Krimi makaber burri vret gruan

Vritet me 6 goditje me thikw nga bashkëshorti i saj, Manjola Koxhaj, 32 vjeçe. Nëna e e dy djemve 5 dhe 9 vjeç, është qëlluar për vdekje nga i shoqi, Arben Koxhaj, 11 vjet më i madh.
Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 të mbrëmjes së të mërkurës, në zonën që njihet ish “Fusha Misto Mame” në Tiranë, dhe vetëm dy ditë nga krimi tjetër i rëndë në familjet kryeqytetase, kur 29-vjeçari Hysen Biba, hodhi nga dritarja e maternitetit fëmijën e tij 3 ditësh.
Në fakt, 32-vjeçarja Manjola Koxhaj, ka ndërruar jetë pas mesnate në Spitalin Ushtarak si pasojë e plagëve të rënda.
Manjola ishte dërguar në spital nga vetë bashkëshorti i saj, ndërsa ishte në gjendje tejet të rëndë nga goditjet me thikë, ku duket se mjekët e kanë patur të pamundur ta mbanin në parametrat jetësorë.
Versioni i 43-vjeçarit se e kishte qëlluar pa dashje, nuk i ka bindur oficerët e policisë, të cilët i kanë hedhur prangat me akuzën e vrasjes së bashkëshortes. Sipas burimeve policore në momentin e marrjes në pyetje Arben Koxhaj ishte nën efektet e alkoolit.
Konsumi i pijeve alkoolike dyshohet të ketë ndikuar në grindjen për motive banale të ndodhur në kuzhinën e katit të parë të banesës së tyre, ku ndodhi krimi. Dy djemtë mësohet se në atë orë ishin në gjumë në dhomën tjetër.
Për të afërmit e familjes Koxhaj, ka qenë e vështirë të prononcoheshin për ngjarjen për vetë traumën që u kishte shkaktuar krimi i rëndë.
Trupi i pajetë i 32-vjeçares është marrë nga familjarët e saj në morgun e Spitalit Ushtarak për t’i dhënë lamtumirën e fundit dhe vendosur në varrezat e të afërmve në Poliçan.
Jashtë kamerave fqinjët e familjes Koxhaj shpreheshin mjaft të tronditur për ngjarjen. Sipas tyre mes Manjolës dhe Arbenit ka patur grindje të shpeshta, për të cilat kryesisht shkak ishte pija e tepërt nga ana e 43-vjeçarit.
Madje Manjola ishte larguar 2-3 herë nga shtëpia për shkak të dhunës, por kthehej sipas fqinjëve gjithnjë për shkak të dy fëmijëve.
Manjola ishte e vetmja që punonte në familje, në një firmë të tregtimit të produkteve të mishit për 19 mijë lekë në muaj.