Shpresë edhe 22 ditë pas zhdukjes së vogëlushes
Pasditja e 22 majit shënon kohën e ndarjes së vogëlushes 6-vjeçare Bleona Mata nga prindërit Bukurie e Zamir, si dhe nga vëllai i saj i vogël 3-vjeçar. Tashmë kanë kaluar 22 ditë nga koha e zhdukjes dhe prindërit e vajzës kanë ende shumë shpresë për gjetjen e saj. Vajza humbi çdo gjurmë 500 metra larg banesës së saj. Ngjarja i detyroi drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit për të shkuar në Kukës, ndërsa hetimi po realizohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. 3 milionë lekë shpërblim janë vendosur për atë që jep informacione për vajzën. Pistat për zhdukjen janë të shumta dhe nisin nga një sulm i kafshëve të egra, humbje në pyll, grabitje për shkak të ndonjë konflikti. Në listën e të pyeturve nga policia janë edhe të afërmit e vajzës, por hetimet nuk kanë dhënë asnjë rezultat. “Ai person që e ka të mos ma dëmtojë fëmijën. Le të hapë gojën për çdo gjë që do, por të ma lirojë vajzën, ta lërë në një rrugë ku ta gjejmë. Do t’i japim çfarë kërkon dhe nuk do ta denoncojmë në polici. Por duam Bleonën, pasi ajo është jeta jonë”, ka thënë për mediat nëna e vajzës, Bukurie Mata. Policia shqiptare ka intensifikuar kërkimet duke përfshirë edhe UNMIK-un për gjetjen e gjurmëve të Bleona Matës, 6-vjeçares së zhdukur pasditen e 22 majit në fshatin Zapod të Kukësit. Pas një marrëveshjeje dypalëshe mes dy vendeve, është bërë edhe kërkimi intensiv në të gjithë zonën kufitare mes Shqipërisë e Kosovës. Bleona Mata u zhduk teksa kishte vajtur të kulloste bagëtitë bashkë me hallën e saj dhe dy vajza të tjera. Mësohet se policia po bën tentativa për të krijuar një identikit të personit që mendohet se mund të ketë rrëmbyer vogëlushen. Sipas dëshmisë së gjyshes së Bleonës, një person i veshur me xhup të zi ka ndjekur nga pas vajzat teksa po shkonin të kullotnin bagëtitë. Në Zapod ndodhen edhe ekspertë të Policisë së Shtetit, ndërsa janë vënë në punë edhe shërbimet e inteligjencës.
#