E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kakavijë, radha e emigrantëve arrin katër kilometra

Mungesa e banjës dhe e vendeve të qëndrimit ka shfaqur probleme tek njerëzit që presin për orë të tëra në radhë

KAKAVIJË- Duket se radhët për emigrantët shqiptarë në Stacionin e Policisë Kufitare të Kakavijës nuk do të përfundojnë përgjatë këtij sezoni. Për të tretën ditë radhazi, emigrantët, që pas pushimeve kthehen në vendet e tyre të punës në Greqi janë përballur me orë të gjata pritjeje, nën diellin përvëlues dhe temperaturat mjaft të larta.

Radhët

Në rreth katërkilometër kanë arritur radhët gjatë ditës së djeshme në vendkalimin kufitar të Kakavijës, që është njëkohësisht edhe pika më e madhe tokësore në vend. Radhët kanë qenë të pandryshueshme përgjatë gjithë ditës deri në orët e vona të pasdites, kur gjendja është normalizuar disi. Prej tri ditësh, situata është e njëjtë në këtë pikë kalimi, mjaft e rënduar, me qindra emigrantë që presin për orë të tëra për të lënë territorin shqiptar. Përgjatë gjithë natës e deri në pasditen e së hënës, radhët kanë qenë mjaft të gjata, ndërsa fluksi i lëvizjeve ka qenë i konsiderueshëm. Në rreth 27. 546 persona me rreth 8950 automjete mendohet të kenë lënë territorin shqiptar përgjatë këtyre tri ditëve të fundit. E ndërsa vërshimi dhe lëvizjet e mëdha ishin parashikuar përgjatë dy ditëve të fundjavës, të shtunë dhe të diel, fluksi gjatë ditës së hënë ka qenë disi i papritur. Pothuajse përgjatë gjithë ditës pala greke ka punuar me katër sportele dhe për shkak të proceduarve të zgjatura në hyrje, puna ka ecur shumë ngadalë, duke bërë që radhët të shtoheshin orë pas ore. Ndërkaq, numri i sporteleve që pala shqiptare u vë në dispozicion emigrantëve nuk ka shumë rëndësi, pasi ai varet nga shpejtësia me të cilën dokumentacioni përpunohet në tokën greke. Vetëm gjatë pasdites, puna është përshpejtuar disi, duke bërë që gjendja të shkojë drejt normalizimit vetëm rreth orës 17.00 të pasdites, kohë në të cilën nuk kishte më radhë.

Problemet

Gjendja është vështirësuar edhe më tepër për shkak të temperaturave mjaft të larta dhe mungesës së ambienteve të përshtatshme për qëndrim në këtë vendkalim, ku mbi të gjitha mungojnë edhe tualetet. Në këto kushte emigrantët kanë qenë të detyruar të presin nën diellin përvëlues, brenda automjeteve të tyre, së bashku me fëmijë dhe të moshuar. Në dispozicion të tyre, sikurse përgjatë kësaj periudhe ka qenë edhe një autoambulancë e spitalit rajonal “Omer Nishani”, së bashku me një ekip të specializuar mjekësh dhe infermierësh, për të përballur çdo rast të mundshëm. Gjithsesi, pritjet e vazhdueshme në pikat kufitare i kanë lodhur emigrantët, të cilët gjatë çdo sezoni deklarojnë se nuk do të vijnë më në Shqipëri, por që sërish rikthehen. Vetëm përgjatë dy muajve të verës kanë hyrë në Shqipëri nëpërmjet Stacionit të Policisë Kufitare të Kakavijës rreth 150 mijë emigrantë. Vazhdimisht nga policia shqiptare u është kërkuar edhe përdorimi i të tjerave pika kufitare me Greqinë për të shmangur radhët e gjata, por mungesa e infrastrukturës së duhur bën që emigrantët të zgjedhin pikërisht Kakavijën. Madje edhe vendimi më i fundit i Ministrisë së Brendshme greke për zgjatjen e afatit të lëvizjes së lirë të emigrantëve deri më 15 tetor ka pasur pikërisht këtë qëllim, por duket se nuk ka ndikuar shumë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›