Muaji nëntor lihet si afati i fundit për privatizimin e INSIG-ut
Deri në fund të muajit nëntor qeveria ka planifikuar që të mbyllë procesin e privatizimit të shoqërisë publike të sigurimeve “INSIG”. Zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, u shpreh dje në një prononcim për mediat se “më 10 shtator do të hapen ofertat e kompanive që kanë shprehur interes për privatizimin e 61 për qind të aksioneve shtetërore të kompanisë së sigurimeve INSIG”. Sipas tij, parashikohet që brenda këtij viti, në muajin nëntor, të mbyllet kontrata e shitjes së të gjitha aseteve të kompanisë. Që prej rreth një muaji qeveria ka shpallur njoftimin e saj publik te "Financial Times" për të gjitha kompanitë që janë të interesuara të blejnë aksionet e INSIG-ut. Në fillim të këtij viti u miratua projektligji i ndryshuar "Për përcaktimin e formës dhe të formulës së privatizimit të INSIG, sh.a.". Sipas këtij vendimi, 61 për qind e aksioneve u ofrohen për shitje investitorëve strategjikë, të cilët përzgjidhen në bazë të procedurave të përcaktuara nga Ministria e Financave me tender të hapur ndërkombëtar, brenda datës 31 dhjetor 2008. Kompania “KPMG”, është kompania audituese që po kryen procesin e vlerësimit të aseteve të kompanisë “INSIG”. Pasi “KPMG”-ja të kryejë vlerësimin e kompanisë, do të jetë Këshilli i Ministrave, i cili në bazë të çmimit të dalë nga vlerësimi, do të përcaktojë dhe një nivel minimal dhe maksimal, që do të shërbejë si bazë për hapjen e tenderit për privatizimin e kësaj kompanie. Aktualisht qeveria shqiptare ka rreth 61 për qind të aksioneve të INSIG-ut, ndërsa dy institucionet ndërkombëtare, IFC dhe BERZH, kanë përkatësisht nga 19.5 për qind secila. Kompania shtetërore e sigurimeve “INSIG”, e themeluar në vitin 1991, prej shumë vitesh ka qenë lider në këtë treg, ndërsa tani renditet e treta me rreth 17 për qind të tregut të sigurimeve.
27 Gusht 2008