"Muça po abuzon me pronat e myslimanëve "
Ish-nënkryetari, Saimir Rusheku, akuzon drejtuesin e Komunitetit për abuzime me pronat dhe shkarkime të padrejta
TIRANË- Përçarjet dhe grindjet brenda Komunitetit Mysliman që sollën edhe shkarkime në nivele të larta kanë hedhur dyshime për abuzime me pronat. Ish-nënkryetari i Komunitetit, Saimir Rusheku, akuzoi Selim Muçën për abuzimin me pronat e bashkësisë Islame në Shqipëri. Rushek kundërshtoi edhe shkarkimin nga detyra të Kryemyftiut të Shqipërisë, Hafiz Shaban Salihu.
"Reagimi im vjen jo thjesht për shkak të shkarkimit tim personal, por për shkak të mënyrës se si Muça po sillet me institucionin më të madh fetar në vend, duke e shndërruar atë në një feud personal, pa kurrfarë lidhje me misionin fetar",- theksoi dje Rusheku. Sipas tij, drejtuesi i bashkësisë Islame, prej vitesh po abuzon me pronat e Komunitetit Mysliman Shqiptar (KMSH), duke i shkaktuar një dëm të madh financiar dhe moral.
"Duhet theksuar se, gjatë detyrës sime, jam detyruar jo rrallë, të mos aprovoj shkeljet e rënda që kryetari aktual ka bërë në mënyrë të përsëritur, duke abuzuar me postin e tij, të cilat i kanë shkaktuar këtij institucioni një kosto jo të vogël morale, administrative, por edhe financiare.
Në këtë mënyrë, unë kam qenë kundërshtues i përhershëm i shpërdorimit të pronave të KMSH-së, të cilat kryetari Muça, i ka menaxhuar në mënyrën më të papërgjegjshme. Mendoj se kjo është edhe arsyeja e vërtetë e shkarkimit tim, e motivuar në mënyrë qesharake si lëvizje kuadri"'-tha Rusheku.
Por tashmë konfliktet mes myslimanëve shqiptarë do të kenë një "arbitër" zyrtar dhe rregullat e lojës do të jenë ligjet e shtetit. Rusheku ka pohuar dje se do bëjë një padi në gjykatë për kundërshtimin e vendimit të shkarkimit të tij, si dhe do t'i drejtohet prokurorisë me një kallëzim konkret mbi abuzimet e kryera me pronat e KMSH-së nga drejtuesi i saj z.Selim Muça.
"Mbetem i vendosur që betejën time institucionale, për të rivendosur dinjitetin e këtij institucioni, duke e çuar këtë betejë deri në fund, duke iu drejtuar gjykatës në lidhje me shkarkimin tim, si dhe prokurorisë, për të gjitha shkeljet që kryetari Muça ka zhvilluar në kurriz të organit më të lartë përfaqësues të myslimanëve në Shqipëri",- tha Rusheku.
Gjithashtu, ish-nënkryetari tashmë denoncoi edhe mënyrën e shkarkimit të tij nga detyra, që sipas interpretimit të tij mbi statusin e KMSH-së, ai duhej të shkarkohej nga detyra nga votat e Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së dhe jo të kryesisë së këtij këshilli, të cilët pak ditë më parë vendosën shkarkimin e tij nga detyra me motivacionin "lëvizje kuadri".
"Duke nisur që nga motivimi i paraqitur prej tij për shkarkimin tim, e duke vazhduar me mënyrat krejtësisht anti-statutore, jo morale dhe joinstitucionale të marrjes së vendimit, janë dëshmi se ky institucion po shndërrohet në një ngrehinë të kalbëzuar, e cila, jo vetëm nuk po e kryen dot misionin e vet, por për më tepër, po bëhet çdo ditë e më shumë burim problemesh, përplasjesh, tensionesh si dhe pengesash të cilat nuk i shërbejnë aspak jetës fetare në vend.
Kjo sjellje arrogante e kryetarit Muça, është dëshmia më banale e mentalitetit klanor me të cilën ai përpiqet të sundojë një institucion të tillë, i cili në të kundërt me atë çka ndodh realisht, është ngritur për t'i shërbyer nevojave më fisnike dhe më sublime të individit dhe shoqërisë, nevojave shpirtërore",- theksoi Rusheku duke vënë në dukje edhe njëherë përçarjen që ka KMSH-ja në vend.
Përçarje kjo që u vu në dukje edhe në zgjedhjet e përgjithshme për kryetarin e KMSH-së, pak muaj më parë ku nuk munguan edhe protestat kundër Selim Muçës, i cili e rifitoi mandatin e dytë në krye të KMSH-së me shumicë votash.
Ndërkohë, vetë KMSH pak ditë më parë reagoi se shkarkimi i Rushekut ka ardhur nga vendimi i kryesisë së këtij Komuniteti, si dhe në bazë të statusit të këtij komunitetit, ku e drejta e emërimit dhe shkarkimit është e kryetarit.