E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasje Bode-Basha për rafineritë e naftës

FIER/ Nga drejtori i Tatim-Taksave të Fierit është urdhëruar mbyllja e rafinerive të përpunimit të naftës

Myftari, përfaqësues i "Taçi Oil" deklaroi se kompania "Armo" ishte blerë pa dokumentacionet e plota nga shteti


FIER - Mbyllja e dy rafinerive të përpunimit të naftës në Ballsh dhe në Fier ka sjellë edhe një përplasje mes strukturave të Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Brendshme.


Kështu, ndërkohë që nga drejtori i Tatim-Taksave është firmosur urdhri për Policinë Tatimore që të bllokonte aktivitetin e dy uzinave, Policia e Shtetit në vendngjarje ka kundërshtuar vënien e shiritit të bllokimit duke sjellë kështu edhe një konflikt të ashpër mes dy institucioneve të drejtuara nga ministrat Bode e Basha, që pritet të zgjidhet në ditët në vijim.


Ndërkohë, pas mësimit për dhënien e urdhrit për mbylljen e dy rafinerive, ka reaguar drejtori Bledar Myftari, i cili pas njohjes me të, ka akuzuar direkt ministrin e Financave për sulm ndaj biznesit privat. Kompania "Armo" është privatizuar nga "Taçi Oil".


Bllokimi


Një shkresë zyrtare e drejtorisë së Tatim-Taksave të Fierit, e firmosur mesnatën e së shtunës nga drejtori Halim Lamaj, ka urdhëruar strukturat e këtij institucioni për mbylljen e rafinerive të përpunimit të naftës në Fier e Ballsh. Kjo shkresë zyrtare ka bërë që turni i tretë i të dy uzinave të ndërpriste punën.


Ndërkohë lidhur me këtë shkresë gjatë gjithë ditës ka pasur replika në distancë midis kompanisë "Armo" dhe Ministrisë së Financës. Kjo e fundit, me sa duket, ka urdhëruar degën e tatimeve Fier që të ekzekutojë vendimin për akcizat, çka ka çuar edhe në bllokimin e dy uzinave.


Bllokimi është bërë për faktin se ato nuk kanë autorizim akcize dhe magazinë tatimore. Lidhur me këtë fakt reagimi i menjëhershëm ka qenë i Bledar Myftarit, drejtor i kombinatit të përpunimit të thellë të naftës në Ballsh dhe uzinës së përpunimit në Fier.


Reagimi


Drejtori Myftari e ka cilësuar si absurde bllokimin e subjekteve, duke u shprehur se kompania "Armo" është privatizuar me një mungesë të theksuar dokumentacioni.


Ai tha se "Armo" që në momentet e para të dorëzimit të saj nga shteti pas procesit të privatizimit nuk ka qenë e pajisur me një sërë lejesh të ushtrimit të aktivitetit, ndërkohë që bllokimi është i pabazuar në ligj dhe i shkakton kompanisë një dëm financiar që shkon në afro 5 milionë euro në ditë.


Myftari pohoi se në orët e vona të mbrëmjes së shtunë, në kundërshtim me çfarëdolloj procedure të rregullt shtetërore, duke qenë se ka qenë fundjavë dhe nuk ka administratë shtetërore në punë, Drejtoria Rajonale e Tatimeve Fier, me urdhër të ministrit Ridvan Bode ka bllokuar rafineritë e Fierit dhe të Ballshit.


Gjithashtu është bllokuar edhe pontili i Vlorës, nga ku bëhet furnizimi i rafinerive me naftën bruto. Sipas burimeve zyrtare, arsyeja për këtë veprim është se kompania "Armo" nuk ka autorizim akcize për magazinat tatimore.


"Ky ndalim, - u shpreh Myftari, - ka ardhur pa asnjë paralajmërim paraprak, duke bllokuar punën dhe prodhimin e naftës. "Armo" i ka paguar shtetit në momentin e privatizimit shumën e 130 milionë eurove.


Deri më sot kemi pasur probleme të vazhdueshme me shtetin dhe me certitifikatat e pronësisë, sepse "Armo" nuk i ka të gjitha certifikatat e pronësisë të plotësuara. Gjithashtu në momentin e privatizimit nuk është pajisur edhe me autorizim akcize për magazinat tatimore. Kemi shtatë muaj që jemi nën presion të vazhdueshëm nga ministri i Financave",- deklaroi drejtori i "Armo"-s


1500 të papunë


Dëmi më i madh kompanisë "Armo" i ka ardhur nga rafineria e Fierit. Sipas Myftarit, pasi prodhimi i saj është bitum dhe duke qenë se nuk ka magazina, rafineria mund të shkojë në një bllokim 6-mujor. Pas këtij bllokimi që do t'i bëhet bitumit, rafineria duhet të shembet e gjitha për t'u bërë e re.


"Në çastin që bllokohet rafineria, i bie që të gjithë punonjësit dhe linjat e përpunimit të mbyllen, - vijoi drejtori i "Armo"-s. - 1500 familje në zonën e Fierit dhe të Ballshit do të dalin pa punë, dhe jo vetëm.


Kjo do të bëjë që ne si drejtues të përballemi me një kosto investimi që shkon në disa milionë euro. Kemi paguar 130 milionë për blerjen e saj dhe po paguajmë miliona euro për të investuar e përmirësuar kushtet teknike. Por tani duhet të paguajmë me miliona euro për të dalë nga kjo gjendje ku po tenton të na fusë ministri".


Përplasja


Ka qenë ora 12:00 e mesditës së të dielës koha në të cilën forcat e policisë tatimore si të Tiranës dhe të Fierit i janë afruar Uzinës së Përpunimit të Naftës në Fier me qëllim ekzekutimin e urdhrit të bllokimit. Në momentin që unifromat gri të tatimores kanë dashur të hyjnë brenda mjediseve të UPN-së, janë përplasur me policinë e shtetit, që nuk ka lejuar ekzekutimin e urdhrit.


Debati ka qenë i ashpër midis të dy palëve, njëra si strukturë e Ministrisë së Financave me në krye Ridvan Boden dhe tjetra si strukturë e Ministrisë së Brendshme e drejtuar nga Lulëzim Basha. Mësohet se pas zgjidhjes së konfliktit ka nisur një hetim lidhur me ngjarjen.


E ndërsa rafineria e naftës ishte e bllokuar, në portën kryesore të saj ndodheshin policë të rendit të komisariatit të Fierit, si dhe ato të sigurimit të mbrojtjes së objektit që nuk lejonin që të futeshin punëtorët brenda repartit. Ndërsa mbi 10 mjete tip autobote kishin krijuar një radhë të gjatë në pritje të zgjidhjes së këtij problemi.


Policia Tatimore, që ishte e pranishme në uzinën e përpunimit të naftës Fier, si dhe drejtues të saj janë shprehur se janë të gatshëm në çdo orë për të zhbllokuar situatën, nëse "Armo" paguan detyrimet që i ka shtetit.


Përplasjet Bode-Basha


Përplasjet mes dy minsitrave të kabinetit qeveritar Ridvan Bode e Lulzim Basha janë të njohura tashmë. Prej tyre mund të theksohen rruga Durrës-Morinë, por edhe çështja e Gërdecit, të pranuara nga ministri Basha, por të kundërshtuara nga ai i Financave. Kështu:


Ridvan Bode ka qenë kundër projektit për ndërtimin e rrugës Durrës-Morinë. Gjatë një konference për shtyp, kreu i Financave pati pranuar se nuk kishte qenë dakord me projektin në tërësi.


Tjetër përplasje mes dy ministrave ka qenë çështja e Gërdecit, e mbështetur prej Bashës dhe e kundërshtuar nga ministri Bode.


Bode dhe Basha janë përplasur edhe në ligjin për "përgjimin e telekomunikacioneve". Shkak është bërë propozimi i Bashës për të larguar seksionin e përgjimeve të Policisë së Shtetit dhe atë të SHKB-së nga godina e SHISH-it. Por, në këtë propozim ai ka gjetur kundërshtimin e Bodes.


Pas kundërshtive për regjistrimin e pasurive të paluajtshme të legalizuara, ministri i Financave nuk ka qenë dakord edhe me vendimin e miratuar nga Këshilli i Ministrave "Për miratimin e Rregullores mbi normat dhe standardet minimale urbanistike për urbanizimin e zonave informale", për të cilin ishte kërkuar mendim nga Lulëzim Basha, kur ishte ministër i Transportit

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›