"E vërteta e pengjeve në Cërrik"
Armand Bajrami
Meti Bozi, një nga të pandehurit e "Bandës së Cërrikut" tek Krimet e Rënda, reagoi dje ndaj dëshmisë së dhënë një javë më parë nga ish-gardisti Petrit Gjoka, i cili identifikoi Bozin si pjesëmarrës në ngjarje. Në një deklarim të lirë nga salla e gjyqit, Bozi rrëfeu para gjykatës versionin e tij, mbi ditën kur nga një pritë e armatosur në qendër të Cërrikut u vranë 6 punonjës të Gardës, si edhe u plagosë 16 të tjerë, dy prej të cilëve u mbajtën peng për disa orë. I pandehuri mohoi kategorikisht të kishte marrë pjesë në pyetjen e gardistëve të marrë peng, apo në sulmin e armatosur. Sipas tij, ai ishte kujdesur për kurimin mjekësor të të plagosurve, si edhe kishte ndihmuar në nxjerrjen e kufomave të gardistëve të vrarë nga blindi i djegur në pritën e armatosur. Pas përfundimit të deklarimit të Bozit, gjykata shtyu seancën, pasi dje nuk ishte paraqitur asnjë nga dëshmitarët e lajmëruar.
DEKLARIMI i Met Bozit
"Një seancë më parë u mor në pyetje Petrit Gjoka, që më akuzonte mua për ngjarjen. Tha që e kam kërcënuar dhe që kam qenë unë personi që drejtoja personat që e filmonin atë, teksa ishte i plagosur. Tha që isha unë personi që mbaja një radio policie në dorë, që sipas atij ia kisha marrë shefit të tyre. Përmendi që i kam thënë 'do ju djegim, si shokët tuaj' dhe që një nga femrat e shtëpisë ku kanë qëndruar i ka thënë 'juve ju mori në qafë politika'. Unë, jo që nuk kam kërcënuar Petrit Gjokën, por nuk bëhet fjalë që të kem drejtuar personat që filmonin dhe intervistonin personat e plagosur. Atë ditë unë kam qenë tek elektriku pranë shtëpisë së H.Xhangollit. Isha aty, pasi një komshi tjetër më kërkoi ndihmë, se mbi shtëpinë e tij kishte rënë një granatë. Unë për këtë shkova tek elektriku, të merrja policinë në telefon të vinin për heqjen e granatës. Telefoni aty funksiononte me central. Nuk arritëm të lidheshim me policinë. Atëherë një nga ata punonjësit e elektrikut më ndihmoi me një numër të prefekturës. Folëm me prefekturën. Na u përgjigj në telefon sekretari i prefekturës. Atij i kërkuam të na ndihmonim për heqjen e një granate. Ai na pyeti se ç'po ndodhte në Cërrik. I thashë që ka ardhur policia dhe po përleshet me popullin", u shpreh Bozi. Në vijim ai tregoi se pasi kishin lëvizur nga elektriku, kishin dëgjuar para shtëpisë së H.Xhangollit një zë: më ka marrë çunin policia e do ma vrasin! "Kishin brenda dy të plagosur. Në derë rrinte i zoti i shtëpisë, që nuk lejonte askënd të futej brenda. Familja Xhagolli ishte familje e nderuar, njihej nga të gjithë në qytetin e Cërrikut dhe nuk mund të futeshe aty pa leje, apo me forcë. Pyeta aty, në ishin mjekuar apo jo të plagosurit dhe më thanë që jo. Shkova sërish tek elektriku. Mora në telefon spitalin. U thashë që tek shtëpia e H.Xhogollit ishin dy të plagosur. Infermieria u vonua ca. Kur u lajmërova për ardhjen e saj, shkova tek familja Xhogolli. I zoti i shtëpisë vazhdonte të qëndronte tek dera dhe të mos lejonte të armatosur të futeshin brenda. Në të majtë të derës kryesore të shtëpisë ishte një dhomë e vogël, dy me dy. Nuk mund të futesha brenda, pasi kishte shumë njerëz. Zgjata kokën. Ishin dy persona, njëri me kamera dhe tjetri që bënte intervistë. Se çfarë e pyesnin, nuk arrita ta dëgjoj, pasi kishte shumë zhurmë", vijoi i pandehuri. Për policët e vrarë Bozi tha: "Në këtë kohë që po flas unë nuk e dija që janë djegur dy persona tek blindi. U nisa për në qendër dhe pashë blindin. Aty pashë S.Tafën dhe një person tjetër me mustaqe. Po nxirrnin kufomat nga tanku. Më kërkuan t'i ndihmoja, pasi nuk mund t'i ngrinin dot vetëm. Shkova tek kinemaja e Cërrikut të merrja një beze për të mbuluar kufomat. E mora atje një si perde dhe i mbulova. Kemi dërguar një fëmijë të lajmërojë ambulancën për marrjen e kufomave. Ambulanca erdhi pasdite. Shoferin e njihja si fytyrë. Më kërkoi ta ndihmoja të ngjiste kufomat në automjet. Kam vajtur dhe jam interesuar disa herë brenda ditës për të plagosurit. Më vonë kam përcjellë Luan Prengën tek Lagjja e Shelgut. Rruga kalonte tek shkolla, më pas ishin arat. E çova bashkë me Foksin deri tek parcela e parë. Më tha Foksi: 'kthehu se e përcjell unë'. U ndava me Luan Prengën me duar në qafë. E pyeta në kishte para me vete. Petrit Gjoka, jo vetëm që ka gënjyer, por është manipuluar nga prokuroria".