E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sistemi i adresave, Elbasani ende me probleme

Elbasanasit nuk njohin rrugët e emërtuara rishtazi. Bashkia: Projekti duhet të kishte përfunduar në prill


ELBASAN- Projekti për emërtimin e rrugëve të Elbasanit duhet të kishte përfunduar qysh në muajin prill të këtij viti, por procesi është ndërlikuar duke thyer afatet kohore. Shumë rrugë e rrugica janë emërtuar muajt e fundit dhe qytetarët ende nuk dinë banorë të cilës rruge janë.


Mungojnë tabelat dhe numrat, e askush nuk di të të thotë adresën e plotë të banesës së vet. Vështirësi më të mëdha hasin postierët, të cilët prej vitesh njohin mirë lagjen, pasi në të kundërt nuk do të mund të gjenin dot asnjë adresë.


Të kontaktuar, drejtues të bashkisë thonë se janë rreth 30 rrugë e rrugica që janë në proces emërtimi, ndërsa pjesa tjetër janë dërguar në Tiranë pranë Ministrisë së Brendshme, ku edhe ndodhet projekti i Bankës Botërore për Sistemin e Adresave. Nënkryetari i bashkisë, Serafin Papa, shton se me vendim të Këshillit Bashkiak janë vendosur emra të figurave të njohura në Elbasan për rrugët dhe rrugicat që më parë nuk kishin emra.


Pas kësaj faze, projekti është dërguar në Tiranë. Sipas drejtuesve të Bashkisë, vonesat kanë ardhur për shkak të sistemit të përdorur për inventarizimin dhe më pas emërtimin dhe numërtimin. Kjo gjë ka bërë që të kthehen disa gjëra nga ana e zyrës së projektit për të bërë ndryshime.


"Ne kemi rreth 30 rrugë që do t'i emërtojmë, dhe po kështu duhet të ndjekim edhe rregullat për numërtimin. Pas kësaj faze do të nisim sërish punën tonë drej Tiranës, duke kaluar në fazën finale të mbylljes së projektit. Në përfundim do të vendosen tabelat e emërtimit", thotë Papa.


Qyteti i Elbasanit ka 500 pallate, 15 000 shtëpi private dhe 120 institucione. Në sistemin e adresave është llogaritur që të vendosen tabela edhe në të gjitha rrugët e sheshet e qytetit. Për këtë nevojiten 450 copë tabela treguese për rrugët.


Çdo pallat do të ketë një tabelë treguese, pra 500 tabela treguese gjithsej. Kostoja e të gjithë infrastrukturës së sistemit të adresave është rreth 28 milionë lekë. Në të përfshihet kostoja e zyrës së adresave, ndërhyrjet në ambientet e vëna në dispozicion. Po kështu, do të bëhen edhe 500 kopje të adresarit. Kostoja totale e projektit është 273 mijë euro.


800 mijë dollarë për fasadat e 3 lagjeve
800 mijë dollarë do të shërbejnë për suvatimin e shumë pallateve në pjesën veriore dhe veriperëndimore të qytetit të Elbasanit. Pallatet e lëna përgjysmë në vitet '90 janë në pjesën më të madhe të parregulluara dhe vetë banorët deklarojnë se e kanë të pamundur ta përballojnë koston.


Bashkia Elbasan pasi ka aplikuar, ka fituar projektin e Bankës Botërore për suvatimin e fasadave të 68 pallateve në lagjet "Vullnetari", "Haxhias", "11 Nëntori". Nga ky projekt hap pas hapi pritet të përfitojnë edhe lagjet përreth. Investimi do të fillojë brenda këtij viti dhe pritet të përfundojë në 6-mujorin e parë të vitit që vjen. Bardha Nergjoni

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›