E Diel, 1 Nëntor 2026

Krimi ballkanik pas vrasjeve në Kroaci

Me vrasjen e drejtorit të revistës kroate "Nacional", Ivo Pukaniç, ka nisur mistifikimi i përgjegjësve të atentatit të përgjakshëm kundër tij, me autobombë, në mes të Zagrebit. Në hetimet e para të saj, prokuroria kroate kishte vënë gishtin te klani serb i Zemunit, si autor i këtij sulmi terrorist, por policia serbe e përgënjeshtroi shpejt këtë pistë, duke dhënë prova që e kundërshtonin. Tashmë nëpër korridoret e Zagrebit po flitet për një tjetër pistë, që lidh Kroacinë me Malin e Zi, dhe krijimin e një organizate të re kriminale, që drejtohet nga shqiptari Qazim Osmani, i mbiquajtur Feliks. Me të gjitha mënyrat po përpiqet që akti të quhet terrorist, ndoshta për të fshehur gjurmët e krimit të organizuar, që vepron në Bosnje, Kroaci dhe Evropën Perëndimore, veçanërisht në Gjermani, e cila njihet dhe si nëna e pavarësisë kroate.

Përshkallëzimi i atentateve dhe akteve kërcënuese ka qenë e pandalshme kohët e fundit, megjithëse me dyshimin si i orkestruar, për të krijuar një klimë tensioni në të gjithë rajonin verilindor të Ballkanit. Brenda pak ditësh, kaluam nga propaganda e Presidentit, Stipe Mesiç, kundër Kryeministrit të Republikës Serbe të Bosnjës, Milorad Dodik, tek vrasja e Ivana Hodak, avokates së re, vajza e mbrojtësit të Vladimir Zagorecit, deri tek atentati kundër Pukaniçit. Menjëherë lind pyetja: Përse kaq shumë ngjarje, brenda kësaj kohe të shkurtër, por në veçanti kush i urdhëroi dhe me çfarë qëllimi? Në të njëjtën kohë, është më e lehtë që këto akte të quhen terroriste dhe jo mafioze, pasi me veprimtari të tillë merren struktura ndërkombëtare, ndërsa në të dytin duhet të pranosh krijimin e strukturave brenda shtetit, që bashkëpunojnë me pushtetin.

Kohët e fundit kanë dalë teori dhe prova për to, se një organizatë kriminale transnacionale po mbulon të gjithë rajonin. Aksionet e fundit të policisë kanë nxjerrë në dritë struktura, anëtarët e të cilave kanë origjina të ndryshme, të shpërndarë anë e kënd, me interesa të caktuara. Kështu mund të kalohet nga banda e Naser Oriçit e Damir Fazliçit, te trafiku i armëve drejt Gjeorgjisë e Afganistanit dhe më tej, në kontrabandën e cigareve. Me interes të veçantë është të shihet, se si veprojnë grupet kroate, brenda këtij qarku ballkanik.

Sipas një raporti të grupit gazetaresk "Necenzurirano.com", Presidenti kroat, Stipe Mesiç, ka takuar në mënyrë të fshehtë, në muajin korrik, së bashku me Tomisllav Karamarkon dhe Amir Muharemin, pjesëtarë të klanit famëkeq Osmani. Gjatë këtij takimi është vendosur, sipas këtij burimi, që të ngrihet një arkitekturë e re e mafies në Ballkan, duke krijuar fillimisht një klimë konfuzioni, për të marrë më pas në zotërim pikat strategjike, jo vetëm në Kroaci e Bosnje, por edhe në Mal të Zi, Maqedoni, Shqipëri e Kosovë. Përmes grupeve mafioze lokale duhet të krijohet shfrytëzimi i lidhjeve respektive me trafikun ndërkombëtar të drogës, cigareve, armëve, organeve njerëzore etj. Në takim është vendosur financimi i këtij rrjeti, që do të kryhet përmes grupit "Adris", shumë i fuqishëm ekonomikisht dhe që u bë i famshëm në Ballkan për përzierje me trafikun e duhanit. Klani Osmani ka arritur një marrëveshje me grupin "Adris" dhe klanet mafioze në Malin e Zi, për të kontrolluar tregun e kontrabandës së cigareve, brenda Ballkanit, madje me të drejtë hyrjeje edhe në tregun iranian.

Sipas "Necenzurirano.com", qendrat logjistike të kësaj mafieje të re, janë Zagrebi, Podgorica dhe Prishtina, duke krijuar një trekëndësh ideal për trafiqet e paligjshme drejt Evropës Perëndimore dhe Lindjes së Afërt. Qendra mobilizimi do të ngrihen edhe në Bosnje, por epiqendra e mafies ballkanike të cigareve nuk do të jetë më Podgorica, por qyteti i Rovigos në Istria, ku gjendet fabrika e duhanit, pronë e Ante Vllahoviçit, një nga personat e dyshuar si urdhërues i vrasjes së ish-kryeministrit serb, Zoran Xhinxhiç. Shenjat e para të këtij ndryshimi u dhanë pas denoncimit të kërcënimeve që shqiptari me banim në Kroaci, Kristo Dedaj, i bëri Domagoj Margetiçit, gazetar por edhe kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të fabrikës së cigareve në Rovigo.

Sipas raportit të "Necenzurirano.com", edhe në sferat drejtuese të mafies kroate ka pasur ndryshime. Tomisllav Karamarko, duke marrë pjesë në takimin e Mesiçit me klanin Osmani, zuri vendin e Franjo Greguriçit, ish-ministrit të Mbrojtjes, i njohur dhe si bosi vendas i kontrabandës së cigareve e drogës. Forcimi i pozitës së Karamarkos vjen edhe falë lidhjeve të tij me Amir Muharemin, ish-ambasador i Kroacisë në OKB, i shkarkuar nga detyra pas zbulimit të lidhjeve me klanin Osmani. Është e natyrshme, se deri këtu Karamarko dhe ministra kroatë janë të mbrojtur nga pushteti në vendin e tyre. Siç dhe është dëshmuar nga vëllezërit Burim dhe Bashkim Osmani, në Gjykatën e Hamburgut, Kroacia është qendra e pastrimit të parave të lanit Osmani, përmes bankave, investimeve në ndërtim dhe ndërmjetësimit të besnikut Vladimir Zagorec, që vepron në Austri dhe Zvicër.

Revista "Nacional" duket se kishte prekur keq në plagë, ndaj u pa e domosdoshme ndalimi i spekulimeve nëpër media mbi operacionet e kontrabandës të klanit Osmani dhe tashmë, pas vrasjeve të Ivana Hodak e Ivo Pukaniçit, do të jetë më e vështirë zbardhja e së vërtetës. Pikërisht, Ivo Pukaniç, në hetimet e tij gazetareske kishte arritur të rindërtonte lidhjet e Klanit Osmani me njerëz politikë në Malin e Zi, në Kroaci dhe me grupin "Adris". Por nuk pati kohë që t‘i provonte plotësisht, pasi duket se është tradhtuar. Vetë Presidenti kroat Mesiç, që ka kërcënuar me tone të ashpra terroristët që prishin paqen në Kroaci, duhet të shohë pas shpinës së tij, sepse nuk arriti ta shpëtojë Pukaniçin, dhe mund të mos shpëtojë as veten nga hakmarrjet e mafies. Në këtë mënyrë, mund të thuhet me plot gojën, se nuk flitet për akte terroriste, as për mafien shqiptare, apo atë serbe, por për grupe brenda Kroacisë, që falë aleancës me klanin malazez Osmani, po tentojnë të bëjnë karrierë edhe në arenën ndërkombëtare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›