Vdekja e zjarrfikësit,kolegët tregojnë ngjarjen
FIER - Përcillet me nderime Edmond Moçka, zjarrfikësi i cili humbi jetën në krye të detyrës mbrëmjen e së martës, gjatë një operacioni shpëtimi. Ndonëse kanë kaluar disa orë nga ngjarja e rëndë, për kolegët e 46-vjeçarit mbeten në mendje të fiksuara ato momente të përfunduara tragjikisht. Humanizmi i theksuar profesional i Edmondit i solli atij vdekjen. Sipas 3 shokëve të tjerë, të cilët u angazhuan me urgjencë për ndihmën që kërkuan banorët e lagjes "Apolonia", Edmondi ndërhynte gjithmonë në këto operacione. Kolegët e tij të punës kanë arritur të tregojnë dje ata çka ndodhi mbrëmjen e së martës. Katër zjarrfikës janë nisur për të shpëtuar fëmijët që sipas telefonatës së mbërritur në sallën operative, ishin bllokuar në banesë. "U nisëm si gjithmonë të katërt që ishim në turn. Morëm me vete të gjitha sendet dhe automjetet dhe shkuam aty ku na u dha sinjalizimi. Më pas banorët që na njoftuan dolën në oborrin e pallatit dhe na treguan katin e ballkonin në të cilin duhej të ndërhynim, pasi dyshohej se brenda kishin mbetur të izoluar tre fëmijë të vegjël. Fakti që Edmondi dëgjoi për fëmijë të vegjël e bëri më të prekshëm dhe nxitimthi kërkoi të ndërhynte. Hodhëm një kavo, në krye të së cilës kishim vënë një pjesë metalike, në formë spirance. Këto veprime ndjekim gjithmonë. Hedhim lart kavon derisa ajo të ngecë në atë pikë ku ne kemi destinacionin. Pasi jemi siguruar që kavoja ka ngecur ne vijojmë të ngjitemi. Edhe mbrëmë Edmondi veproi njësoj. Tërhoqëm disa herë kavon dhe pasi u siguruam që ishte në rregull ai nisi të ngjitej. Në momentin kur po mbërrinte në katin e tretë, ku ishte destinacioni i kësaj ngjitjeje, ne dëgjuam një zhurmë dhe një rënkim. Ishte errësirë dhe mezi u orientuam se çfarë ndodhi realisht. E transportuam me shpejtësi për në urgjencë, por gjatë rrugës na thoshte të mos kujdeseshim për të, por për fëmijët e mbetur". Pak minuta më vonë, zjarrfikësi kishte ndërruar jetë, pa e ditur se fëmijët për të cilët ai ra në krye të detyrës ishin shëndoshë e mirë. Në ceremoninë e djeshme ndodhej dhe ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha. Prefekti i Fierit, Bujar Hasaj, premtoi se do të akordohen ndihma për përballimin e jetesës dhe shkollimit të dy fëmijëve të familjes Moçka. m.r