E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimi familjar

Vëllai e goditi me çekiç, ndërsa babai me plumba. Ata ia morën jetën Murteza Likajt, nga fshati Krajkë i Prizrenit. 30 vjeçari u vra në sy të gruas dhe fëmijëve, në shtëpinë e tij. Destan dhe Enver Likaj janë arrestuar nga policia, ndërkaq viktima u varros në vendlindje. Askush nuk i tregon arsyet e krimit të rëndë. Nga Nexhmije Ahmeti më 27 shkurt 2011 në ora 08:46

Dardan Likajt do t’i mbetet gjatë në kujtesë ditëlindja e tij e gjashtë. Të premten, derisa po priste që ta festonte përvjetorin e lindjes, ai mbeti pa baba. E vrasjen e të atit e pa me sytë e vet. Për më tepër, ata që e lanë pa baba janë gjyshi dhe xhaxhai i tij.
Murteza Likaj u vra pasditen e së premtes nga babai Destani dhe vëllai i tij më i ri, Enveri, 24 vjeçar. Siç kanë rrëfyer familjarët e Murtezait, ai është goditur së pari nga Enveri me çekiç, e më pas është gjuajtur me kalashnikov nga Destani. Murtezai ka mbetur i vdekur në vend.

Destani dhe Enveri janë arrestuar nga policia e Prizrenit, ndërsa Murtezai është varrosur të shtunën.

Ngjarje i ka tronditur të afërmit e Likajve. Por, ata nuk dinë edhe shumë për motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë, vetëm se mallkojnë vrasësit.
Rrustem Temaj është nip i Destanit. Ai mallkon dajën me të birin që mizorisht ia morën jetën Murtezait, babait të tre fëmijëve. “Ata meritojnë të dënohen me vdekje”, thotë ai, teksa nuk mund të përmbahet nga vaji. “Atyre nuk mund t’u thuash tjetër, përveçse të çmendur”.

Të afërmit e viktimës nuk janë në gjendje të flasin. Për ngjarjen rrëfejnë kushërinjtë. Por, tregojnë pak. Krejt çka ata mund të thonë është ajo çfarë kanë dëgjuar nga familjarët, që ishin të pranishëm kur u vra Murtezai. Ai u vra në sy të gruas, fëmijëve dhe anëtarëve tjerë të familjes. Një burrë i Likajve thotë se Murtezai kishte shkuar në treg në Rogovë të Hasit, së bashku me një xhaxha të tij. Porsa ishte kthyer në shtëpi dhe kishte hyrë brenda shtëpisë, në kuzhinë, vëllai e kishte goditur në kokë me çekiç, ndërsa i ati kishte gjuajtur me armë mbi trupin e rrëzuar të të birit. Krejt kjo skenë është parë nga gruaja dhe fëmijët e viktimës.

Arsyet pse ka ndodhur ky krim nuk di t’i thotë askush. Derisa njëri nga kushërinjtë që prisnin njerëzit që shkonin për ngushëllime, tregon se motivet mund të jenë problemet e mëhershme familjare, një tjetër thotë se arsyet i dinë vetëm vrasësit. Ndërsa një tjetër, i cili e ka shtëpinë afër me familjen e viktimës, tregon se Destani ka qenë njeri i dhunshëm. “Ai i ka rreh krejt. Gruan e tij e ka rreh derisa ka vdekur”.
Të afërmit e Likajve nuk duan të flasin me emra, pasi që rasti është i ndjeshëm. Rrustem Temaj beson se ata dy që e kanë bërë këtë vepër makabër do ta marrin dënimin e merituar. Por, edhe betohet se nëse ndonjëri nga ta lirohet nga policia, vetë do ta marrë hakun e Murtezait.

“Ka qenë djalë i mirë, punëtor. Askujt s’i ka ba keq, por ata të poshtrit ia morën jetën”, thotë Rrustemi.

Murteza Likaj kishte punuar si punëtor sezonal në vende të ndryshme. Së fundi në Bosnjë dhe para dy javësh kishte ardhur në Kosovë. Tashmë familja Likaj ka mbetur pa djalin e madh, me Destanin dhe Enverin në burg dhe me fëmijë jetimë. Murtezai ka edhe një vëlla tjetër më të ri në shtëpi.

Rastin e vrasjes e ka konfirmuar edhe polica në Prizren. Hazir Berisha, zëdhënës, tha për Express se në fshatin Krajkë një person 30 vjeçar ka vdekur nga plagët e marra nga arma A47. “Dyshohet se në të është gjuajtur nga babai dhe vëllai i viktimës”, theksoi ai.
Të dyshuarit, sipas zëdhënësit, po mbahen në paraburgim, ndërkaq në vendin e ngjarjes është konfiskuar automatiku A47. Policia thotë se motivet që çuan në vrasjen e rëndë janë duke u hetuar. Burime nga policia e Prizrenit bëjnë të ditur se motivet e vrasjes besohet të jenë problemet familjare dhe mosmarrëveshje për pronë, ndonëse të afërmit nuk e pohojnë një gjë të tillë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›