Publikohet lista, në zgjedhje 3 milionë votues
Ministria e Brendshme publikoi dje listën përfundimtare të zgjedhësve që do të kenë të drejtë vote në 28 qershor. Sipas kësaj liste në zgjedhje do të marrin pjesë 3.084.067 ndërkohë që numri i qendrave të votimit në gjithë vendin është 4812 qendra. Tirana është qarku me më shumë qendra votimi, 824 të tilla, i ndjekur pas nga Elbasani me 557, ndërsa Kukesi ka numrin më të vogël të tyre, 226 të tilla. "Ky materiale do ti kalojë faqes zyrtare të Ministrisë për listën përfundimtare dhe gjithashtu do ti transmetohet dhe KQZ-së", tha dje zv.ministri i Brendshëm Ferdinand Poni. Ndërkohë po dje Ministria e Brendshme ka bërë të ditur se më shumë se 1.2 milionë qytetarë janë paraqitur pranë zyrave të gjendjes civile për të aplikuar për marrjen e kartës së identitetit. Përmes një njoftimi për shtyp, ky dikaster njoftoi se vetëm ditën e martë kanë aplikuar rreth 15 mijë shtetas, të cilët janë nga kategoria e qytetarëve pa pasaportë, pas vendimit të qeverisë për të mos lejuar qytetarët me pasaportë të aplikojnë. "Ditën e djeshme kanë aplikuar për letërnjoftim elektronik 14.900 shtetas, duke e çuar kështu numrin total të aplikimeve në 1.202.584. Kanë tërhequr letërnjoftimet e tyre ditën e djeshme 20.807 shtetas, duke e çuar kështu numrin total të letërnjoftimeve të tërhequra në 696.314", thuhet në deklaratën për shtyp. Kjo ministri u ka bërë gjithashtu thirrje të gjithë shtetasve pa pasaportë që të aplikojnë për t'u pajisur me kartën e identitetit, si një prej dy dokumenteve të vetme që mundësojnë pjesëmarrjen në zgjedhjet e 28 qershorit. Ministria theksoi se të gjithë shtetasit që kanë aplikuar përpara 20 majit duhet të paraqiten për të tërhequr kartat e identitetit.
Të dhënat
14.900 qytetarë kanë aplikuar vetëm në 2 qershor
1.202.584 qytetarë kanë aplikuar në total në gjithë vendin
20.807 qytetarë tërhoqën kartat e identitetit vetëm në 2 qershor
696.314 qytetarë kanë tërhequr kartat që nga nisja e procesit
1/3 e kapaciteteve të stacioneve të aplikimit po shfrytëzohen aktualisht