Krimet e nazizmit, Greqia hedh në gjyq Gjermaninë
Qeveria greke ka vendosur të përkrahë një grup qytetarësh vendës, të cilët prej vitesh kanë ngritur padi kundër Gjermanisë, duke kërkuar prej saj të paguajë dëmshpërblim për një masakër të kryer nga forcat naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në qershor 1944 trupat naziste arrestuan dhe pushkatuan 218 banorë të fshatit Distomos në krahinën e Beotisë, mes tyre foshnje, fëmijë, gra e të moshuar. Masakra u krye si ndëshkim për vrasjen e 40 ushtarëve nazistë në përleshje me forcat partizane greke, në afërsi të fshatit. Në vitin 2000 Gjykata e Lartë e Greqisë vendosi që Gjermania duhej t’u paguante paditësve si dëmshpërblim një shumë që sot përllogaritet në 100 milionë euro me gjithë përqindjet e interesit. Por Gjermania nuk ka pranuar t’i paguajë. Për dhjetë vite rresht shteti grek kishte hezituar t’u njihte paditësve të drejtën e sekuestrimit të pasurive të shtetit gjerman në Greqi, siç është instituti i njohur i kulturës, Gëte. Tani banorët e kanë çuar çështjen në gjykatën e Hagës, dhe sot përfundonte afati kohor brenda të cilit Greqia zyrtare do të duhej të deklaronte nëse do të asistonte si palë përkrah paditësve. Duke komunikuar vendimin, kryeministri grek Jorgos Papandreu tha se “çdo veprim bëhet me arsye të vetme shërbimin e interesit kombëtar”. Ndërkaq, ministri i Jashtëm gjerman, Guido Vestervele, shprehu keqardhjen për vendimin e qeverisë greke, që e cilësoi si të pakuptueshëm. “I dimë shumë mirë katastrofat që vuajti populli grek gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mirëpo Gjermania insiston në qëndrimin e vet dhe është optimiste që argumentet e saj juridike të pranohen në Gjykatën e Hagës”, tha ai. Muajt e fundit raportet zyrtare midis Greqisë e Gjermanisë kanë qenë të tensionuara për shkak të qëndrimit të ashpër të Berlinit lidhur me krizën greke. Por qeveria greke thotë tashmë se vendimi për të përkrahur padinë e banorëve kundër Gjermanisë ka një karakter simbolik dhe bëhet për respekt të viktimave.