E Diel, 1 Nëntor 2026

Krimi në familje,vëllai vret vëllanë me thikë pas një grindjeje



Sarandë – Një akt i rëndë i është shtuar dje listës së krimeve në familje. Vëllai ka vrarë me thikë vëllanë e tij gjatë një zënke e sipër në familje, duke tronditur këtë mëngjes qytetin jugor të Sarandës. Sipas të dhënave paraprake, ngjarja ka ndodhur në Qafë Gjashtë, në hyrje të qytetit të Sarandës dhe tashmë policia ka arrestuar vëllanë e vogël të viktimës dhe shokun e tij.
Ngjarja
Të dhënat e para hetimore bëjnë me dije se vëllai, autor i vrasjes, Ermir Myrto, 25 vjeç, i ka shkuar në mesnatë në shtëpi vëllait të tij 35-vjeçar Laze Myrto, i shoqëruar nga një shok me emrin Jorgo Beruka. Në zënkë e sipër, ata e kanë qëlluar me thikë 35-vjeçarin i cili ka ndërruar jetë në spital. Sipas raportimeve të para, mësohet se 25-vjeçari ka pasur probleme me konsumimin e lëndëve narkotike, por ende nga policia po punohet për të mësuar shkaqet e vrasjes.
Rasti
Më 3 korrik krimi i trefishtë tronditi zonën e Alliasit në Tiranë. Zanafilla e ngjarjes u bë një konflikt familjar i lindur prej kohësh, por askujt nuk mund t’i shkonte mendja se fundi do të ishte kaq tragjik. Gjithçka ka nisur rreth orës 12:30, në një banesë 4-katëshe, në rrugën “Selaudin Zorba”, ku familja e Hazbi Gjonit jetonte prej kohësh me qira. Autori i krimit, Petrit Zaimi, jetonte kohët e fundit një dramë familjare shkaktuar nga divorci me të shoqen dhe kjo kishte sjellë jo pak konflikt me familjen e bashkëshortes, ku dhëndri mendonte se kishte një farë përgjegjësie për ndarjen. Debati i djeshëm pasonte atë të ditëve të fundit, ku autori i krimit pas grindjes në banesë me vjehrrin e tij Azbi Gjoni, 79 vjeç, e vrau duke i shkaktuar vdekjen me armën tip pistoletë që mbante me vete. Në gjendje të rënduar psikologjike në rrugën para shtëpisë autori ndjek dhe vjehrrën, Nadire Gjoni, 65 vjeçe, duke e qëlluar pikërisht aty dhe për pasojë e ka plagosur atë rëndë, e që vdiq disa ditë më pas në spital. Por plumbat nuk kanë kursyer as të birin 16-vjeçar, Klevis Zaimi, i cili ndërroi jetë më pas në Spitalin Ushtarak. Djali dhe vjehrra e viktimës u gjetën pikërisht në këtë rrugë. Ende nuk është e qartë kjo rrethanë nëse djali ka mbetur viktimë e plumbave aksidentalë apo nëse autori e ka vrarë atë në gjendje të rënduar psikologjike. Më pas gjithçka është mbyllur me rikthimin e autorit të krimit në shtëpinë e vjehrrit, ku vrau dhe veten.

Operacioni, policia asgjëson 1560 bimë narkotike Cannabis sattiva

Shkodër - Në kuadrin e një operacioni për identifikimin dhe asgjësimin e bimëve narkotikëve në orët e para të mëngjesit, policia e Shkodrës ka mundur të asgjësojë gjithsej 1560 rrënjë bime narkotike Cannabis sattiva në fshatin Mazrek të Shkodrës. Sipas të dhënave policore, ato janë gjetur në disa vende të ndryshme të këtij fshati si për shembull: në vendin e quajtur “Qafë Manza” 6 parcela me 710 rrënjë, në vendin e quajtur “Kodra e Brahimajve”, 6 parcela me 420 rrënjë dhe në vendin e quajtur “Përroi i Brahimajve” u gjetën 5 parcela me 430 rrënjë bime me karakteristika të ngjashme me ato të Cannabis sattiva.

Policia arreston 48-vjeçarin, ishte dënuar për plagosje me dashje

Korçë – Forcat e policisë së Korçës kanë bërë të mundur kapjen dhe ndalimin e 48-vjeçarit Ferman Begollari, pasi ishte shpallur në kërkim prej saj për konsumimin e veprës penale të plagosjes.
Sipas të dhënave policore për gazetën “Albania”, ndaj tij ekziston një vendim gjykate që e ka dënuar atë me 4 vjet burg për veprën penale të “Plagosjes së rëndë me dashje” parashikuar nga neni 88/1 i Kodit Penal.

Plagoset me armë zjarri një 36-vjeçar, në kërkim autorët

LAÇ- Një 36-vjeçar është plagosur dje me armë zjarri në afërsi të banesës së tij në periferi të Laçit nga persona ende te panjohur deri tani. Aleksandër Tolumbi është emri i të plagosurit, i cili sipas policisë në vendngjarje ka marrë plumbin në gjoks dhe është në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Policia dyshon se 36-vjeçari është plagosur brenda në automjetin e tij që ndodhej shumë pranë banesës së tij në fshatin Sanxhak. Sipas policisë pas plagosjes 36-vjeçari ka tentuar të dalë jashtë makinës dhe të ecë vetë. Policia e cila ndodhet në vendngjarje po bën të mundur zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Berat, shkëputet masivi shkëmbor, dëmtohen 2 banesa

BERAT- Dy banesa janë dëmtuar lehtë dhe një automjet është shkatërruar si pasojë e shkëputjes së një masivi shkëmbor nga pjesa e sipërme e lagjes Mangalen në Berat. Mësohet se për pasojë nuk ka patur të lënduar në njerëz pasi në momentin e rënies së masivit afro një metër kub nuk ndodhej njeri brenda në automjet. Në vendngjarje menjëherë kanë mbërritur drejtues të prefekturës, bashkisë, forca të shumta policie për inspektime në zonë, ndërsa është kërkuar dhe një grup ekspertësh. Policia ka evakuar për një kohë të shkurtër banorët dhe mori masa për heqjen e masivit. Masivi shkëmbor ishte shkëputur nga ajo pjesë lagjes ku tre vjet më parë ishte bërë dhe pastrimi i zonës. Kjo dukuri është e përsëritur në Berat. Pak vite më parë një tjetër masiv shkëmbor u shkëput nga lagja Gorricë duke shkaktuar plagosjen e një personi.

Vrasja në Xhenova, arratisen shqiptarët e dyshuar

Nuk ndodhen më në Xhenova tre shtetasit shqiptarë të shpallur në kërkim për vrasjen e një bashkëkombësi të tyre. 42-vjeçari Ilir Krypi u vra mbrëmjen e se dielës me armë zjarri, pasi u përpoq të lironte një vajze rumune, e rrëmbyer nga shqiptarët e tjerë që e shfrytëzonin për prostitucion. Sipas policisë italiane, tre shqiptarët po kërkohen në të gjithë Italinë, por mund të jenë arratisur edhe jashtë shtetit. Ndërkohë, prokurori Biagio Mazzeo ka kërkuar rezultatet e autopsisë së 42-vjeçarit shqiptar dhe marrjen serish në pyetje të vajzës, e vetmja dëshmitare e ngjarjes.

Arrestohet i treti bashkëpunëtor, plagosën me thikë një 17-vjeçar

Tiranë – Oficerët e zyrës së hetimit të vrasjeve në Policinë e Tiranës, kanë çuar në qeli një 20-vjeçar të akuzuar për “plagosje të rëndë me dashje”. Burime zyrtare nga policia thanë se dje u arrestua Renis Kasapi lindur e banues në Tiranë. Kasapi akuzohet se në bashkëpunim me 17-vjeçarin A.Ç., aktualisht i arrestuar, kanë goditur me thikë 17-vjeçarin D.C., në rrugën “Niko Avrami” dy ditë më parë. Në vendin e ngjarjes nga grupi hetimor u kryen veprimet procedurale si dhe u administruan të gjitha provat. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “Plagosjes së rëndë me dashje”. Ndërkohë që i plagosuri ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Helmimi nga ushqimi, vdesin nënë e bijë, po pritet autopsia

Gramsh – Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e djeshëm qytetin e vogël të Gramshit, kur është përhapur lajmi se një grua së bashku me vajzën e saj kanë humbur jetën në spital për shkak të helmimit nga ushqimi. Lajmi ka qenë mjaft tronditës për këtë vdekje të dyfishtë në një familje, e cila mund edhe të ishte parandaluar. Sipas të dhënave paraprake policore kanë qenë 39-vjeçarja Nafije Bujku dhe vajza e saj 10-vjeçare me iniciale R. B., për të cilat dyshohet se kanë konsumuar ushqim të helmuar, gjë e cila i bëri të ndërrojnë jetë në orën 03:00 të mëngjesit të djeshëm. Viktimat ishin nga fshati Kukur dhe trupat e tyre tashmë janë dërguar në morg ku pritet autopsia për të gjetur edhe shkaqet përfundimtare të vdekjes së nënë e bijë.

24 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›