Kartat, raporti: Shqiptarët rrezikojnë të mbeten pa votuar
Aristir Lumezi
Qytetarët shqiptarë rrezikojnë të mbeten pa votuar, për shkak të mospajisjes në kohë me kartat e identitetit. Ky është konkluzioni në të cilin del raporti i Lëvizjes Evropiane në Shqipëri, bazuar në monitorimin e procesit të pajisjes së shtetasve me karta identiteti. Pamundësia e marrjes së këtyre dokumenteve rikthen si në vitin 2007 idenë e futjes së certifikatave në procesin e votimit. Monitorimi një mujor i bërë nga 23 prill-23 maj, në tre qytete, Tiranë, Durrës, Shkodër dhe i financuar nga Ambasada amerikane në Tiranë, nxjerr probleme serioze në procesin e pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime elektronike.
Problematika
Në krye të këtij raporti theksohet fakti se procesi nisi në Tiranë në mesin e muajit maj dhe në qytetet e tjera me vonesë, ndërkohë që nga 12 janari deri tani janë të paktën 7 akte ligjore të nxjerrë nga qeveria, të cilët kanë vështirësuar procesin. Organet shtetërore kritikohen se nuk kanë organizuar një fushatë të mirë të informimit të qytetarëve. Kjo tregohet nga fakti se në tre qytetet e monitoruara zyrat e aplikimit punojnë me orare të ndryshme, ku në Tiranë zyrat janë të hapura deri në orën 21.00 ndërsa në Durrës e Shkodër deri në orën 16.00. Në të njëjtën kohë rreth 90 për qind e të intervistuarve nuk kanë informacion për kategoritë që përfitojnë rimbursim për kartat e identitetit. Raporti konstaton se qytetarët qëndrojnë gjatë në radhë për të aplikuar dhe për të tërhequr kartat e identitetit. “Për qytetin e Tiranës mesatarja e kohës që i duhet një qytetari të presë nëse ai është i fundit në radhë është afërsisht 15 min në zyrën e aplikimit dhe 13 min në zyrat e shpërndarjes. Ky raport për qytetin e Durrësit është 48 min në zyrën e aplikimit dhe 37 min në zyrat e shpërndarjes së letërnjoftimit elektronik. Situata për qytetin e Shkodrës paraqitet disi më ndryshe pasi shifrat rezultojnë të jenë 48 min në zyrat e aplikimit dhe 80 min në zyrat e shpërndarjes”, thuhet në raport. Por në njësinë 5 në Tiranë një qytetar duhet të qëndrojë 210 minuta në radhë për të aplikuar dhe 182 minuta për të tërhequr dokumentin. Raporti vë theksin gjithashtu te problemet lidhur me energjinë elektrike, internetin apo gabimet me emrin, mbiemrin dhe vendlindjen e personave që paraqiten për të aplikuar.
Rekomandime
“Aktorët politik të gjejnë një zgjidhje ligjore për t’i mundësuar qytetarëve, të cilët nuk arrijnë të pajisen me dokumente identifikimi, të ushtrojnë të drejtën e votës”, thuhet në paragrafin e rekomandimeve për aktorët politik. Qytetarëve u kërkohet që të aplikojnë deri në 7 qershor, ndërkohë që atyre u rekomandohet të aplikojnë në orët e vona të darkës kur nuk ka shumë radhë. “Numri i kartave të identitetit të pa tërhequra është shumë i madh e për këtë shtetasit që kanë aplikuar të paktën përpara 3 javësh duhet të paraqiten sa më shpejt pasi lehtësojnë kështu punën e pikave të shpërndarjes si dhe shmangin radhë të mëdha për tërheqje që mund të krijohen me afrimin e datës së zgjedhjeve”, thuhet më tej në raport. Gjithashtu, ministrisë i kërkohet të publikojë emrat e personave pa pasaportë dhe atyre që nuk kanë tërhequr ende kartat. “Numri i kartave të identitetit të pa tërhequra është shumë i madh e për këtë shtetasit që kanë aplikuar të paktën përpara 3 javësh duhet të paraqiten sa më shpejt, pasi lehtësojnë kështu punën e pikave të shpërndarjes si dhe shmangin radhë të mëdha për tërheqje që mund të krijohen me afrimin e datës së zgjedhjeve”, thekson më tej raporti.
Mesatarja e aplikimit
139 aplikime mesatarisht në ditë jave në Tiranë 153 karta të shpërndara mesatarisht në ditë jave në Tiranë 70 aplikime mesatarisht në ditë jave në Durrës 49 karta të shpërndara mesatarisht në ditë jave në Durrës 139 aplikime mesatarisht në ditë jave në Shkodër 114 karta të shpërndara mesatarisht në ditë jave në Durrës 15 minuta kohëzgjatja në radhë për të aplikuar në Tiranë 48 minuta kohëzgjatja në radhë për të aplikuar në Durrës, Shkodër 40.7 ditë kohëzgjatja për të tërhequr kartën në Tiranë 26 ditë kohëzgjatja për të tërhequr kartën në Durrës 38 ditë kohëzgjatja për të tërhequr kartën në Shkodër