitit 2009, pra 17 ditë pas rrëmbimit të gruas së moshuar. Hetimet gjithashtu kanë treguar se menjëherë sapo kanë marrë paratë, dy shqiptarët janë rikthyer menjëherë në Shqipëri, ku kanë blerë shtëpi banimi dhe kanë hapur llogari bankare me shuma të konsiderueshme. Fillimisht është sekuestruar shuma prej 30 mijë eurosh në llogarinë bankare të shtetasit Oltjon Sadiku, ndërsa bashkëpunëtorit të tij i është sekuestruar një shumë prej 200 mijë euro, si dhe dy banesa të blera prej tij. Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata vendosi dje të kalojë në pronësi të shtetit shumën prej 30 mijë euro të sekuestruara në llogarinë personale të Sadikajt, ndërsa është ende nën hetim pasuria e bashkëpunëtorit të tij në rrëmbimin e të moshuarës greke. L.Bakillari