E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplas drejtuesin e një motori, braktis automjetin dhe arratiset

AKSIDENTET/ Një i vdekur dhe një i plagosur ka qenë bilanci i së dielës në aksidentet e ndodhura


Dy aksidente kanë ndodhur ditën e diel në dy rrethe të vendit, teksa bilanci është një i vdekur dhe një i plagosur.


Burime nga policia bëjnë të ditur se mbrëmjen e së dielës një person ndërroi jetë teksa automjeti me të cilin ai udhëtonte doli jashtë rruge pranë fshatit Tale. Burri, i cili udhëtonte me një automjet tip "Benz" vdiq pas përplasjes. Bëhet e ditur se shkak për aksidentin ka qenë shpejtësia e lartë me të cilin udhëtonte automjeti.


Po kështu në qytetin e Beratit është regjistruar një aksident i rëndë mëngjesin e së dielës. Shkëlqim Dyrmo është i plagosuri, ndërsa në kërkim është shpallur një drejtues automjeti. Mësohet se 48-vjeçari po udhëtonte me mjetin tip motor drejt qytetit të Beratit, por në aksin rrugor Berat- Urë Vajgurore është përplasur me një mjet tip BMV që udhëtonte drejt Urës Vajgurore.


Ndonëse përplasja ka qenë me pasoja të rënda për drejtuesin e motorit, drejtuesi i autoveturës është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Kanë qenë kalimtarët e rastit që i kanë dhënë ndihmën e parë të plagosurit duke e transportuar drejt spitalit të Beratit. Burime të repartit të kirurgjisë bëjnë me dije se rreth orës 07:00 të mëngjesit të ka mbërritur në gjendje të rëndë për jetën me plagë të shumta dhe fraktura 48-vjeçari Shkëlqim Dyrmo, banor i fshatit Lapardha në rrethin e Beratit.


Mjekët e këtij spitali i kanë dhënë ndihmën e parë shëndetësore, por për shkak të gjendjes së rëndë bluzat e bardha vendosën disa orë më pas transportimin e tij drejt spitalit ushtarak në Tiranë për ndihmë më të specializuar. Në vendin e ngjarjes ekspertët rrugorë identifikuan drejtuesin e mjetit tip "BMV", emri i të cilit nuk bëhet i ditur për shkak të hetimeve. Mjeti me targa BR 1956 u gjet i braktisur në fshatin Qereshnik, ndërkohë që autori është në kërkim.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›