E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Kosovës merr në pyetje liderin serb Ivanoviç, akuzohet për veprime terroriste

Paraqitja në rajonin e policisë, pas kërkesës së prokurorëve të EULEX-it

Blerina Olldashi

Milan Ivanoviç, lideri i serbëve të veriut të Mitrovicës është marrë në pyetje nga policia e Zveçanit të Kosovës pas kërkesës së prokurorëve të EULEX-it. Ai akuzohet për pjesëmarrje në disa veprime kriminale, organizimin dhe mbështetjen e grupeve terroriste, nxitje të urrejtjes nacionale, raciale e fetare, rrezikim të personelit të EULEX-it dhe pjesëmarrje në masën e veprave penale. Pas dy orësh marrje në pyetje, Ivanoviç i hodhi poshtë akuzat duke i quajtur ato një presion politik dhe të pavërteta. “Konsideroj se bëhet fjalë për një presion politik edhe pse akuzat janë shumë të mëdha, janë thjesht të pabaza. Mendoj se kjo çështje është vetëm presion i motivuar politik. Aty nuk ka asnjë kualifikim serioz, ndërsa unë u jam përgjigjur të gjitha pyetjeve”,- ka deklaruar Ivanoviç. Avokati i tij, Lubomir Petkoviç tha se aktualisht po zhvillohet kallëzim penal, me të cilin EULEX-i e ngarkon Ivanoviçin për vepra të rënda penale. Sipas tij, prokurori publik i EULEX-it është fokusuar në 10 shkurtin e këtij viti, ku i akuzuari ka kryer këto vepra penale. Krahas kësaj date bëhet fjalë edhe për zhvillimet e vitit të kaluar, kur u dogjën dy pikat doganore në Bërnjak dhe Jarinë. Policia e Kosovës bëri të ditur se Ivanoviç është paraqitur në kohën e paraparë në stacion. Zëdhënësi i policisë, Besim Hoti u shpreh se gjatë intervistës, i akuzuari nuk ka kundërshtuar pyetjet e bëra nga policia dhe hetuesit. “Ivanoviç u paraqit në stacionin policor në Zveçan. Ai u intervistua në prezencën e avokatit të tij mbrojtës, nga hetuesit policorë të Kosovës, nga drejtoria rajonale e policisë në Mitrovicë”. Prokurorë nga misioni europian për sundimin e ligjit, ditë me parë, kanë kërkuar nga Milan Ivanoviç që të paraqitet në polici për t’u marrë në pyetje, me dyshimin për pjesëmarrje në disa veprime kriminale. Ndërkaq, Policia e Kosovës nuk ka bërë të ditura detaje nga intervistimi i Ivanoviçit, por, sipas Hotit, një raport do t’i paraqitet prokurorisë përkatëse. “Detajet e intervistës sigurisht që nuk mund të behën publike. Raporti në fjalë sigurisht që i deponohet prokurorisë përkatëse, ndërsa mbetet që prokurori ndërkombëtar të marrë vendimet ose veprimet e tjera të përcaktuara me ligj”,- tha Hoti. Në kohën kur prokuroria e EULEX-it ka kërkuar paraqitjen e Ivanoviçit në polici, ai, përmes zyrtarëve serbë të policisë u tha përfaqësuesve të EULEX-it se nuk do ta bënte një veprim të tillë, duke thënë se nuk i njeh institucionet e Kosovës dhe se do të kërkonte mbrojtje nga shteti i Serbisë.

Rehn i bën thirrje Shkupit: “Pa reforma, nuk ka BE”
Eurokomisioneri për zgjerim Oli Rehn deklaroi dje në Shkup se data për fillimin e negociatave me BE-në, varet nga përmbushja e tetë kushteve të rekomanduara nga Komisioni Europian në raportin e vitit 2008. Rehn ka përshëndetur reformat e realizuara për liberalizimin e vizave, por ka theksuar se mbeten edhe disa kushte për t’u realizuar, për të filluar negociatat e anëtarësimit.Lidhur më çështjen e emrit, Rehn theksoi se ky kontekst nuk është i lidhur drejtpërdrejt me fillimin e negociatave për aderimin e Maqedonisë në BE. “Çështja e emrit nuk është e lidhur me mundësinë e fillimit të negociatave aderuese, sepse bëhet fjalë për kontest bilateral. Megjithatë fillimi i këtyre negociatave nuk mund të realizohet pa pajtimin e të gjitha shteteve anëtare të BE-së”,- deklaroi Ren i cili la të kuptohej se Athina mund pengojë procesin e fillimit të negociatave. Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski theksoi se qeveria të cilën drejton, gjatë periudhës së ardhshme do të angazhohet për zbatimin e të gjithave reformave, të cilat kërkohen nga Komisioni Europian, që në muajin tetor pritet të publikojë raportin për progresin e Maqedonisë në vitin 2009. Në këtë raport do të rekomandohet reformimi i jurisprudencës, administratës publike, zhvillimin e dialogut pozitë-opozitë, të drejtat e njeriut, përmirsimin e marrëdhënieve fqinjësore etj.

EULEX-i përgënjeshtron: “Nuk ka patur negociata me Beogradin”

Misioni i Bashkimit Europian, përmes një deklarate për mediat bën të ditur se nuk janë zhvilluar negociata me Beogradin. “Kemi marrë një letër nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. Në këtë moment është e rëndësishme të përsëritet se nuk janë zhvilluar negociata me Beogradin. Siç ju kemi thënë gjithmonë kolegëve tanë, ne kemi kontakte të rregullta me Beogradin për të përmirësuar shkëmbimin e informacioneve në drejtësi, dogana dhe polici. Zoti Iv De Kermabon është takuar me zëvendëskryeministrin për të diskutuar sërish këtë çështje”- theksohet në deklaratë.
Ndërkohë për këtë çështje u diskutua edhe në takimin e Bordit të Përbashkët Bashkërendues të Sundimit të Ligjit.

Kuvendi i Kosovës ratifikon marrëveshjen me FMN-në dhe BB-në

Kuvendi i Kosovës me unanimitet votoi dje ratifikimin e anëtarësimit të Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Grupin e Bankës Botërore. Deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan pa asnjë votë kundër, marrëveshjen për Përvetësimin e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim si dhe miratuan Memorandumin e Misionit të Thesarit të Bankës Botërore të datës 23-25 qershor 2009. Me këtë ratifikim, siç u tha në Legjislativ, Kosova merr përgjegjësi për kthimin e huas që ka marrë ish-Republika e Jugosllavisë në emër të investimeve në Kosovë, e njëkohësisht ka të drejtë, sikurse edhe shtetet tjera, të marrë kredi për investime kapitale. Kryeministri Hashim Thaçi tha se anëtarësimi i Kosovës në FMN dhe në BB është një arritje e jashtëzakonshme që ndihmon në zhvillimin ekonomik të vendit në njohje të reja për Kosovën, si dhe integrimin e saj në strukturat euroatlantike.

Koreja e Veriut
Refuzon bisedimet për programin bërthamor
Koreja e Veriut ka kundërshtuar çdo zgjidhje gjithëpërfshirëse në lidhje me programin e saj bërthamor dhe ka refuzuar të kthehet në bisedimet gjashtëpalëshe, derisa Shtetet e Bashkuara të braktisin, siç thuhet, qëndrimin armiqësor karshi Penianit. Ambasadori i Koresë Veriore, Ri Gong Sik, i bëri këto komente gjatë një konference për media të Forumit Rajonal të Asociacionit të Shteteve Juglindore të Azisë (ASEAN), i cili u mbajt në Puket të Tajlandës. “Nuk do të ketë bisedime gjashtëpalëshe, derisa SHBA-të të braktisin qëndrimin armiqësor”,- tha Ri Gong Sik.

Islandë
Aplikohet për anëtarësimin në BE
Islanda ka aplikuar formalisht për anëtarësim në Bashkimin Europian. Gjatë një ceremonie në Stokholm, ministri i Jashtëm i Islandës, Osur Skarfedinson, ia dorëzoi dokumentin ministrit të Jashtëm suedez, Karl Bild, vendi i të cilit kryeson presidencën e BE-së. Parlamenti i Islandës, javën e kaluar, votoi në favor të anëtarësimit në bllokun 27 anëtarësh. Ky hap erdhi pasi eknonomia e Islandës u zhyt në recesion global. Për çështjen e anëtarësimit të Islandës duhet të vendosin po ashtu qytetarët e saj përmes referendumit, ndërsa BE-ja duhet ta miratojë anëtarësimin.

SHBA
Obama: “Më 2011 do të tërhiqemi nga Iraku”
Presidenti amerikan, Barak Obama, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara, me gjithë dhunën në Irak, do të tërheqin nga ky vend ushtarët e vet deri në fund të vitit 2011. Këto komente, presidenti Obama i bëri pas takimit në Uashington me kryeministrin e Irakut, Nuri Al Maliki. Obama ka thënë se tërheqja e ushtarëve amerikanë “do të dërgojë porosi të qartë se Shtetet e Bashkuara do t’i përmbushin detyrimet ndaj popullit të Irakut”. Ky veprim nga disa politikanë shihet si i dyshimtë pasi sipas tyre ende nuk janë krijuar kushtet për tërheqjen e trupave.

24 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›