Atentati në Kamzë, për hakmarrje
Policia e kryeqytetit deklaroi dje se ka zbardhur motivin e vrasjes së Flamur Toskës, i cili u qëllua me armë zjarri teksa lëvizte me makinë në Institutin Bujqësor të Kamzës pak para mesnatës së të enjtes. Në një deklaratë lidhur me ngjarjen, Policia thotë se grupi hetimor po punon intensivisht për kapjen e autorëve. Ndërkohë që është zbardhur motivi i kësaj ngjarjeje, po për arsye të hetimit nuk mund të bëhet publike, deri në finalizimin e kapjes së autorëve të dyshuar. Policia ka pohuar se të enjten, rreth orës 22:30, në afërsi të Universitetit Bujqësor Tiranë, është qëlluar me armë zjarri duke gjetur vdekjen shtetasi Flamur Zymer Ksaniqja (Toskaj), 29 vjeç, lindur në Markaj Tropojë e banues në Tiranë. Sipas Policisë, ai ka qenë i dënuar më parë. Në të njëjtin atentat janë plagosur shtetasit: Fatjon Mustaf Byberi, 26 vjeç dhe Ramiz Azem Bashukaj, 34 vjeç, të cilët aktualisht ndodhen në Spitalin Ushtarak Tiranë jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë pas atentatit, në vendngjarje shkuan shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.5, oficerë të Hetimit të Krimeve të Rënda dhe ekspertë kriminalistë, të cilët bënë të mundur sigurimin e dëshmive, mbledhjen dhe administrimin e provave.
50 TË SHOQËRUAR
Sipas të dhënave të para të marra nga vendi i ngjarjes, Flamur Toskaj ka qenë duke lëvizur me automjetin tip Volkswagen me targa AA 391 AC së bashku me dy miqtë e tij, Fatjon Biberaj dhe Ramiz Bashuka. Në kohën kur ata ndodheshin pranë Universitetit të Kamzës, në mënyrë të papritur makinës së tyre i është afruar në ecje një Golf 4 me ngjyrë të zezë, nga i cili është qëlluar me armë zjarri. Në vendngjarje policia tha se gjeti dhjetë gëzhoja, mirëpo nuk përjashtohet mundësia që të shtënat të kenë qenë më të shumta në numër. Pas të shtënave me armë mësohet se automjeti tip Golf 4 është larguar në drejtim të Fushë-Krujës, ku policia menjëherë ka ngritur postblloqe të shumta. Zyrtarisht burimet nga hetimi i ngjarjes kanë thënë se pista që po verifikohet për ngjarjen është hakmarrja në lidhje me problemet e mëparshme të Flamur Toskës. Ai megjithatë ka pasur edhe të enjten një konflikt me disa persona në zonën e Kamzës, vetëm 40 minuta para se të vritej në afërsi të Universitetit Bujqësor. Për hetimin e kësaj ngjarjeje policia ka shoqëruar 50 persona në cilësinë e dëshmitarëve dhe të dyshuarve.