Punëtorët e Bashkisë në Prokurori, shkatërruan banderolat e Topallit
TIRANE - Tre punëtorë të Sektorit të Gjelbërimit të Bashkisë së Tiranës, kanë përfunduar në polici, pasi kanë hequr banderolën njoftuese të takimit elektoral të Jozefina Topallit në lagjen Kombinat. Incidenti ka ndodhur dje në orën 10:00 të mëngjesit, në rrugën “Llazi Miho” të kryeqytetit. Sapo kanë konstatuar heqjen e banderolës, përfaqësues të Partisë Demokratike të Kombinatit, kanë bërë kallëzim në Komisariatin nr.6. Sipas burimeve nga policia menjëherë janë identifikuar autorët e ngjarjes, të cilët akuzohen për “Pengimin e subjekteve për zgjedhjet në organet përfaqësuese”. Ata janë 3 punëtorë të Gjelbërimit të Bashkisë së Tiranës, të cilët u shoqëruan për të dhënë sqarime në Komisariatin Nr.6. Sipas deklarimeve të tyre mësohet se udhëzimet për heqjen e banderolës, që njoftonte takimin elektoral të numrit 2 të Partisë Demokratike, i kishin marrë nga shefi i tyre, Vladimir Peshkëpia. Gjithashtu, ata kanë treguar se në momentin që ata po hiqnin banderolën, pranë tyre kanë qenë edhe punonjës të Policisë Bashkiake, të cilët kanë parë të gjithë skenën, por nuk i kanë penguar për të vazhduar “punën”. Madje, ata i kanë përkrahur. Policia ka nisur procedim në gjendje të lirë për 3 punëtorët e Gjelbërimit, me akuzën e pengimit të subjekteve për zgjedhjet në organet përfaqësuese. Gjithashtu, mësohet se do të verifikohet edhe roli i shefit të Sektorit të Gjelbërimit të Bashkisë së Tiranës, Vladimir Peshkëpia, në heqjen e banderolës njoftuese. Ky është incidenti i dytë elektoral që ndodh në prag zgjedhjes në kryeqytet. Disa ditë më para, para hapjes së fushatës elektorale, persona të paidentifikuar, thyen zyrën elektorale të Partisë Demokratike në rrugën “Don Bosko”. Kjo ngjarje u cilësua si politike, pasi personat që kishin dëmtuar xhamin e derës së zyrës, siç duket kanë pasur si qëllim vetëm dëmtimin e saj dhe jo vjedhjen. Duket se incidenti i djeshëm në kombinat ka qenë një balancim mes 2 forcave kryesore politike në vend, PD dhe PS. Këto janë incidentet e para paraelektorale dhe elektorale në kryeqytet, kur fushata elektorale sapo ka nisur. Policia deklaron se do të punojë për parandalimin e ngjarjeve të tilla, që pengojnë një zhvillim normal të fushatës zgjedhore. e.d