Krimi në Rinas, arrestimi i autorit zbardh konfliktin
FUSHE-KRUJE
Zbardhet krimi i ndodhur mbrëmjen e së martës në një lokal pranë aeroportit ndërkombëtar të Rinasit. Arrestimi i autorit 50-vjeçar Ibrahim Cangu, dëshmia e tij dhe e familjarëve çoi në hedhjen dritë të vrasjes me një goditje thike të pronarit, Sherif Memoçi. Një histori e dështuar vite më parë mes djalit të autorit dhe vajzës së viktimës u rikthye dhe një herë në qendër të konfliktit, duke përfunduar me gjakderdhje. Sipas të dhënave zyrtare të policisë, krimi u krye në gjaknxehtësi e sipër prej Cangut. I biri i tij mësohet se ishte grindur me pronarin, duke kërkuar ndihmën e të atit, pasi Memoçi kishte tentuar të rrihte. Menjëherë ka shkuar në vend i ati 50-vjeçar, i cili pa pritur shumë të zgjidhte çështjen me qetësi, e qëlloi një herë të vetme me thikë pronarin e lokalit. Konflikti mes tyre mësohet se kishte nisur para 3 vitesh, kur djali i autorit punonte si kamerier në lokalin pranë aeroportit “Nënë Tereza”. Në atë kohë, pohojnë burimet e policisë, i riu, vetëm 22 vjeç kishte njohur të bijën e pronarit, disa vjet më të madhe se ai, duke kërkuar lidhje serioze me të. Përballë kërkesës së kamerierit dhe ndryshimit të moshës, as vajza dhe i ati i saj, Sherif Memoçi nuk kishte pranuar. Më tej vajza ka krijuar familjen e saj, ndërsa i riu ishte larguar nga puna. Prej asaj kohe, dy familjet nuk kishin komunikuar mes tyre. Mbrëmjen e së martës, Memoçi dhe ish-kamerieri i punësuar prej tij u hasën sërish përballë, duke kujtuar historinë e vjetër. Në gjendje të pirë, viktima i është kanosur djalit, madje duke tentuar ta sulmonte. I riu ka mundur t’i shpëtojë atij, por menjëherë ka vënë në dijeni të atin për incidentin e ndodhur. Pas krimit, autori u largua nga vendngjarja. Burime të policisë bënë të ditur se Cangu kishte arritur të largohej rreth 8 kilometra nga vendi i vrasjes. Por një telefonatë e tij, bërë një të afërmi në fshatin Nikël, të cilit i kërkonte ndihmë dhe strehim, ndihmoi blutë në lokalizimin e vendosjes dhe arrestimin e tij pa rezistencë.