Deportimi, Toskaj u arratis nga Policia e Rinasit në mars 2009
TIRANE – Në mars të vitit 2009 teksa deportohej nga Italia në Shqipëri, shtetasi Flamur Toskaj ka shënuar një tjetër ngjarje që e bëri protagonist të problemeve me Policinë. Ai u arratis nga Rajoni i Policisë në Rinas, teksa po i merreshin gjurmët e gishtave. Në datën 22 mars 2009, në pikën e kalimit të kufirit në aeroportin Nënë Tereza, Rinas, Tiranë, Flamur Toskaj është deportuar nga autoritetet kufitare italiane, nëpërmjet linjës ajrore Albanian Airlines. Shkak për deportimin e tij është bërë fakti se ai është kapur në Itali pa dokumente qëndrimi dhe, për pasojë, është vendosur dëbimi i tij nga Italia dhe moslejimi i hyrjes në këtë shtet për një periudhë kohore prej 10 (dhjetë) vjetësh. Në momentin e hyrjes në Rinas, nga policia shtetasit Flamur Toskaj i është bllokuar pasaporta e tij shqiptare e lëshuar më dt.18.09.2003 në emër dhe me fotografi. Ajo ka pasur në të viza gjermane dhe greke. Pas këtyre veprimeve, Flamur Toskaj është shoqëruar për tiu marrë gjurmët e gishtërinjve në ambientin e posaçëm të Komisariatit të Policisë Rinas. Teksa ndodhej në dhomën e shoqërimit, i pandehuri i ka kërkuar punonjësit të Policisë Sadri Rrushi të ndezë një cigare, leje e cila i është dhënë. Sapo punonjësi i Policisë është afruar te dera, i pandehuri i ka dhënë një të shtyrë punonjësit të Policisë Sadri Rrushi dhe është larguar me vrap. Efektivi i Policisë i ka bërë thirrje të pandehurit të ndalojë, madje edhe ka shtirë në ajër me armën e tij tip Pistoletë. I pandehuri pasi ka përshkruar një pjesë rruge me këmbë, ka hipur në një makinë tip Audi me targa italiane BY 005 EC, e cila është larguar me shpejtësi në drejtim të autostradës. Punonjësi i Policisë ka vazhduar ndjekjen, duke marrë në rrugë një autoveturë të rastit, madje ka shtirë përsëri në ajër dhe në drejtim të gomave të Audit, por autovetura me të cilën udhëtonte i pandehuri ka marrë rrugën në drejtim të Kamzës dhe i ka shpëtuar ndjekjes.