E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama- Pëllumbi, debati në Asamble për kushtëzimin me Kuvendin

Taulant Balla: Zhvillimet e fundit dhe faktet e dala na bëjnë ne si opozitë që të marrim përgjegjësinë dhe të nxjerrim popullin në shesh. Duhet të jetë populli ai që do të rrëzojë diktatorin dhe patericën e tij...

Tom Doshi: Meta sapo dha dorëheqjen. (Duartrokitje në sallë dhe një pjesë e mirë e anëtarëve të Asamblesë lënë mbledhjen dhe dalin jashtë për t’u njohur me lajmin nga televizionet)

Gramoz Ruçi: Ju lutem, nuk duhet të largoheni nga salla, duhet të vazhdojmë mbledhjen sipas axhendës. Mirë atëherë, bëjmë një pushim të shkurtër. Pesë minuta pushim.

Pandeli Majko: Ne duhet të marrim në mbrojtje që tani Dritan Priftin, pasi ai tregoi guxim për të zbardhur një aferë të tillë. Duhet të shprehemi që tani në mbrojtje të tij.

Braçe: Nëpërmjet mënyrave të ndryshme, kam bërë të ditur një platformë me disa pika të cilën në mënyrë zyrtare e kam dorëzuar edhe pranë PS-së dhe që unë po i bëj të ditur dhe sot para këtij forumi të rëndësishëm në mënyrë që ato të merren prej PS-së dhe të bëhen pjesë e një analize të thellë për të bërë mundur përcaktimin e rrugëve të qarta se ku duhet të ecë PS. Për këtë qëllim, Partia Socialiste duhet të angazhohet që ndëshkimi i zyrtarëve të çdo niveli qeverisës, si detyrim politik e ligjor, të rithemelojë kulturën e ndëshkueshmërisë administrative e penale, për favorizuesin, ushtruesin, përfituesin nga korrupsioni, pa i ndarë në tanët, të kundërshtarit apo të përbashkët.

Bashkim Fino: Dorëheqja e Metës nuk duhet të ndryshojë asgjë në sjelljen tonë. Kjo duhet të na ndërgjegjësojë se lufta jonë është e drejtë, ndaj nuk duhet të tërhiqemi, por të vazhdojmë betejën.

Gramoz Ruçi: Dorëheqja nuk është asgjë. Objektiv kryesor është Berisha. Ajo që pamë ishte thjesht një fragment që na vërtetoi atë që dinim. Me Berishën e kemi luftën. Protesta e 21 janarit duhet të jetë e madhe dhe nuk duhet të kënaqemi me kaq.

Majko: Situata politike jo vetëm ajo që ka të bëjë me betejën për hetimin e zgjedhjeve, por edhe zhvillimet e fundit, e bëjnë të domosdoshme për PS-në që të ndërpresë çdo lloj marrëdhënie me mazhorancën dhe këtë qeveri. Tani më shumë se më parë jam i bindur se PS duhet të takohet PD-në vetëm për të caktuar datën e zgjedhjeve të parakohshme.

Tahiri: (Lexon rezolutën … Asambleja Kombëtare i kërkon grupit parlamentar socialist që të thellojë marrëdhënien e kushtëzuar me Kuvendin).

Servet Pëllumbi: Unë e kam bërë të qartë gjithmonë qëndrimin tim të prerë se jam kundër çdo lloj bojkoti apo kushtëzimi të marrëdhënieve me Kuvendin. Çdo gjë ka vlerë në kohën e vet dhe unë besoj se këtij lloj qëndrimi i ka kaluar koha. Ndaj nuk ka pse të përfshihet në rezolutë fjala kushtëzim i marrëdhënieve, pasi vlerësoj se tashmë më shumë se kurrë vendi ka nevojë për opozitë, jo vetëm në deklarata dhe protesta, por edhe në Kuvend. Pra duhet paralelisht që të bëjmë opozitë si brenda dhe jashtë Parlamentit.

Edi Rama: Ky është një mekanizëm që ne na shërben në veprimtarinë tonë parlamentare. Na shërben pikërisht në ato raste siç ishin seancat e fundit të sesionit të shkuar, kur Kryeministri në detyrë shante opozitën me ç’t’i vinte për mbarë. Pra, pikërisht në këto raste ne duhet të kemi një rrugë për të mos i dëgjuar këto të shara.

Blendi Klosi: Këtë lloj marrëdhënie, madje bojkotin na e kërkojnë njerëzit kur i takojmë në çdo aktivitet. Ata nuk janë dakord që ne të rrimë në Kuvend kur Berisha tregon përralla apo kur shan opozitën.

Braçe: Boll mo ti, duhet të dëgjojmë dhe ty ne këtu, të marrim mend e tua.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›