E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimi i organizuar e ekonomik "testohet" në Bruksel

31/03/2005  Plotësimi i kritereve parashikohet në programin "cards", së afërmi mbledhje në Ohër

TIRANË- Policia e Shtetit nuk ka plotësuar kriteret e Brukselit dhe për këtë rrezikon vërejtjet e partnerëve euroatlankikë. Lajmi bëhet i ditur nga burime të Ministrisë së Rendit Publik, të cilat thanë se prioriteti që duhet të kenë strukturat policore shqiptare është lufta kundër krimit të organizuar dhe atij ekonomiko-financiar. Në këto kushte ekspertë të krimit të organizuar e të antikrimit ekonomiko-financiar së shpejti do të japin llogari në Bruksel për detyrat që u janë lënë vitin e kaluar, në kuadër të programit "Cards". Burime të sigurta pranë Ministrisë së Rendit Publik thanë për gazetën "Metropol" se Policia e Shtetit prej disa ditësh ka forcuar mardhëniet me prokurorinë për të mundësuar zbardhjen në një kohë sa më të shkurtët të disa prej ngjarjeve më të rëndësishme që tronditën opinionin kryeqytetas ditët e fundit. Gjithashtu nga të njëjtat burime mësohet se të dy sektorët që do të japin llogari në tryezat e specialistëve të Këshillit Europian kanë mangësirat e tyre, ndërsa në disa raste nuk kanë munguar edhe disa suksese të vlerësuara maksimalisht nga partnerët tanë. Me qëllim që kjo sfidë e rëndësishme t i gjejë të përgatitur, ekspertët kanë paraprakisht do të kenë një vizitë gjithashtu të rëndësishme në Ohër të Maqedonisë, ku do të marrin pjesë edhe vende si Mali i Zi, Bullgaria, etj, të cilat do të parashtrojnë të gjithë strategjinë e tyre.

Kërkesat

Ndërkohë, gjatë periudhës një vjeçare specialistët e KE-së nuk i kanë harruar këshillat e njëpasnjëshme në adresë të titullarëve të policisë e prokurorisë shqiptare. Nga sa të huajt kanë informacion, për shkak të monitorimeve të gjithë proceseve, reformave, arritjeve e humbjeve të punonjësve të këtyre dy sektorëve, mësohet se puna e përgjithshme është për të dëshiruar, me përjashtim të disa sukseseve. Një ndër to i përket antikrimit ekonomiko-financiar e ka të bëjë me bllokimin e 42 tonëve kafeje kontrabandë në Shkodër, ndërsa një javë më parë në të njëjtin rreth u kapën rreth 40 koli me cigare. Pastrimi i parave, i shfaqur vrullshëm edhe me kritika të SHBA-së ditët e fundit, vazhdon të mbetet një "njollë e zezë", ndërsa arrestimet e falsifikatorëve të rëndomtë, sipas burimeve, nuk merren parasysh nga ekspertët e Brukselit. Ndërsa krimi i organizuar është bërë prej javësh subjekti i disa letrave-porosie në tavolinat e Ministrisë së Rendit, ku ndër to mbizotëron vrasja mafioze, me e rëndë e këtij viti, ajo e biznesmenit Vajdin Lamaj. Nga të gjitha informacionet e deritanishme që disponojnë prokurorët dhe zyrtarët e policisë, vendi ynë ka një përparësi të lehtë në vlerësimin e punës njëvjeçare, duke qenë se mjetet logjistike janë të kufizuara, ndërsa performanca e saj në këtë mbledhje të rëndësishme do të jetë vendimtare edhe për përkrahjen e mëtejshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›