Tritoli dhe plagosja, policia e Tiranës vijon hetimet

Policia e Tiranës ka dhënë sot detajet lidhur me dy ngjarjet e rënda të shënuara mbrëmjen e djeshme në kryeqytet. Në një deklaratë për shtyp policia e kryeqytetit thekson se rreth orës 20.30, në Kombinat në afërsi të rrugës "Hamdi Cenoimeri", është konstatuar se në shasinë e automjetit tip "Benz", me targa të huaja KCJ 337, në përdorim të shtetases Ada Thaqi, 23 vjeç, është vendosur një sasi eksplozive.
Sipas policisë fatmirësisht nga ekspertët kriminalist dhe ekspertët anti eksploziv bënë të mundur çaktivizimin e lëndës eksplozive ndërkohë që po punohet për të identifikuar dhe kapur autorët e vendosjes së lëndës si dhe motiveve të kësaj ngjarje.
Gjithashtu policia ka theksuar se rreth orës 22.15, të mbrëmjes së djeshme në rrugën "Sami Frashëri", është plagosur me armë zjarri, brenda në automjetin e tij, tip Benz, me targa TR 6343 R, shtetasi Hariz Hajredinaj, 30 vjeç.
Sipas policisë i plagosuri u dërgua menjeherë në Spitalin Ushtarak Tiranë dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Paraprakisht dyshohet se plagosja ka ndodhur për një konflikt të çastit, ku autori ka mundur të largohet menjëherë nga vendngjarja. Ndërkohë policia ka nisur hetimet për të identifikuar dhe kapur autorët e kësaj plagosje.