E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimi, Rama: Shifrat alarmante, krerët e policisë me imunitet kryeministror

TIRANE -  Në mbledhjen e sotme të grupi parlamentar të Partisë Socialiste, kryesocialisti Edi Rama i cilësoi alarmante shifrat e kriminalitetit, duke iu referuar kryesisht ngjarjeve që kanë tronditur vendin ditët e fundit.

Kreu i opozitës bëri të ditur se të premten do të publikohen shifrat për rritjen e kriminalitetit, duke theksuar se programi i ri i opozitës është e vetmja rrugë për të luftuar krimin.

“Sot jetojmë në një vend që tronditet nga grabitjet dhe tritoli. Vret vetë shteti me armë zjarri dhe kryeministri i quan vrasësit heronj. Humbasin jetën njerëz të pafajshëm, mijëra vjedhje “të vogla” nuk regjistrohen fare nga policia që bën sikur merret me vrasje.” - deklaroi Rama.

Ndërkohë shefi i opozitës lëshoi akuza të forta në drejtim të krerëve të policisë së shtetit duke i quajtur si “persona të veshur me imunitet kryeministror, që kontrollojnë me radio policie rrugët e kontrabandës”.

“Rrënjët e këtij kriminaliteti, që po tmerron njerëzit e zakonshëm janë të thella, janë tek politika e egër që ka të vetmin qellim pushtetin vetjak. Janë tek plagët e vjetra sociale, varfëria, papunësia e korrupsioni i kudondodhur, janë tek kultura e pandëshkueshmërisë, tek drejtësia kalbur dhe nështrimin ndaj parasë që përcakton fatin e proceseve gjyqësore. Janë tek mungesa e shtetit, të kthyer në funksion të pushtetit që vjedh votat për të sunduar Shqipërinë.”- deklaroi Rama.

NIVELI I PAPUNËSISË DRAMATIK, BSH FAKTOI SHIFRAT E OPOZITËS
Ndër të tjera kryesocialisti i kushtoi rëndësi rezultateve të fundit të Bankës së Shqipërisë për nivelin e papunësisë, që sipas tij faktojnë deklaratat e opozitës se në vend ka 1 milion të papunë.

Duke paraqitur një tabelë, të publikuar nga BSH-ja më 2 shkurt, Rama deklaroi se “rritja e forcave të punës dhe rënia e numrit të të punësuarve në 10 vjet është dramatik”.

“Kryeministri nuk rresht me gënjeshtrat ndërsa ne themi se në Shqipëri ka 1 milion të papunë. Në tabelën e Bankës së Shqipërisë del qartë si drita e diellit se kush gënjen. Nëse gënjen BSH ka vetëm një gjasë, që papunësia është më e madhe, pasi Banka e ka humbur pavarësinë në funksion të propagandës.”- deklaroi shefi i opozitës.

Ndër të tjera, kryesocialisti deklaroi se qeveria ka dështuar me sfidën më të madhe, punësimin, dhe i turret opozitës që e thotë dhe do ta thotë me zë të lartë të vërtetën.
“Shqipëria ka 1 milionë të papunë, pasi ka një qeveri që nuk punon për ta, pasi është e paaftë, e paditur dhe e korruptuar.”- tha Rama.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›