Krimet e Rënda shoqërojnë hallën e Bleonës
Krimet e Rënda shoqërojnë hallën e vajzës 6-vjeçare nga Kukësi, e cila është zhdukur që prej tri javësh. Së bashku me një vajzë tjetër, halla 23-vjeçare, Alketa Mata, është marrë në pyetje nga prokurorët e Krimeve të Rënda. Ajo dhe e dyshuara tjetër kanë qenë në momentet e fundit me Bleonën, pak para zhdukjes së saj. Duket se kjo është edhe një nga pistat ku grupi i punës ka shtrirë hetimet. Ndërkohë, personat e tjerë që janë marrë në pyetje po në Tiranë, janë lënë të lirë. Burimet nga Prokuroria për Krimet e Rënda bënë të ditur se halla e vajzës dhe shoqja e saj janë mbajtur për disa orë, ku janë pyetur në lidhje me dyshimet për zhdukjen e vajzës 6-vjeçare nga Zapodi i Kukësit. Nga ana tjetër, ato janë pyetur veç e veç, me qëllim për të mbledhur sa më shumë fakte prej tyre, nëse ato kishin informacione që mund t’i mbanin të fshehura.
Prokuroria tha se shoqërimi i tyre ka ardhur pas dyshimeve të ngritura nga prindërit e vogëlushes, të cilët kanë deklaruar se ato fshehin diçka që mund të çojë në gjetjen e vajzës së vogël. Zamir Mata, babai i vajzës, është shprehur se Bleona Mata ka qenë së bashku me disa vajza të tjera të fisit në pyll duke kullotur lopët në momentin që ka ndodhur ngjarja. Sipas babait të Bleona Matës, vajzat që shoqëronin Bleona Matën ditën e zhdukjes së saj, kanë dhënë deklarime kontradiktore në lidhje me ngjarjen. Ndërsa në prokurori ato janë shprehur se nuk dinin asgjë për zhdukjen e saj. Ato janë pyetur disa herë në versione të ndryshme në lidhje me deklarimet e tyre. Prokuroria nuk ka dhënë detaje sesi do të veprohet më tej pas marrjes së deklaratave.
Nga ana tjetër, familjarët e Bleona Matës, 6-vjeçares së zhdukur që nga 22 maji i këtij viti, këmbëngulin në rrëmbimin e saj dhe jo në zhdukjen aksidentale. Për këtë ata hedhin dyshime të forta mbi personat që kanë qenë së bashku me të atë pasdite në kullotën në periferi të fshatit, përfshi edhe njerëzit e afërt nga nëna e 6-vjeçares dhe nga babai i saj. “Dyshoj që të kenë gisht mbi zhdukjen e Bleonës vajzat që e shoqëronin atë ditë në kullotë. Nuk ka se si të zhduket njeriu ashtu papritur, e sapo është ndarë, siç thonë, me ata që ishte gjithë kohën. Të flasin vajzat, të tregojnë. Policia ta shikojë këtë punë”, thotë mes të tjerash Zamir Mata, i ati i vajzës së zhdukur. Ndërsa dyshimet e së ëmës janë më të forta. “Nëse nuk kanë dorë, vajzat dinë diçka për fatin e Bleonës. Ajo nuk është zhdukur aksidentalisht, por është marrë për birësim apo trafikim”, pohon Bukurie Mata, nëna e Bleonës. Teksa kërkimet e policisë vazhdojnë pa ndërprerje, përfshi edhe Kosovën, Maqedoninë e deri në Greqi, mësohet se një pistë kryesore e hetimeve është ajo e familjarëve dhe njerëzve të afërt të vajzës. Drejtues të Policisë së Kukësit pohojnë se "është ushtruar kontroll edhe te motrat e Bukuries, nënës së vajzës, por edhe në Kosovë e Maqedoni". Ndërkohë, prej ditësh për fatin e vajzës së zhdukur është angazhuar një grup nga Krimet e Rënda në Tiranë.
#