E Diel, 1 Nëntor 2026

Krimi në gjimnaz, autori u ofroi nxënësve 30 mijë lekë



ELBASAN/ ALDO KOZARIA

Vrasja e gjimnazistes Greta Bahja mund të kishte ndodhur të hënën. Autori i krimit, Endrit Llambraj, e ka kërkuar atë mëngjes, por matura e katërt D mungonte për shkak të ekskursionit që klasa kishte zhvilluar në Sarandë. Krimi duket se ka qenë i parapërgatitur, pasi 19-vjeçari ishte parë në shkollë me një qese në dorë. Për t'u kthyer sërish të nesërmen në mëngjes, kur dhe realizoi vrasjen. Shoku i klasës së Gretës, Andi Mema, tregon detajet e marrëdhënies mes Endritit e Gretës dhe arsyet pse ajo e refuzonte.
Si ndodhi ngjarja e rëndë?
Endriti erdhi në mëngjes tek dera e klasës sonë e më pyeti nëse ishte brenda Greta. I thashë që po. Ai u mendua një herë dhe pastaj hapi derën, duke hyrë në klasë. Mbushi pistoletën dhe shkoi në bankën e fundit, ku ishte ulur ajo dhe e goditi fillimisht me pëllëmbë. Ne menjëherë dolëm jashtë, sepse ai filloi të na e drejtonte armën. Kur ishim në korridor, në afërsi të zyrës së drejtorit, u dëgjuan tri të shtëna dhe pak sekonda më pas pamë që Endriti po largohej me vrap. Nuk na lanë të hynim më në klasë, sepse drejtori shkoi menjëherë aty, së bashku me mësuesit e tjerë.
E njihnit Endritin?
E njihja thjesht si një djalë që ngacmonte Gretën.
Keni dijeni si janë njohur ata?
Ka qenë maji i vitit 2009 , koha kur të dy janë njohur, gjatë një ekskursioni që ne bëmë në Vlorë. Endriti punonte kamerier në një lokal ku ne ndaluam për të pirë kafe në atë qytet. Që nga ajo kohë e deri ditën që Greta u qëllua për vdekje, ai e ngacmonte, madje flisnin edhe në telefon. Di që Endriti dëshironte që të fejohej me të, ndërsa Greta e refuzonte gjithmonë, duke pretenduar se ishte e fejuar me dikë tjetër. Endriti vinte dhe në klasë e i kërkonte Gretës që të pinin kafe si dhe ta pranonte atë si njeriun e zemrës, por ajo ishte e vendosur. Madje edhe kur ne bisedonim ndonjëherë për këtë çështje, ajo thoshte se nuk donte t'ia dinte për Endritin, pasi kishte dikë tjetër në zemër. Endriti i bënte presion një shokut të klasës sonë, madje kishte arritur deri aty sa i thoshte: Do të të jap 300 mijë lekë që të ma nxjerrësh Gretën për kafe. Por gjithmonë ne refuzonin të merrnim përsipër një gjë të tillë, duke pasur parasysh se ajo nuk e donte.
Ju kishte treguar Greta për historinë?
Në muajin tetor Greta na ka thënë se familjarë të Endritit i kishin shkuar në shtëpi për të kërkuar dorën e saj, por që familja e saj e kishte refuzuar, pasi ajo nuk e donte. Një ditë Greta është shfaqur shumë e shqetësuar në klasë, kur mësoi se Endriti kishte tentuar të vetëhelmohej. Hera e parafundit, kur Endriti ka ardhur në shkollën tonë ka qenë dita e hënë e kësaj jave. Por ne, ngaqë ishim në Sarandë për ekskursion, nuk zhvilluam mësim atë ditë. Morëm vesh prej shokëve tanë që Endriti kishte ardhur në shkollë bashkë me një djalë tjetër. Ata kishin një qese të bardhë në duar, brenda së cilës dukej se kishte diçka të dyshimtë. Ai kishte hipur në katin e dytë ku është klasa jonë dhe kishte pyetur për Gretën, por kur i kishin thënë se kishim shkuar në ekskursion ai ishte larguar.
Kishit dijeni se çfarë mund të ndodhte?
Asnjëri nga mësuesit apo nga drejtoria e shkollës nuk kishte dijeni për këtë çështje, pasi Greta gjithmonë qëndronte e rezervuar kur diskutohej për këtë çështje. Ajo gjithmonë nuk jepte përgjigje kur shokët e klasës i thoshin se Endriti i kërkonte numrin e saj.

Elbasan e Vlorë, përcillen viktimat
Mes lotëve është përcjellë në banesën e fundit mesditën e djeshme gjimnazistja e ekzekutuar në mes të klasës ku mësonte nga një 19-vjeçar, që më pas vrau veten. Në ceremoninë mortore merrnin pjesë dhe ministri i Brendshëm, Basha, zv/ministri i Arsimit, Shamata dhe pushtetarë vendorë, të cilët shprehën ngushëllimet për familjen Bahja, bashkë me qindra nxënës e mësues të shkollës "Mahir Domi". Ndërsa në Vlorë, familjarët e Endrit Llambrajn, gjatë ceremonisë mortore për djalin e tyre shprehen të tronditur mbi këtë ngjarje. Ata hedhin dyshime mbi mënyrën e gjetjes së armës së 19-vjeçarit. Për ta, Endriti ka qenë i urtë dhe nuk u shkonte ndonjëherë në mendje se ai mund të ndërmerrte
këtë vepër ekstreme, duke shënuar 2 viktima.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›