Krimi i sofistikuar. Arkëtarja e plagosur: Gushi na grabiti dy herë pa maskë dhe me pistoletë
Ky është krimi i sofistikuar për të cilin fliste ministri i Brendshëm, Bujar Nishani. Arkëtarja Vjollca Tobli, e plagosur me tre plumba nga Viktor Gushi, tmerri i Tiranës, thotë se ai grabiste pa maskë. Arkëtarja e CEZ thotë se ai madje e ka grabitur dy herë pa maska pikën e grumbullimit të faturave të dritave. Në një rrëfim për Panoramën, ajo tregon se si herën e parë pati fat, por herën e dytë ai e plagosi. Ajo madje thotë se e ka identifikuar autorin që në grabitjen e parë, por policia nuk e ka vënë ujin në zjarr. Arkëtarja shton se herën e dytë Gushi ka shkuar madje me qëllimin për ta vrarë. Tobli thotë se edhe kur pa videon e publikuar pas vrasjes te NBG, e dalloi që ishte ai. Jo më kot thoshte Nishani që ishin qindra qytetarë që i thoshin kush ishte vrasësi, vetëm policia nuk e dinte.