E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtria e Egjiptit kërkon falje

Nga Express më 27 shkurt 2011 në ora 13:35

Këshilli Suprem Egjiptian i Forcave të Armatosura që qeveris vendin, pas dorëheqjes së presidentit Hosni Mubarak, ka kërkuar falje për përdorimin e forcës kundër protestuesve në sheshin Tahrir.

Në një deklaratë të transmetuar në televizionin shtetëror, Këshilli deklaroi se përdorimi i forcës kishte për qëllim të godiste kriminelët dhe jo protestuesit.

Por aktivistët kanë bërë thirrje për protesta të reja, pikërisht për të dënuar dhunën nga autoritetet ushtarake.

Dëshmitarët thanë se policia ushtarake rrethoi të premten protestuesit, duke ushtruar dhunë dhe duke përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, që ishte mbledhur për të kërkuar vazhdimin e reformave. Ata kërkuan gjithashtu edhe zëvendësimin e qeverisë së kryeministrit Ahmad Shafiq.

Por Këshilli Suprem Egjiptian i Forcave të Armatosura deklaroi se ajo çka ndodhi ishte rezultati i konfrontimeve të paqëllimshme mes policisë dhe të rinjve të revolucionit, duke theksuar se nuk është lëshuar asnjë urdhër për të sulmuar të rinjtë dhe se do të merren masa që kjo gjë të mos ndodhë më kurrë.

Në një deklaratë të dytë, ushtria tha se do të lirohen menjëherë të gjithë të rinjtë e arrestuar në sheshin Tahrir.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›