E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda shkojnë tek "Pallati i Drejtësisë"

Prokuroria do t'i bashkohet gjykatës në të njëjtën godinë që ndodhet pranë burgut 313 në kryeqytet


TIRANË- Prokurorisë së Krimeve të Rënda, iu desh një vit kohë që të pranojë të transferohet nga institucioni i Prokurorisë së Përgjithshëm në ndërtesën e re të titulluar "Pallati i Drejtësisë", e cila ndodhet bashkë me Gjykatën e Krimeve të Rënda.


Kështu, pas një viti pritjeje dhe takime të herë pas hershme, më në fund është tërhequr Ministria e Drejtësisë, që në ndërtesën e re të mos vendosë gjyqtarët e Gjykatës Administrativë, por, ndërtesa e quajtur "Pallati i Drejtësisë" të ketë brenda ambienteve të saj vetëm Gjykatën e Shkallës së Parë dhe të Apelit për Krime të Rënda dhe institucionin e akuzës pranë kësaj gjykate.


Paraditen e sotme, pritet që Prokuroria e Krimeve të Rënda bashkë me administratën e saj, e cila që nga themelimi kanë "uzurpuar" zyrat e Prokurorisë së Përgjithshme të transferohet tashmë në ndërtesën e re që ndodhet në rrugën "Jordan Misja" ngjitur me burgun 313.


Kjo ndërtesë e re është ndërtuar me fondin e Këshillit të Evropës, në kuadër të programit në luftën kundër krimit të organizuar e cila ka paguar një shumë prej 6.5-milionë euro, për ngritjen e kësaj ndërtese.


Këto fonde janë shpenzuar tashmë për fuqizimin e kapaciteteve për hetimin dhe ndjekjen në rrugë ligjore të krimit të organizuar, planin arkitekturor të ndërtesës së re; financimin e punimeve për ndërtimin e godinës; blerjen e pajisjeve të zyrës dhe ato kompjuterike për ndërtesën.


Godina është konceptuar sipas standardeve evropiane të ndërtimit dhe përfshin karakteristika të veçanta si lehtësimi i lëvizjes për personat me aftësi të kufizuar në të gjitha ambientet, një nivel të lartë të UPS-së, që lejon aktivitetin gjatë ndërprerjeve të energjisë elektrike, si edhe një konceptim të nivelit të lartë të sigurisë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›