Grabitet banka në mes të ditës
VLORE/ QEMAL BIRAKU
Grabitet në mes të ditës një bankë në Vlorë. Persona të maskuar u futën dje rreth orës 13:30 në filialin e “Intesa Sanpaolo”, që ndodhet në zonën e Skelës, duke grabitur nën kërcënimin e armëve automatike një shumë të konsiderueshme parash.Sipas policisë, në afërsi të bankës është afruar një mjet tip Rexhina Benz, me targa të Tiranës e xhama të zinj, madje dhe xhami i parë. Mjeti është pozicionuar para bankës dhe prej saj kanë dalë dy persona të maskuar dhe të armatosur. Ata janë futur me shpejtësi në bankë, pasi kanë kërcënuar rojen private duke e izoluar edhe atë në brendësi të bankës. Nën kërcënimin e armës, ata kanë detyruar punonjësit që të nxirrnin të gjitha paratë që dispononin. Sipas dëshmisë së dhënë pas ngjarjes nga dëshmitarët, njëri prej grabitësve mblodhi paratë, ndërsa tjetri mbante në shenjë personelin dhe policin e bankës, duke i kërcënuar se nëse do të lëviznin do t’i vriste. Mësohet se personat grabitën të gjithë shumën e parave që punonjësit kishin nëpër duar, si dhe ato të kasafortës. Pasi kanë marrë shumën e parave, e cila për efekt të hetimeve nuk u bë e ditur, ata i futën në një çantë duke dalë me shpejtësi nga banka. Dëshmitarët treguan se, dy grabitësit kanë hipur më pas në makinën që i priste. Brenda saj ata kanë dalluar me vështirësi edhe persona të tjerë, të cilët duket se kishin rolin për të ndërhyrë në rast të ndonjë të papriture. Makina ka marrë drejtimin për nga zona e Ujit të Ftohtë, ndërsa punonjësit më pas sinjalizuan policinë e cila mbërriti në vend ku kreu edhe veprimet hetimore. Pas 30 minutash, blutë gjetën një mjet të përfshirë nga flakët në një nga zonat e lagjes “10 korriku”, i cili dyshohet të jetë ai që u përdor nga grabitësit. Sipas policisë, bëhet fjalë për një makinë “Benz” të 2007-ës, CDI me targa të Tiranës. Dyshohet se mjeti mund të jetë i vjedhur dhe po hetohet pronësia e saj, por sipas burimeve nuk ka denoncime për makinë të grabitur. “Gjithçka ndodhi brenda pak sekondash. Nuk patëm kohë për reagim ndaj tyre, ngelëm të tmerruar. Kur na drejtuan armët menduam se do na vrisnin. Ata edhe mund ta bënin këtë nëse ndodhte që dikush nga ne të lëvizte, ose nëse nuk do t’u dorëzonim lekët me shpejtësi”. Kështu kanë deponuar punonjësit e bankës për grupin e hetimit. Sipas tyre, grabitësit morën të gjithë sasinë e lekëve që ende nuk ishte futur në arkën qendrore. Policia dyshon se në aksionin e grabitjes mund të kenë qenë 4 deri në 5 persona. Gjatë kryerjes së grabitjes janë futur në bankë vetëm dy prej tyre, ndërsa të tjerët kanë qëndruar në gatishmëri për çdo të papritur. Në momentin e grabitjes nuk ka funksionuar asnjë sinjal alarmi, gjë për të cilën ka nisur hetimi. Gjithashtu po verifikohet nga pamja vizive e kamerave që janë të instaluara në bankë, nëse ato kanë funksionuar në momentin e grabitjes. Nëse po, policia ka të vetmen provë. Gjatë kontrollit që i është bërë mjetit të djegur, në brendësi të tij nuk është gjetur asgjë që të shërbejë si provë materiale. Dyshohet se personat mund të kenë marrë informacion për ndonjë derdhje të madhe parash në bankë ditën e grabitjes. Pas largimit nga banka, ata janë futur në një prej rrugicave të lagjes “10 korriku” dhe pasi kanë djegur makinën mund të jenë larguar me ndonjë mjet tjetër që i priste. Policia ngriti dje disa postblloqe, por gjer në orët e vona të mbrëmjes nuk kishte ende të identifikuar si autorë të ngjarjes.