Legalizimet në bregdet, procesi kundërshtohet nga ish-pronarët
Megjithëse kanë kaluar afro tre vjet nga fillimi i procesit të legalizimeve, ALUIZNI ka shpërndarë vetëm disa certifikata pronësie, edhe këto gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve lokale të vitit 2007. Por pavarësisht nga kjo, krerët e ALUIZNI-t janë shprehur se procesi i legalizimeve do të kryhet brenda vitit 2009. Këtij qëllimi i kanë shërbyer dhe ndryshimet që maxhoranca i bëri ligjit “Për legalizimin dhe urbanizimin e zonave informale” rreth një muaj më parë. Sipas kreut të ALUIZNI-t, Memia, ligji i ndryshuar për legalizimin e zonave informale u jep të drejtën që meriton pronarëve legjitimë. Ai u shpreh se, sipas këtij ligji, pronarët legjitimë do të kompensohen për sipërfaqen që u është zënë, ndërsa do t’u lihen në dispozicion sipërfaqet që janë të pazëna, me të drejtën ekskluzive të zhvillimit urban të tyre. Qeveria ka përcaktuar edhe tarifën për legalizimin e ndërtimeve pa leje, që do të jetë 4 mijë lekë të rinj, pavarësisht nga përmasa e pasurisë së legalizuar. Por ndryshimet në ligj janë kundërshtuar nga Shoqata e ish-pronarëve, që kanë bërë edhe një ankim në Gjykatën Kushtetuese kundër tij. Ish-pronarët nuk pranojnë të kompensohen për tokat e zëna, por duan t'u kthehet prona e tyre. Sipas tyre, “kompensimi i ish-pronarëve nuk mund të bëhet as me çmimin e tregut, pasi është pronari ai që vendos çmimin për pronën e vet”. Shfuqizimin e amendimeve të ligjit “Për legalizimet” nga Gjykata Kushtetuese e ka kërkuar edhe Partia Socialiste, ku sipas saj, “ndryshimet në ligj cënojnë të drejtat e organeve të pushtetit vendor, që pa të drejtë i transferohen ALUIZNI-t”.
27 Gusht 2008